Libra

Nis edicioni i 25-të i Panairit të Librit në Tiranë, rreth 100 shtëpi botuese

Panairi i Librit hapi siparin ditën e sotme në edicionin e tij të 25-të.

Nën moton “Të gjithë jemi lexues”, më shumë se 97 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi do promovojnë librat e tyre.

Në ceremoninë e çeljes, kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, rikujtoi rrugëtimin e kësaj feste të librit përgjatë 25 viteve.

“Ishte viti 1998 kur panairi i librit është mbajtur për herë të parë si ngjarje artistike. Kohët e vështira në të cilat kaloi shoqëria shqiptare nuk e penguan asnjë vit festën e librit, duke u shndërruar prej 25 vitesh ndër më të veçantat e nëntorit pas ditës së flamurit dhe asaj të çlirimit”, tha ai. 

Ymeri shtoi se ndonëse ka një bashkëpunim të hershëm me Ministrinë e Kulturës, 5 ditë në Pallatin e Kongreseve në emër të librit nuk mjaftojnë për ta çuar atë deri te shkollat. Ndaj edhe kërkoi bashkëpunim për të fituar lexuesin e së ardhmes, të vegjlit sot.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se pavarësisht se shumë aktivitete gjatë pandemisë u sfumuan, Panairi dhe takimi me librin mbetën gjithmonë të përhershëm.

“Vit pas viti gjithmonë e më shumë motoja ‘të gjithë jemi lexues’ mbetet jo thjesht më një fjali që ne shkëmbejmë me dëshirën që kjo të jetë e vërtetë, por është e vërtetë. Po ta shohim sot kemi kaq shumë të rinj dhe të reja, kaq shumë fëmijë, kaq shumë studentë që na treguan që jo vetëm kemi shpresë, por është një realitet i prekshëm”, shtoi ajo.

Panairi do jetë i hapur deri mbrëmjen e së dielës(20 nëntor), ku për 5 ditë do ketë aktivitete të ndryshme dhe diskutime rreth librave, për t’u finalizuar me ndarjen e çmimeve letrare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë