Politike

Nikolla pret Sorecan: Do të lehtësoj dialogun me opozitën. Ambasadori: Keni plotësuar kushtet për negociatat

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti në një takim ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca. Në këtë takim, Nikolla u zotua se do të kontribuojë për të thelluar bashkëpunimin e institucionit që drejton me përfaqësinë e BE në Tiranë dhe për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut me opozitën.

“Unë jam e përkushtuar për të krijuar një klimë të re bashkëpunimi e komunikimi në Kuvendin e Shqipërisë. Integrimi europian do të jetë në krye të agjendës së Kuvendit të Shqipërisë gjatë legjislaturës së re. Kam besim se për të gjithë këto punë të mëdha që na presin, do të kemi edhe bashkëpunimin e opozitës dhe unë do të jem lehtësuesja e dialogut dhe komunikimit në Kuvend”, tha kryetarja e Kuvendit.

Ambasadori i BE përsëriti qëndrimin se Shqipëria ka plotësuar kushtet për hapjen formale të negociatave të anëtarësimit.

“Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e negociatave, BE është shumë e vendosur për fillimin e tyre dhe Delegacioni do të kontribuojë që Tryeza e Parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë