Lajme

Ngritja e SPAK, Ibrahimi: Pranë finalizimit me numër minimal prokurorësh

Kreu i Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka folur sot për mediat lidhur me ecurinë e SPAK, duke treguar edhe detaje për ngritjen e Prokurorisë Speciale.
Ibrahimi bëri me dije se ngritja e SPAK është pranë finalizimit dhe se në garë janë 15 kandidatë, por do të diskutohet nëse SPAK mund të ngrihet me një numër minimal prokurorësh.
“Ne kemi diskutuar dhe më herët që numri mund të jetë dhe më i paktë. Këtë sezon shpresojmë ta finalizojmë SPAK. Ne do diskutojmë se cili do jetë numri minimal që mund të ngremë SPAK”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Ibrahimi tha se në sezonin e ri, KLP do të finalizojë procesin e SPAK dhe pritet vetëm procesi i vettingut i kandidatëve.
“Ne sot nisim sezonin e ri të punës të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pa dyshim që në fillim të këtij sezoni shpresojmë të finalizojmë procesin afatgjatë të ndërtimit të Prokurorisë së Posaçme. Ne në këtë moment, nga ai grup prej 15 prokurorësh që kemi përzgjedhur si kandidatë për në SPAK presim verifikimin e kushtit të fundit që është kalimi prej tyre i procesit të vettingut. 5 prej tyre e kanë kaluar plotësisht dhe mund të emërohen çdo çast nga ana jonë, sidoqoftë ne presim një numër të arsyeshëm. Se çfarë është ky numër i arsyeshëm do të jetë vendim i Këshillit”, deklaroi Ibrahimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë