Lajme

Ngacmuan vajzat e Ekonomikut në leksion, sherr mes studentëve dhe një grupi të rinjsh

Një sherr mes disa të rinjve ka ndodhur pasditen e djeshme në Qytet Studenti, me pasojë plagosjen e tre personave.
Mësohet se ngjarja është shënuar rreth orës 17:20, në ish-mensën e Qytetit Studenti, ku viti i tretë i Financës po zhvillonte leksion.
Dy djem të paidentifikuar ende, kanë hyrë në një orë mësimi dhe pedagogia që po jepte leksion në ato momente, duke mos i njohur që nuk ishin studentë të grupit, i ka pranuar në mësim.
Por këta të fundit kanë nisur të ngacmojnë disa nga vajzat e kursit. Mësohet se studentet e Ekonomikut u kanë dalë në mbrojtje, duke u përfshirë fillimisht në konflikt verbal me të rinjtë që nuk ishin pjesë e Fakultetit Ekonomik.
Kur ka mbaruar mësimi, studentët kanë dalë jashtë për t’u larguar nga ish-mensa, por janë konfrontuar me dy djemtë, të cilët kishin thirrur për mbështetje edhe shokët e tyre.
Për pasojë, nga sherri kanë përfunduar në spital tre të rinj. Raportohet se mësimi i studentëve të Ekonomikut po zhvillohej tek ish-mensa e QS, pasi ambientet e fakultetit janë në rikonstruksion.

Lidhur me sherrin mes studentëve dhe të rinjve jostudentë, ka ardhur një reagim edhe nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule.
Ai theksoi se përplasja mes tyre ka ndodhur pasi ka mbaruar mësimi. Kule ka bërë thirrje ndaj strukturave të policisë që të zbardhin këtë akt vandal.
“Pasdite dje gjatë zhvillimet të mësimit, një pedagoge e fakultetit tonë më ka sqaruar se janë futur në leksion dy djem që nuk kanë qenë pjesë e klasës dhe janë ulur në fund të klasës. Këtë dy djem grindeshin me njërin nga djemtë e grupit dhe vetë grupi i studentëve i kanë kërkuar pedagoges që të nxirren jashtë. Pasi kanë mbaruar mësimin në ambiente jashtme të godinës ka ndodhur një grindje. Ne si dekanat kemi marrë masat në mënyrë që të sigurohemi që përmes policisë, që studentët të mos guxojë kush t’i godasë, brenda ambienteve jo e jo, por as jashtë në Qytetin Studenti. Ata që kanë guxuar të godasin studentët tanë duhet të përgjigjem patjetër para ligjit”, është shprehur dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule.
Po ashtu ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila hedh akuza ndaj qeverisë Rama.
Nuk mjafton degradimi dhe rrënimi progresiv që i është bërë Arsimit të Lartë në këto 6 vite qeverisje. Tani ai dhe dhunohet.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në Fakultetin Ekonomik, ku gangsterët me përkrahje politike, mësynë në auditorë e goditën studentët, dëshmon qartë braktisjen totale që i është bërë studentëve, në sigurinë e tyre për jetën dhe për procesin akademik, nga Rama e Shahini”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.
PD thotë se lidhur me këto pasiguri që qarkullojnë nëpër universitete, ka ndërmarrë turin e shpresës ku synimi janë të rinjtë.
“Ngjarja e sotme është fytyra e vërtetë e Paktit për Universitetin.
Ajo që ofron Rama për studentët e të rinjtë është dhuna, pasiguria, papunësia, cilësia skandaloze e diplomave, mungesa e shpresës dhe nxitja drejt braktisjes së vendit.
Jo më kot Partia Demokratike ka ndërmarrë këto ditë turin e shpresës, për të shpalosur vizionin e saj për një rini që mbështetet, vlerësohet e që ndërton të ardhmen në Shqipëri”, thuhet më tej në reagimin e PD-së.

Studentë dhe pedagogë ngrihen në protestë

Duke marrë shkas nga ngjarja e djeshme, sot pedagogët së bashku me disa studentë janë ngritur në protestë përpara ambienteve të Fakultetit të Ekonomikut, duke kërkuar që personat të identifikohen dhe të merren masa nga policia e shtetit për atë çka ka ndodhur. Pedagogët janë shprehur për mediat se ndjehen të frikësuar e nuk ndjehen të sigurt për të dhënë mësim, pranë ambienteve të fakultetit.
Ndërkohë një grup studentësh pak minuta më parë, kanë bërë me dije për Gazetën “Si” se nuk ishin të informuar as për ngjarjen dhe as për protestën e pedagogëve. Ndërsa, studentët e lënduar nuk kanë pranuar të flasin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë