Mjedis

Ngordhja e kafshëve nga përmbytjet, eksperti Moka: Në rrezik zinxhiri ushqimor, masa urgjente për largimin e tyre

Gazeta Si - Përveç dëmeve materiale, në zonat e përmbytura në Shqipëri, risku më i madh duket se do të jetë ngordhja e kafshëve dhe shpendëve.

Ndonëse nuk ka asnjë informacion në lidhje me shëndetin e kafshëve në këto zona, eksperti veterinar Gani Moka thotë se pas ngordhjes, rreziku më i madh është përhapja e mikrobeve që gjendet në brendësi të trupit të kafshës.

Gani Moka

“Mikrobet që dalin nga trupi pas kalbëzimit të trupit të shpendit a kafshës bëhen burim infeksioni për kafshët e tjera të gjalla ndaj duhet treguar kujdes i shtuar dhe ndërhyrje e menjëhershme për të parandaluar përhapjen e infeksionit”, thotë për Gazetasi.al eksperti Moka.

Sipas tij, i takon Autoriteteve Veterinare, që të eliminohen sa të jetë e mundur risqet nga kafshët e ngordhura të cilët mund të kenë  sëmundje.

“Duhet urgjentisht të mblidhen kafshët e ngordhura nga përmbytjet, të groposen sipas një procedure të AKU, AKVBM (Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve) me qëllim reduktimin në maksimum të këtij rreziku.

I pyetur nga Gazetasi.al, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, thotë se nga informacionet e drejtorisë rajonale të AKVMB, janë marrë masat për grumbullimin dhe groposjen e rreth 30 krerëve bagëti e imët në fshatin Kuç.

“Nga inspektoriati rajonal veterinar si dhe nga njësitë administrative, raportohet që nuk kemi kafshë të ngordhura si pasojë e përmbytjeve”, thotë Spahia.

Ndërsa në një komunikim zyrtar të saj, institucioni i AKVMB, njofton se deri më tani nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje në ferma blegtorale apo sipërfaqe të mbjella bujqësore.

“Kontrollet e veterinerëve dhe agronomëve tanë janë të përqendruar më së shumti në zonat e vlerësuara me risk nga përmbytjet”, shkruan AKVMB duke lënë edhe një numër kontakti në rast nevoje.

“Për të kërkuar ndihmë, mund të kontaktoni në numrin e gjelbër 08003366 ose në faqen e akvmb.gov.al”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë