Politike

E nisi si vitin e Skënderbeut, e mbylli me meme dhe prerje kokash

Nga Bledar Hoti- Zgjedhja e kryeprokurores të përkohshme Arta Marku në dhjetor të 2017 mes një debati të ashpër dhe nën protestën e opozitës, si dhe refuzimi i kërkesës së Prokurorisë për hetimin e ish-ministrit të Brendshëm do të ishte një paralajmërim se 2018-ta do të ishte vit i trazuar dhe konfliktual.
Edhe pse 2018 do të shihej si Viti i Skënderbeut me mesazhin përbashkuese, zhvillimet politike të këtij viti sollën konflikte dhe ndarja të qarta mes dy kampeve të politikës, por edhe mes vetë krerëve më të lartë të institucioneve kryesore të shtetit.


Protesta e 27 janarit
Muaji i parë i këtij vit do të niste menjëherë me organizimin e protestës së opozitës. PD dhe LSI do të kishin provën e parë të bashkëpunimit mes tyre, pas zgjedhjeve parlamentare të 2017. Protesta përpara Kryeministrisë do të ishte si më e madhja e opozitës, e cila do kërkonte largimin e Edi Ramës. Thirrja e tyre më e fortë është “Rama Ik”. “Ne jemi këtu për të ndalur të keqen që të pushtojë Shqipërinë. Nuk duam ta marrim pushtetin me forcë, por shqiptarët të jenë të lirë të zgjedhin pushtetin që duan”, deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha në këtë miting. Po aksioni politik i opozitës u shua, duke lënë që qëndrimet e tyre të ishin në varësi të zhvillimeve të mëtejshme politike.

Protesta e opozitës në janar 2017


Tarifat për kuksianët
Dhënia me koncesion të rrugës së Kombit, përcaktimi i pagesës së 5 euro për çdo kalim nga qytetarët shkaktoi reagimin e menjëhershëm të banorëve të Kukësit, të cilët protestuan më 31 mars, duke prishur pikat e vendosura në rrugët e Kombit, ku do të bëhen pagesat te firma koncensionare. Menjëherë kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp duke i cilësuar protestuesit si vandalë. “Kush e vendosi atë zjarr, kush ushtroi vandalizëm dhe kush guxoi të ngrejë dorë mbi forcat e policisë nuk do të ketë asnjë shans t’i shpëtojë ligjit. Zjarr-nxitës të kazanit politik të Tiranës nga frika e drejtësisë. Kontrata parashikon jo vetëm 120 mijë euro kontribut kompanisë për transportin e banorëve në nevojë, por edhe karta për banorët që janë përdorues të shpeshtë të rrugës”, do të deklaronte Rama në konferencë për shtyp. Ndërsa do të arrestoheshin 23 protestues si përgjegjës për shkatërrimin e bërë të kioskave të pikës së pagesës së kalimit të koncesioneve.

Protesta e kuksianëve në rrugën e Kombit


E ndërsa e cilësoi protestën një organizim të ngjizur me urdhër nga opozita në Tiranë, Rama theksoi se socialistët që ishin pjesë dhe që ngritën dorë ndaj policisë janë të përjashtuar nga partia Socialiste. “Gjuha e benzinës dhe çizmja e dëshpërimit do marrin përgjigjen qershorin e ardhshëm. Ndërsa çdo këshilltar socialist që ka ngritur dorë qorrazi apo në vetëdije, të ngjizur me urdhër nga Tirana, e ka humbur të drejtën për të qenë pjese familjes së PS”, tha ai.
Pas këtyre arrestimeve menjëherë do të reagonte kryedemokrati Lulzim Basha, i cili do të kërkonte lirimin e menjëhershëm të kuksianëve, si dhe mos aplikimin e taksës prej 5 eurosh. “Tarifa e Rrugës së Kombit duhet të hiqet. Protestuesit e arrestuar në mes të natës duhet të lirohen. Dhunuesit e tyre duhet të ndëshkohen. Partia Demokratike mbështet qytetarët dhe të drejtat e tyre dhe do jetë me ta në çdo moment”, do të deklaronte Basha.
Por për të zbutur reagimet e ashpra të kuksianëve, kryeministri Edi Rama doli dy herë në konferencë shtypi brenda dy ditësh, duke bërë të ditur se do të aplikoheshin tarifa të reduktuara për banorët e qytetit të Kukësit. Protesutesit ndërkohë do të dilnin në protesta, ndërsa të arrestuarit do të dërgoheshin në Tiranë, ku gjykata dha vendimin për lirimin e plotë të tyre vetëm disa muaj më vonë.

