Politike

Sesioni i ri parlamentar, opozita sulmon ministrat e rinj

Sesioni i ri parlamentar ka nisur zyrtarisht pasditen e kësaj të hënë, pas pushimit trejavor me rastin e festave të fundvitit.

Në nisje të sesionit, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi bëri apel që opozita të jetë prezente në Parlament, jo vetëm për të prodhuar “show” me vezë, por për të debatuar për çështje të rëndësishme mbi të ardhmen e Shqipërisë.

Ndërkohë opozita në fjalën e saj ka sulmuar ministrat e rinj. Si kreu i PD-së Basha, ashtu edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, kanë akuzuar mazhorancën se ka shkatërruar sistemin e drejtësisë, deri te Gjykaata Kushtetuese.

Lulzim Basha nuk la pa atakuar edhe ministrat e rinj të kabinetit qeveritar. Në këtë pjesë ai iu drejtua deputetëve socialistë në sallë nëse i njihnin ministrat e rinj.

“Ja ku i keni, i njihni? Çfarë kanë bërë për ta merituar atë vend aty? Janë kukullat e këtij këtu (Kryeministrit)”, tha Basha. Pjesë e fjalës së Bashës ishin edhe koncensionet, që sipas tij janë aferë e pastër korruptive.

Ndërkohë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, që në nisje të fjalës së saj ka sulmuar kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe qeverinë lidhur me çështjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Kryemadhi argumentoi se negociatat mbahen peng pasi kryeministri i “Rilindjes” nuk do dhe nuk ofron dialog me opozitën.

Më pas, Kryemadhi ju drejtua ministres së re të Infratsrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku duke i thënë se kryeministri Rama do të marrë më qafë si Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri.

“Belinda mos dëgjo çfarë thotë ky se do të marri më qafë siç mori Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin. Beni do mbajë përgjegjësi për lavatriçen e parave që është kthyer Shqipëria. Do të zbulohet edhe firma indiane që iu dhanë panelet nga Damiani”, tha Kryemadhi.

Por, kryetarja e LSI nxori detaje që sipas saj fshihen pas shkarkimit të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Kryemadhi tha se ka pasur një telefonatë kërcënues ndaj Xhafajt, ku i kanë kërkuar lirimin e bandës së Abdylajve, ndryshe do të dilnin në shesh përgjimet e Edi Ramës me grupin nga Shijaku.

“Beni të dua shumë, por do të marrë më qafë siç të mori… Të morri firmën dhe të shkarkoi siç hoqi ministrin e Brendshëm, që arrestoi grupin e Shijakut dhe e mori Vangjush Dako në telefon i tha hiqe firmën se do të hap librin dhe defterin e të dhënave të përgjimeve të Edi Ramës në Shijak”, deklaroi Kryemadhi.

 

Më Shumë