Politike

Nis programi kredi pa interes / Ushtarakët dhe policët, kartë për të blerë ushqime me çmime të ulëta

Nga Gazeta 'SI' - Nga sot, 300 punonjës të policisë, mbrojtjes e shëndetësisë do të mund të përfitojnë kredi me 0% interes, në kuadër të programit të iniciuar nga qeveria Rama.

Ministri i Financave Ervin Mete dha lajmin, duke treguar se familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit mund të përfitojnë nga ky program, ndërsa interesi do të paguhet nga shteti.

Ministri bëri me dije se fituesit janë shpallur sipas procedurave dhe kritereve përzgjedhëse, pas administrimit të një numri të konsiderueshëm kërkesash.  Ndërsa shtoi se ky program do të shtrihet edhe vitin tjetër, ku synohet edhe zgjerimi i përfituesve dhe kategorive.

“Kjo mbështetje që jepet sot për ju, në formën e kredive me zero interes, është shprehje e detyrimit tonë që momentin e mirë ekonomik që po kalon vendi, pasi është përballur me një sërë krizash, ta përkthejmë në më tepër solidaritet dhe një rishpërndarje edhe më të drejtë në funksion të mirëqënies së qytetarëve. Ky është një program, i aplikuar për herë të parë këtë vit, mundësuar përmes ndryshimeve të posaçme ligjore, administruar online në e-Albania, si një zgjerim i programeve të strehimit, duke mundësuar në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë kredi të lehtësuara, interesi i së cilave subvencionohet tërësisht nga buxheti i shtetit” tha ministri Mete, duke njoftuar se i njëjti program do të aplikohet edhe në 2024-n. .

Fjalën e mori edhe kryeministri Edi Rama i cili njoftoi një tjetër lehtësim për policët dhe ushtarakët , duke thënë se do të pajisen me një kartë, e cila do t'u mundësojë që të blejnë ushqime me çmime më të reduktuara. Do të jetë një listë me supermarkete ku mund të përdoret kjo kartë.

"Punonjësit e policisë do të marrin kartën dhe me atë shumë që do u derdhet do të blejnë ushqime, madje më lirë, sepse ministri i Brendshëm Taulant Balla ka bërë negociata me supermarketet që kush shkon me kartën e punonjësit e policisë do t’i blejë më lirë. Por, të jeni të sigurt se viti po mbyllet dhe vit i ri po vjen, s’keni parë gjë akoma", tha kryeministri. 

Kreu i qeverisë u ndal tek mjekët dhe protesta e studentëve të mjekësisë duke thënë se qeveria nuk do të financojë falas studimet e tyre që më pas të ikin në Gjermani.

"E paimagjinueshme që studentë të mjekësisë të refuzojnë, madje të bëjnë dhe protesta që t’ia kthejnë këtij vendi dhe këtij populli këtë investim shumë të madh. Qeveria financon studimin e mjekëve për të shërbyer për shëndetin publik të Shqipërisë, jo për t’i shërbyer Gjermanisë. Nëse dikush nuk dëshiron ta marrë në konsideratë detyrimin, human, profesional, patriotik, që për disa vite të shërbejnë në Shqipëri dhe t’ia kthejë investimin këtij populli, duhet të paguajë tarifën e plotë dhe pastaj të shkojë ku të dojë. Tarifa e plotë nuk është ajo e vërteta përsëri" tha Rama. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë