Mjedis

Ngrohja globale, kompanitë ndotëse do të paditen për shkelje të të drejtave të njeriut

Kompanitë që ndotin ambientin mund të paditen për kontributet e tyre në ngrohjen globale. Kreu i panelit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Filipine, i cili ka hetuar ndryshimin e klimës për tre vjet, zbuloi se firmat e mëdha të karburanteve fosile mund të jenë ligjërisht përgjegjës, për ndikimet e emetimeve të karbonit.
Lajmi u bë me dije nga komisioneri Roberto Cadiz gjatë bisedimeve ndërkombëtare për klimën në Madrid. Komisioni është ngarkuar në vitin 2016 nga Greenpeace, një organizatë joqeveritare mjedisore, por edhe grupe të tjera mjedisore, me hetimin nëse firmat e mëdha të karburantit fosil në botë po shkelin të drejtat e njerëzve. Komisioni mbajti seanca dëgjimore në Manila, Nju Jork dhe Londër ku dëgjoi nga shkencëtarët, avokatët dhe njerëzit që kishin vuajtur për shkak të ndryshimeve klimaterike.

Aktivistë të ndryshëm për mbrojtjen e klimës

Një raport i fundit, ka treguar se këto kompani kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të ndryshuar veprimtarinë e tyre, duke u zhvendosur nga karburantet fosile në investimin në burime të pastra energjie. Drejtori i "Greenpeace" në Azinë Jug-Lindore, Yeb Sano tha se gjetjet janë tepër të rëndësishme, për një fitore të popullatës ndaj ndryshimeve klimaterike
Ai vuri në dukje gjithashtu se tashmë janë ngritur shumë çështje për sa i përket mbrojtjes së klimës në gjykata të ndryshme të botës dhe me përfundimin e hetimit të tyre, ai beson se shumë komunitete do të kenë një qëndrim kundër këtyre kompanive që marrin shumë përfitime në kurriz të klimës.
ExxonMobil, për shembull, një nga firmat më të mëdha në botë të naftës dhe gazit, është përballur me sfida të shumta ligjore nga Shtetet e Bashkuara, ku paditësit pretendojnë se kompania mashtron publikun mbi rreziqet reale që ajo paraqet për klimën.
Në shtator, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet e përshkroi krizën e klimës si një "kërcënim për të drejtat e njeriut” dhe tha që asnjë vend ose institucion nuk mund ta neglizhojë këtë fakt. Të martën e kaluar, një grup të rinjsh përfshirë edhe aktivisten suedeze Greta Thunberg, i drejtuan një letër kryeministrave të Norvegjisë dhe Kanadasë, ku i akuzonin ata se shkelnin të drejtat e fëmijëve, duke mbështetur zhvillimet e reja në industrinë e naftës dhe të gazit.
Ata kishin parashtruar tashmë një peticion në Komitetin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve në Shtator, duke thënë se Argjentina, Brazili, Franca, Gjermania dhe Turqia po e përkeqësojnë krizën e klimës, duke mos arritur dot të frenojnë emetimet e gazrave serrë në atmosferë dhe duke vazhduar të promovojnë karburantet fosile. /The Independent/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë