Me një foto të pazakontë që shoqëron komentin në Facebook , ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, thotë se PD-së i janë ngulur thika pas shpine.
Duke filluar, sipas tij, nga kryetari aktual Lulzim Basha.
“Misioni që i është ngarkuar L. Bashës prej pushtetit më të korruptuar e të inkriminuar në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, është projekti më kriminal anti PD e anti demokratik që prej atij të tentuar në 1997 !
PD është një prej institucioneve kryesore të shoqërisë shqiptare, është një mekanizëm i domosdoshëm që sistemi politik të funksionojë normalisht, është mundësia për të pasur alternativën e një modeli tjetër qeverisës.
Të kapësh e të mbash peng, përmes metodave gangsterriste, pushtetin dhe proçesin vendimmarrës mbi Partinë Demokratike, për t’i shërbyer projektit antishqiptar të asgjesimit të alternativës qeverisëse, është po aq kriminale sa korrupsioni, kriminaliteti, shkatërrimi i institucioneve, varfërimi i shqiptarëve, prej qeverisjes”, shkruan Nishani.
Sipas tij, teza se Bashën e detyruan SHBA për ta përjashtuar Sali Berishën nga PD “është krejtësisht spekulative dhe fasada majtiste për të mbuluar projektin e asgjesimit të PD”.
Nishani sjelle në vëmendje edhe dy kërkesa të tjera të forta amerikane ndaj PD-së për të mos djegur mandatet dhe për të mos bojkotuar zgjedhjet porse asnjëra nuk u pranua nga Basha.
“Megjithëse ato ishin vendime e akte që minonin rëndë demokracinë në këtë vend, L. Basha i shpërfilli kërkesat amerikane në ato raste sepse i duhej të plotësonte interesat politike të Edi Ramës që ky të kapte e kontrollonte çdo qelizë e pushtet absolut të sistemit politik në Shqipëri!
Projekti antishqiptar i dyshes Rama-Basha, për asgjesimin e PD është sfida më e madhe për shoqërinë sot, është beteja më e madhe politike për ti shërbyer të nesërmes së Shqipërisë”, shkruan ish-Presidenti Nishani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.