Mosbindja civile
Nisur nga ngjarjet në Kukës, opozita ndërmori aksionin për të nisur protestën për mos bindjen civile. Bllokime rrugës, në arteriet kryesore të rrugëve nacionale ishin aksionet e opozitës, ndërsa qytetarëve iu bë thirrje që të mos paguanin as taksat. Këto protesta do të shuheshin nga opozita, për shkak se edhe qeveria ndërhyri në kohë, duke marrë vendim për reduktim të tarifave

Basha gjatë protestës për mos bindjen civile

Debati për Teatrin
Përplasja e fortë do të ishte për ligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re, duke ia dhënë një firme private Fusha shpk, projekti që parashikonte dhe ndërtimin e disa kullave të shtrira mbi 8465 m2 tokë publike-përfshirë Teatrin Kombëtar, ish-selinë e Partisë Demokratike dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Kjo nismë e qeverisë që e paracaktonte fituesin që do të ndërtonte Teatrin së bashku me kullave, do të ishte beteja e ashpër mes opozitës dhe qeverisë. PD-ja akuzonte për një aferë korruptive ndaj firmës private dhe kërkoi mos miratimin e këtij projektligji.

“Teatri i ri Kombëtar, do të ndërtohet doni ju apo s’doni ju. Se nuk e frenoni dot punën tonë, thjesht na përzini ne këtë shfaqje qesharake, çfarë presin njerëzit dhe çfarë debatohet këtu. Ky është problemi juaj këtu”, do të deklaronte kryeministri Edi Rama gjatë një replike ndaj ish-kryeministrit Berisha në seancën e 15 janarit 2018.

Nga protesta e aktorëve dhe e shoqërisë civile kundër prishjes së Teatrit

Por për shkak të konfliktit të madh që krijoi kjo nismë, u vu re tërheqja e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në këtë debat me shoqërinë civile dhe komunitetin e aktorëve dhe përfshirjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Mes protestave të komunitetit të aktorëve dhe opozitës që zgjatën disa muaj, Parlamenti arriti ta votonte projektligjin që parashikonte prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një godine të re.

Votimi për Teatrin, seanca e tensionuar mes mazhorancës dhe opozitës

Me 75 vota pro një ligj i tillë u votua, por që u shoqërua dhe me një kontestim të hapur nga ana e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, i cili pas një debati me kryeministrin Edi Rama braktisi seancën plenare duke mos votuar. Votimi i 5 korrikut u shoqërua në tensione me opozitës dhe mazhorancës. “Nëse nuk do të votosh, ik ne shpi. Mua mos me bëj numra”, i është drejtuar Rama, ministrit të Diasporës. Pas këtyre fjalëve Majko doli i nervozuar nga seanca. Ndërsa më pas u përfol se të nesërmen e seancës Majko i kishte paraqitur në zyrën e kryeministrit dorëheqjen, por një gjë e tillë nuk ishte pranuar nga Rama.

Këtij debati do t’i përfshihej edhe presidenti Ilir Meta, i cili ktheu mbrapsht ligjin e miratuar në korrik, duke theksuar se ky akt i Parlamentit paracaktonte fituesin dhe shkel parimet e barazisë. Por edhe pse mazhoranca pranoi dekretin e Presidentit për Teatrin, miratoi disa akte në tetor të këtij viti. Por Presidenti e ktheu për herë të dytë nismën, duke e cilësuar si mos përmbushje të tetë pikave të kërkuara me dekretin e parë. Për presidentin Meta, as gara e hapur nuk i jep zgjidhje kësaj çështjeje. Praktikisht gara duket se është e tillë vetëm në letër, pasi kompanitë e tjera përveç “Fushës” nuk do mund të plotësojnë të gjitha kriteret. Dekreti i dytë i Presidentit për Teatrin do të rrëzohej nga mazhoranca socialiste.

Tahiri dhe Babalja, protesta e 26 majit
Opozita e kishte kthyer betejën në dy fronte në akuza ndaj kryeministrit se po mbronte ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për mos nxjerrjen përpara drejtësisë sa i përket akuzave të ngritura për bashkëpunim me bandën e Habilajve, ku ish deputeti i PS-së kishte lidhje faresfinore. Pas dhjetëra qëndrimesh nga ana e opozitës, Tahiri do të dorëzonte mandatin e deputetit të PS-së, për t’i hapur rrugë drejtësisë për t’u hetuar.

Letra e Tahirit për dorëzimin e mandatit të deputetit

“Unë drejtësinë do ta kërkoj dhe do ta pres në gjykatë. Më akuzon Lulzim Basha, kllouni i politikës që vodhi dhe nuk u gjykua kurrë. Vrau katër qytetarë të pafajshëm dhe kurrë nuk u hetua dhe nuk u gjykua. Më akuzon Sali Berisha, ndërkohë që vetë janë pas murit të pandëshkueshmërisë, për vrasje, vjedhje plaçkitje të Shqipërisë. Më akuzojnë Monika dhe Iliri që Zoti e di se nga do t’i kapësh nuk ka ujë të shenjtë që mund të ua heqë njollën që kanë”, do të deklaronte Tahiri.

Pas kësaj beteje, opozita do të publikonte një audiopërgjimin në të cilën pretendohej se bëheshin pazare droge ndërmjet Geron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, me Albert Veliun apo i njohur ndryshe me pseudonimin“Babalja”. Audiopërgjimi u bë publik nga selia e PD-së, nga vetë kryedemokrati Lulzim Basha. Ndërsa i menjëhershëm do të ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama se ky audiopërgjim ishte një montim. Por opozita duke kërkuar largimin e menjëhershëm të ministrit Xhafaj shpalli protestën e 26 majit, si lëvizje të radhës. Kjo protestë, e cila u zhvillua e qetë, veç disa incidenteve të vogla, të ndodhura gjatë zhvendosjes së protestuesve te ministria e Brendshme, të cilët u udhëzuan nga kryedemokrati që të largoheshin nga kryeministria dhe të rrethonin institucionin që drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Deputetët e PD duke publikuar audiopërgjimin për Geron Xhafajn, vëllain e ish-ministrit, Fatmir Xhafaj

Por pavarësisht kësaj proteste, Xhafaj nuk u largua nga posti i ministrit. Madje kryeministri nxori në skenë edhe një akuzë të fortë, duke aluduar për një konspiracion për rrëzimin e tij. “Të jeni të bindur që shqiptarët do ta mësojnë nga A të ZH, jo me institucione, me emra dhe me mbiemra kush është përfshirë në këtë konspiracion për rrëzimin e qeverisë, se i tillë është”, do të deklaronte Rama në konferencën për shtyp të 9 tetorit 2018.

Largimi i Xhafajt, konflikti i Ramës me Metën
Por mbrojtja e ministrit Xhafaj nga Rama nuk do të zgjaste pafund, pasi të shtunën e 26 tetorit, kryeministri do të lajmëronte largimin nga posti i ministrit të Brendshëm dhe në vend të tij caktimin e gjeneral Sandër Lleshajt.
“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falënderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, do të paralajmëronte Rama nëpërmjet rrjeteve sociale.

Postimi i kryeministrit në Twitter për largimin e Xhafajt dhe propozimin e Lleshajt si ministër


Ikja e njeriut më të fuqishëm brenda qeverisë do të ngrinte edhe aludime se kjo kishte ardhur nga fakti i arrestimeve të fundit, ku në mes të tyre do të ishin edhe dy ish-deputetët e PS-së, Arben Ndoka dhe Arben Çuko.

Ndërsa me këtë lëvizje do të niste një luftë e re ndërmjet Kryeministrit edhe Presidentit sa i përket çështjes së dekretimit të Sandër Lleshajt. Presidenti firmosi menjëherë dekretin për shkarkimin e Xhafajt, por mbajti pezull vendimin për Lleshajn. Arsyeja ishte se gjenerali i propozuar nuk ishte liruar nga detyra si ushtarak dhe kjo përbënte shkakun se kreu i shtetit e shihte si një përplasje me Kushtetutën.

“Presidenti nuk ka krijuar bindje për të dekretuar z.Sandër Lleshajn në postin e ministrit të Brendshëm”, do të ishte ky qëndrimi i Presidencës më 3 nëntor në ditën e skadimit të afatit. Të nesërmen, kryeministri do të “vraponte” drejt Presidencës për të zhvilluar një konsultë 90 minutëshe me Metën. Një takim që u cilësua si i frytshëm nga kryeministria, por që nga presidenca u bë qartë se mes dy drejtuesve të lartë të shtetit kishte pasur ndasi të dukshme sa i përket emërimit të Lleshajt.

Beteja mes dy institucioneve do të vazhdonte, ndërsa kryeministri do të deklaronte në mbledhjen e grupit parlamentar se do të riparaqiste sërish kandidaturën e Lleshajt drejt presidencës, si një tentativë e dytë për ta futur Metën në rrugën kushtetuese. Ndërsa si kundërpërgjigje shihej dhe veprimi i radhës i emërimit të Lleshajt si zv.ministër, duke paralajmëruar se mund ta linte dikasterin më të rëndësishëm në Shqipëri pa titullarin kryesor, ministrin. Madje Rama nxitoi ta prezantonte dhe në ministrinë e Brendshme, zv.ministrin Lleshaj.

Rama gjatë prezantimit të Lleshaj në Ministrinë e Brendshme

Ngërçi institucional i krijuar futi në lojë edhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, i cili nisi betejën e shuarjes së këtij konflikti. Në tavolinë më pas dolën edhe çështjet e mbetura pezull siç ishte ajo e emërimit të kreut të SHISH, Helidon Bendo, i cili qëndronte prej një viti në tryezën e Metës, si dhe emërimi i kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, propozim që i paraqitet për votim Parlamentit nga Presidenca. Kur po i afrohej ditës së mbarimit të afatit 7 ditor për t’u shprehur, Presidenti prezantoi shkakun që nuk e firmos, pasi Lleshaj ishte ushtarak në detyrë. Ndërsa Rama do t’i propozonte si zgjidhje me anë të letrave që ndërmerrte dy hapa, lirimin si ushtarak dhe më pas dekretimin e Lleshajt si ministër.

Një propozim që do të qëndronte pezull derisa sa në zyrën e Presidentit i shkoi kërkesa e ministres së Mbrojtjes për të nxjerrë në lirim Lleshajn dhe më pas për ta dekretuar atë në postin e ministrit të Brendshëm.
Ndërsa lufta institucionale mes presidentit dhe kryeministrit (mazhorancës) do të vijonte, duke bërë që PS të rrëzonte dekretin për emërimin e Vitore Tushajt si kren i KLSH-së.

Protesta e studentëve që rrëzoi qeverinë politike

Kur konflikti institucional i nëntorit dukej se do të mbyllte vitin e trazuar të 2018-ës, dhjetori do të shënonte dhe kulmin e pakënaqësisë ndaj qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Nëpërmjet rrjeteve sociale, ashtu siç ndodhi me çështjen e armëve kimike 6 vite më parë, do të paralajmërohej një protestë e studentëve. Në fillim Dhjetori studentët do të protestonin ndaj vendimit të qeverisë për përcaktimin e tarifave shtesë për kreditit për provimet mbartëse. Fillimisht kjo protestë do të merrej lehtë nga kryeministri, i cili mendonte se prapa kësaj lëvizje qëndronte opozita.
Reagimi i studentëve do të bëhej edhe më i fuqishëm, ndërsa do të rrethonin ministrinë e Arsimit, duke refuzuar ndërkohë çdo dialog me kryeministrin apo me ministren. Për ta kryesore ishte plotësimi i tetë pikave bazë, që tashmë përbënin kushtet e vetëm për t’u plotësuar dhe të panegociueshëm.

Protesta e studentëve para ministrisë së Arsimit

Pas refuzimit të ministres Nikolla, kryeministri do të merrte të njëjtën përgjigje ndaj kërkesës për të dialoguar me plotësimin e tetë kërkesave. Përgjysmimi i tarifave në sistemin bachelor dhe master, rritja e buxhetit të shtetit për arsimin, përmirësimi i infrastrukturës dhe kushteve në universitete dhe në konvikte janë disa nga kërkesat zyrtare të studentëve ndaj qeverisë.
Në skenë dolën edhe komunikimet nëpërmjet rrjeteve sociale, ku pati shpërthime të “Memeve”, duke ironizuar kryeministrin, i cili ishte në pritje të dialogut. Ndërsa vetë Rama do të vepronte me “Memet” e tij në rrjetin Instagram për t’i bërë thirrje studentëve se “Kur do të flasim?”.

Meme e postuar gjate protestes

Protesta do të kishte më pas zhvendosje drejt Kryeministrisë, nga ana e tij Rama si kundërpërgjigje ndaj refuzimit për dialog, do të ndërmerrte takime me studentë nëpër auditorë, ku shpeshherë do të kishte dhe përplasje dhe largime nga salla të të rinjve. Të tilla ishin largimet e studentëve në universitetin e Vlorës, në qytetin ku kryeministri është deputet dhe shihet si bastioni i së majtës, apo në takimi me studentët e fakultetit ku dikur kishte dhënë mësim si pedagog viteve më parë, e që përkonte me dhjetorin e parë të studentëve të viteve ’90.

Kjo protestë do të mbështetej edhe nga opozita, e cila kërkonte plotësimin e kërkesave. LSI-ja do të paraqiste amendamentin për të ndryshuar ligjin e “Arsimit të Lartë. Ndërsa presidenti Meta do të kthente mbrapsht dekretin për buxhetin e Shtetit, me qëllim për t’i dhënë mundësi plotësimit të kërkesës së studentëve për rritjen e fondeve për Arsimin. Një kërkesë që u rrëzua me vota nga mazhoranca socialiste.

Seanca e Parlamentit që do të rikthente opozitën në fund dhjetori do të zhvillohej tejet e tensionuar. Kryeministri do të goditej me vezë nga ana e demokratit Endi Hasa, një akt që solli tension mes mazhorancës dhe opozitës.

Rama ne momentin e goditjes me vezë nga deputeti demokrat Hasa

Në ditën e 16-të të protestës, studentë stopuan daljen përpara kryeministrisë, duke i dhënë afat Qeverisë për t’i miratuar 8 kërkesat.
Rama do dilte në një konferencë për shtyp më 26 dhjetor për të shpallur vendimet e qeverisë si plotësim i kërkesave të studentëve. Kryeministri shpalli 11 VKM dhe 4 urdhrave që sipas tij synojnë plotësimin e kërkesave të studentëve. Por këto vendime duket se nuk kënaqin studentët, pasi ato kanë paralajmëruar se do të nisin protestat më 7 janar.
Shuplakat e dhëna nga studentët, kryeministri do t’i përkthente në ndryshim drastike të qeverisë, duke bërë që të rrëzojë ministrat puro politik dhe në vend të tyre, në postet më të rëndësishme të caktojë njerëz teknik.
Ndryshimet i shpalli më 28 dhjetor në Asamblenë e PS-së, duke e mbyllur këtë vit të trazuar me largimin e disa prej ministrave që kishin 5 vite në detyrë dhe që ishin më të sulmuarit nga ana e opozitës. Nga forumi më i lartë i PS-së, Asambleja Kombëtare, do të shpallte largimet e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, të ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati; të ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi, si dhe të ministreve së Arsimit dhe të Kulturës, Lindita Nikolla dhe Mirela Kumbaro.

Si lëvizje largimeve në qeveri do të ishin jo vetëm ministrat që kishin 5 vite në detyrë, por edhe të zëvendëskryeministres Senida Mesi dhe të ministres së shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato, të cilat nuk kishin asnjë vit që mban këtë detyrë. Vetëm katër emra politike përfshiu Rama në qeveri, Erjon Braçe si zëvendëskryeministër, si dhe Eduard Shalsin, ministër shteti pa portofol, Elisa Spiropali ministre e Shtetit pa portofol për Marrëdhënien me Parlamentin, si dhe Bledi Çuçi ministër i Bujqësisë. Në dikasteret më të rëndësishme u caktuan njerëz teknik.

Kështu ministër i Jashtëm, i Ekonomisë dhe i Infrastrukturës u caktuan emra jo politik, njerëz që madje nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Socialiste. Po të llogarisësh dhe emërimin e një muaji më parë të Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm, kabineti aktual ka njerëz teknik në dikasteret kyçe, çka e kthen atë si qeveri mikse, mes figurave politike dhe atyre që mund të cilësohen si teknicienë.

2018-ta do të mbahet mend për konfliktet e shumta sociale si protesta e banorëve të Astirit, e studentëve, si dhe e konfliktit të ashpër politik, që kulmoi me bojkotin disamujor të Parlamentit. Të gjithë këto zhvillime dëshmojnë që viti i ardhshëm, si zgjedhor do të shoqërohet më me shumë konflikte, edhe pse votimet 30 qershorit do të jenë për 61 bashkitë dhe jo të përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë