Futboll

Ngërçi me bojkotin e kampionatit, disa klube dalin kundër Ligës

Çështja e ditës në futbollin shqiptar është bojkoti i kampionatit, i kërkuar nga Liga Profesioniste dhe i miratuar nga Komitetit Ekzekutiv i FSHF-së. Për momentin është një situatë e paqartë, ka jo pak konfuzion dhe nuk dihet sa do të zgjatë ky bojkot, për më tepër që në radhët e Ligës kanë nisur të dalin zërat e parë kundër.

FSHF-ja nuk mund ta bojkotojë garën, sepse është vetë ajo që e organizon, ndaj dhe në skenë ka dalë Liga. Pas reagimit të Kryeministrit Edi Rama, i cili foli për futboll informal, por gjithsesi u shpreh i hapur për negociata, Liga e rriti edhe më shumë presionin. Thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të shtunën që shkoi, ku përcaktoi edhe tre negociatorët me qeverinë për 4 kërkesat e tyre. Mes këtyre ishte edhe presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, i cili nuk është dakord që ai dhe dy presidentët e tjerë të Superiores, Refik Halili i Tiranës dhe Gaz Demi i Partizanit, të negociojnë me Fidel Yllin, deputetin e ngarkuar nga kryeministri për këtë çështje, duke qenë njeri i sportit.

Safet Gjici, presidenti i Kukësit. Gazeta Si, 15 shtator 2020

Ka shumë njerëz të sportit që mendojnë se situata po përdoret politikisht dhe presidenti i Kukësit, Safet Gjici, e tha publikisht në një lidhje direkt me “Procesin Sportiv”, ku u shpreh. “Ne duam zgjidhjen e situatës dhe nuk ka pse të mos negociojmë me z.Ylli. Koço Kokëdhima po e përdor bojkotin politikisht dhe për këtë gjë nuk jam dakord. Vendosëm të gjitha bashkë që të kërkojmë zgjidhjen e disa kërkesave nga qeveria, por ato zgjidhen duke diskutuar”, theksoi Gjici. Mësohet se kundër bojkotit janë edhe drejtues të tjerë klubesh.

Një çështje më vete është se sa të realizueshme janë kërkesat e Ligës, por së pari palët duhet të ulen në tryezë. Artan Shyti, drejtori i përgjithshëm i Teutës që e njeh mirë këtë fushë, është po ashtu kundër bojkotit. Ai gjykon se bojkoti nuk është vendim i Ligës, por i FSHF-së. “Liga duhet të gjenerojë para, jo të bojkotojë. Mund ta bënin prezent në forma të tjera problemin, kjo është forma më e papërshtatshme për t’u prezantuar. Nëse do të zgjidheshim problemet me bojkot, do të mbyllej bojkoti pas dy vitesh.

Artan Shyti, drejtori i përgjithshëm i Teutës. Gazeta Si, 15 shtator 2020

Edhe kërkesa me përqindjet e sponsorizimit është në ajër. Ligji thotë të kundërtën e asaj që pretendon federata, ai që sponsorizon nuk ka të drejtë të përfitojë nga ligji i sponsorizimit. Klubet duhet të lexojnë ligjin aktual. Këta duan para sot, jo ndryshim ligjor. Për mua, nuk dinë ta kërkojnë atë që duan, baza është ligjore është me probleme. Nuk zgjidhet që Liga të kërkojë leje në federata, nuk është vendim i Ligës, është i Komiteti Ekzekutiv të FSHF-së. Baza ligjore duhet të jetë që jo 48 kryetarë bashkish të jenë në FSHF dhe bashkitë japin para. Si mund të hapësh luftë me qeverinë, kur pushteti lokal të mban 70% të futbollit?” – tha Shyti.

Deputeti Fidel Ylli pret përfaqësinë e Ligës për t’u ulur në bisedime, ndërsa grupi negociator kërkon të takohet direkt me kryeministrin Rama. Tani njëra palë duhet të hapë rrugë për të zgjidhur ngërçin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë