Vende dhe Udhetime

Një agjenci që i dedikohet vetëm turistëve që duan të vizitojnë Ukrainën e shkatërruar

Të vizitosh Ukrainën tani për të përjetuar se si është të jetosh në mes të një lufte, të shohësh qytetet e saj të bombarduara, të ndjesh rrezikun dhe të takosh ushtarët mund të mos jetë në listën e dëshirave të askujt për udhëtime por një agjenci turistike shtatë muaj pasi Rusia pushtoi vendin, po fton turistët të shkojnë në Ukrainë.

Agjencia online “Visit Ukraine Today” muajin e kaluar nisi turne ditore me guida në të ashtuquajturat "Qytetet e guximshme" që kanë sfiduar dhe vazhdojnë t'i rezistojnë pushtuesve rusë, duke u ofruar turistëve një vështrim se si po jeton vendi mes konfliktit.

"Nisuni në një udhëtim drejt Ukrainës së mrekullueshme tani", shkruan faqja e internetit e agjencisë turistike.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare për të mos udhëtuar në Ukrainë, agjencia thotë se deri më tani ka shitur 150 bileta, ndërsa uebfaqja e saj që ofron informacione për udhëtime të sigurta drejt Ukrainës ka 1.5 milionë vizita në muaj.

Agjencia shkruan se kushdo që regjistrohet në turne do të bëjë shëtitje midis mbetjeve të bombave, ndërtesave të shkatërruara, katedraleve dhe stadiumeve, si dhe pajisje ushtarake të djegura, plus do dëgjojnë dhe sirenat që bien shpeshherë nëpër qytete.

Edhe pse mund të duket si një mënyrë e kotë për të kaluar pushimet, themeluesi dhe CEO i Visit Ukraine Anton Taranenko thotë se nuk është njësoj si "turizmi i errët" që sheh vizitorët që dynden drejt vendeve të vdekjes, katastrofës dhe shkatërrimit në mbarë botën.

Taranenko thotë se turnet janë një shans për Ukrainën që të nxjerrë në pah forcën e qytetarëve si dhe t'i tregojë botës se jeta vazhdon, edhe në një luftë.

'Të jetosh jetën pa marrë parasysh çfarë'

"Nuk ka të bëjë vetëm me bombat, ajo që po ndodh sot në Ukrainë ka të bëjë gjithashtu me mënyrën se si njerëzit po mësojnë të bashkëjetojnë me luftën, të ndihmojnë njëri-tjetrin”, thotë ai.

“Ndoshta matanë rrugës nga ku ka goditur një bombë, do të shihni disa miq duke ngrënë ushqim tradicional në një lokal të rihapur”.

Ai thotë se të gjithë duhet të shohin se në Ukrainë nuk janë vetëm momentet e trishtuara që shihen në televizor. Atje jeta vazhdon dhe të gjithë kanë shpresë se shumë shpejt çdo gjë do të përfundojë.

Departamenti Amerikan i Shtetit aktualisht ka një paralajmërim "Niveli 4: Mos udhëto" për Ukrainën për shkak të pushtimit rus. Ai u kërkon të gjithë qytetarëve amerikanë të largohen menjëherë nga vendi.

Alarme të ngjashme janë lëshuar nga vende të tjera.

Megjithatë, Taranenko po u bën thirrje njerëzve të vizitojnë Ukrainën.

"Nëse doni të shihni qytetet tona të shkatërruara dhe njerëzit e guximshëm duke luftuar, ejani tani", thotë ai.

Por, shton ai, vizitorët duhet të jenë të vetëdijshëm se askund në Ukrainë nuk është 100% vend i sigurt, megjithëse një udhërrëfyes mund tu tregojë se ku janë zonat më pak të rrezikshme.

"Ne kontrollojmë rregullisht situatën në mënyrë që të mund të monitorojmë nivelet e ndryshme të sigurisë", thotë ai, duke vënë në dukje se shumë ukrainas tani janë kthyer në zonat nga ikën fillimisht, veçanërisht në kryeqytetin Kiev, për shkak të pushtimit.

"Ukraina po ngrihet përsëri, njerëzit po kthehen në qytete, komunat kanë filluar të rindërtohen, qytetet po ‘shërohen’ nga tmerret dhe ka një milion të huaj në vend. Kyiv është tani vend i vizitueshëm dhe më i sigurt se në fillim të luftës", thotë Taranenko.

Të zbulosh vendin, shton ai, do të thotë të shikosh në sytë e ukrainasve, jeta e të cilëve ka ndryshuar përgjithmonë, por që jetojnë në pritje të fitores.

Agjencia turistike është vlerësuar nga qeveria për punën e saj në mbështetjen e industrisë së turizmit të shkatërruar nga lufta dhe ofrimin e informacionit për të ndihmuar qytetarët që shkojnë dhe largohen por përsëri shumë njerëz janë skeptikë për këtë që agjencia po bën.

"Tani nuk është koha e duhur për të vizituar vendin, por pasi të fitojmë dhe lufta të ketë mbaruar, ne do t'i ftojmë njerëzit të vizitojnë Ukrainën", thotë Mariana Oleskiv, kryetare në Agjencinë Shtetërore për Zhvillimin e Turizmit të Ukrainës.

"Qëndrimi ynë zyrtar është që turistët të vizitojnë Ukrainën kur do të jetë e sigurt për ta vizituar”.

Oleskiv tha se turizmi i brendshëm në fakt kishte rifilluar brenda Ukrainës, duke arritur deri në 50% të niveleve të paraluftës pavarësisht luftimeve, por ishte shumë herët dhe shumë e rrezikshme për të huajt që të shkonin.

Megjithëse ligji ushtarak është futur në Ukrainë dhe trafiku ajror është pezulluar, Taranenko thotë se vizitorët e huaj ende mund të udhëtojnë lehtësisht brenda dhe jashtë vendit, duke kaluar nëpër pikat e kontrollit lindor të vendit me Europën.

Edhe Charlie McGrath, pronar i Objective Travel Safety, kompani që trajnon njerëzit për zonat e luftës, thotë se edhe zonat e Ukrainës që duken si të sigurta mund të përbëjnë një rrezik real.

"Edhe pse disa vende të Ukrainës duket sikur janë të sigurta për të udhëtuar, është si të hedhësh një zar, nuk e di kurrë se çfarë ndodh”.

Ai thotë se vizitorët do të kenë nevojë për siguri se çfarë mbrojtjeje do t'u ofrohet në turne dhe çfarë ndodh nëse lëndohen ose udhërrëfyesi i tyre vritet. Ka gjithashtu pyetje se cilat spitale dhe burime lokale do të përfshiheshin.

“Unë do të rekomandoja që të mos e bënin atë”, shton ai.

Taranenko thotë se, pavarësisht nga rreziqet, ka një dëshirë nga turistët për të vizituar Ukrainën. Nga 150 biletat e shitura deri më tani, 15 kanë qenë për amerikanët, thotë ai.

Grupet e turneut do të kufizohen në grupe prej 10 personash. Pjesëmarrësit do të takojnë udhërrëfyesin e tyre në pikat e nisjes dhe do të përgatiten se si të veprojnë nëse lind një situatë kritike, si për shembull ku të gjejnë strehë nëse bien sirenat e sulmit ajror.

“Të kesh një udhërrëfyes që e njeh vendin dhe saktësisht se cilin drejtim duhet të marrë është garanci”, thotë ai.

Udhëtimet ditore janë 3-4 orë, por mund të zgjerohen sipas kërkesave. Kompania thotë se fitimet nga shitja e të gjitha biletave shkojnë për të mbështetur refugjatët e luftës.

Oleksii Vlasenko, 32 vjeç, një sipërmarrës udhëtimesh në Kiev thotë se ai mori pjesë në një nga turnet në korrik, duke vizituar disa qytete të dëmtuara nga konflikti. Ai tha se ndërsa nuk u përball me ndonjë rrezik të dukshëm gjatë udhëtimit, ekzistonte një frikë në mendjen e tij.

“Sigurisht që ka gjithmonë një rrezik, pasi lufta vazhdon, por mendoj se tani është ndryshe. Njerëzit janë të interesuar të udhëtojnë për të parë shkatërrimet e pasluftës. Megjithatë, turneun nuk do t'ua rekomandoja grave dhe fëmijëve, por të rinjve, pse jo?

Në Kiev, Lviv, Bucha, Irpin tani ka një jetë normale ku pavarësisht alarmeve që bien çdo ditë, nuk ka më ushtarë rusë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë