Ka ndodhur

Nga veriu në jug, përfshi Tiranën dhe Durrësin, i gjithë vendi është i mbuluar nga dëbora

Nga veriu në jug, përfshi Tiranën dhe Durrësin, i gjithë vendi është i mbuluar nga dëbora. Në Korçë reshjet e dëborës vijojnë. Të gjithë akset nacionale janë të hapur, por qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë në Qafë Thanë-Pogradec-Plloçë-Korçë-Kapshticë, si edhe në fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës.

Në Voskopojë e Dardhë dëbora kalon 40 cm, në njësinë Vithkuq fshati Shtyllë 70 cm, në Mashkullorë drejt Panaritit 1.5 m dëborë qarkullimi në këtë aks i paralizuar.

Në Mokër dëbora ka kaluar 50 cm dhe banorwt e fshatrave konunikojnë me njësitë vetëm me mjete të larta dhe zinxhirë.

Stuhia e dëborës ka përfshirë Elbasanin që nga mëngjesi i së shtunës, ndërsa në qytet trashësia ka arritur në 20 cm.

Një mot i tillë sipas të moshuarve nuk është parë në qytet të paktën prej 80 vitesh. Ndërkohë në fshatra trashësia e dëborën ka arritur në 50 cm.

Probleme kanë hasur drejtuesit e mjeteve edhe në akset nacionale. Për rreth 2 orë është bllokuar aksin nacional Elbasan-Librazhd për shkak të rrëshqitjes së disa mjeteve pa zinxhirë, të cilat më pas e kanë bërë të pamundur ndërhyrjen e borëpastrueseve.

Prej më shumë se 4 orësh aksi Lezhë – Milot është bllokuar si pasojë e ngricës dhe dëborës në rrugë. Radhët e gjata të makinave shkojnë në disa kilometra.

Ndërkohë sipas MeteoAlb, në jug dhe më tepër në juglindje, bora do të jetë prezente deri të dielën pas mesditës. Gjatë natës pritet që sipas zonave, bora të krijojë një shtresë prej 2-10 cm në qarqet Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat, ndërsa priten 25-40 cm borë në zonat malore veriore dhe 30-50 cm borë në zonat malore jugore dhe kryesisht në zonat juglindore. Temperaturat e ajrit do të ulen ndjeshëm nga ora në orë; mëngjesi i së dielës, përjashtuar skajin jugor, e gjen Shqipërinë në temperatura nga 0 në -16°C.

Orët e mesditës do të ulin temperaturat në vlera negative në pjesën më të madhe të vendit deri në -7°C maksimumi i së dielës në zonat veriore dhe lindore të vendit, por brigjet jugore të Jonit do të qëndrojnë rreth 5°C, maksimum i pritshëm në Sarandë. I ftohti vijon edhe pjesën e parë të javës tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë