Treg

Nis aplikimi për koduesit e rinj, qeveria mbulon deri në 100% të kostove për të papunët

Nga Gazeta ‘SI’ - Qeveria ka hapur aplikimet për të rinjtë që duan një formim profesional në programet e kodimit, me 50 deri në 100% financim të vlerës së kursit. Sipas kushteve, 50% financon aplikuesit që janë të punësuar dhe 100% të papunët.

Nisja e aplikimeve e njoftuar nga Ministria e Financës dhe Agjencia e Punësimit do të bëhet nga e-albania, në një faqe dedikuar kurseve të formimit profesional me termin “Aplikim” nga ku më pas mund të zgjidhen preferencat.

Kjo nismë është pjesë e programit të punës dhe aftësimit për të rinjtë, që synon përgatitjen e tyre për tregun e punës duke i mbështetur financiarisht dhe duke i siguruar më vonë vende pune.

Sipas një deklarate të mëhershme të ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, fokusi kryesor do të ishte pikërisht kodimi dhe IT, si kërkesë kryesore e sektorit privat dhe shtetëror për forcë pune të kualifikuar në këto fusha.

Ajo shtoi se programe të tilla i japin mundësi të rinjve për të vepruar në vendin e tyre dhe për të mos emigruar.

Kodimi është po ashtu lënda që është parashikuar të futet në programin mësimor të klasave të para në vend, fillimisht në disa shkolla të përzgjedhura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë