Futboll

Nga Zidan te Konte, Juventusi nis kërkimet për pasuesin e Sarrit

Aventura e Mauricio Sarrit në stolin e Juventusit është drejt përfundimit. Eliminimi nga Liga e Kampionëve në 1/8-at nga Lionin, marrëdhënia e ftohtë me skuadrën dhe disa sjellje që nuk u kanë pëlqyer drejtuesve, e bëjnë të pamundur qëndrimin e trajnerit, i cili ishte i detyruar ta udhëhiqte Juventusin deri në gusht.

Në krahun e Sarrit është vetëm koha e limituar për të programuar sezonin 2020-21. Andrea Anjeli u shpreh pas ndeshjes me Lionin se klubi do të marrë pak kohë për të vendosur se çfarë do të bëjë, por realisht kanë nisur kërkimet për pasuesin e trajnerit aktual dhe rrethi i kandidatëve është i ngushtë.

Në krye të listës është një emër i njohur, Zinedin Zidan, i lakuar disa herë për stolin bardhezi gjatë viteve të fundit. Francezi është ëndrra e madhe e Anjelit, por edhe objektivi më i vështirë për t’u arritur. Në Torino flitet për një kontakt të parë dhe për një përgjigje të sjellshme të Zidan: “Jo, faleminderit!” Zizu është shumë i lidhur me Realin dhe e ka të vështirë të lërë Spanjën. Ndoshta eliminimi i madrilenëve nga Liga e Kampionëve mund të ketë ndryshuar diçka dhe Juventusi do të tentojë sërish ta bindë francezin.

Simone Inzagi, kandidat për stolin e Juventusit. Gazeta Si, 8 gusht 2020

Në linjën e dytë të kandidatëve është një tjetër njeri i dashur për presidentin Anjeli, Simone Inzagi. Para emërimit të Sarrit, numri 1 i Juventusit kishte dashur trajnerin e Lacios dhe ai mbetet një opsion i vlefshëm, ndoshta më i mundshmi, edhe pse Inzagi ka kontratë me bardhekaltrit dhe është e vështirë të lirohet nga “morsa” e Lotitos. Në këtë rast, ashtu si dhe për Zidan, koha do bëjë diferencën. Nëse Juventusi nuk mund të presë shumë, edhe Lacio nuk mund t’ia lejojë vetes të jetë pa trajner një muaj para nisjes së sezonit të ri.

Masimiliano Alegri është i lehtë për t’u arritur teorikisht, por ish-trajneri e ka bërë të qartë një vit më parë se kërkon një merkato të fuqishme. Sipas tij, grupi i lojtarëve është shumë i plakur dhe duhen blerë lojtarë të rinj. Bonuçi, Kielini dhe Bufon janë të lidhur fort me drejtuesit dhe për momentin konsiderohen të paprekshëm. Ndryshe është situata për Antonio Konten, një tjetër ish-trajner. Edhe pse i ka përgënjeshtruar zërat për kalimin te Juventusi, ai mund të kthehej me shumë dëshirë. Por për të është vetoja e Andrea Anjelit, i cili nuk e përtypi dot largimin polemizues të Kontes.

Andrea Pirlo, trajneri i Juventusit U-23, një tjetër kandidat. Gazeta Si, 8 gusht 2020

Alternativa të tjera janë tre. Në kokën e Anjelit është ideja Andrea Pirlo, të cilit jo rastësisht i është besuar Juventusi U-23. Në fakt, ideja është ajo e rinovimit total dhe presidenti bardhezi joshet nga projekti për të emëruar që tani trajnerin e së ardhmes. Nuk përjashtohet mundësia për Luçiano Spaletin, një trajner që Anjelit i ka pëlqyer gjithmonë dhe për të rruga është e hapur, pasi është pa kontratë. Dhe në fund kandidatura e Poketinos, edhe ai i lirë pas largimit nga Totenhemi. Por argjentinasi ka një faktor të rëndësishëm kundër, nuk e njeh nga afër kampionatin italian dhe do të kërkonte kohë që të adoptohej.
Burimi: Sportmediaset/ Përgatiti: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë