Politike

Nga “Tregtari i Venedikut”, tek politikan “pa shtyllë” kurrizore, akuzat Meta-Basha në 2017

Lulzim Basha nuk e interpreton kushtetutshmërinë e vendimit të Ilir Metës për të anuluar 30 qershorin si datë zgjedhje, por shprehet se politikisht e mbështet atë. Në deklaratat e fundit, ai dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike kanë dalë në krah të Presidentit, duke e marrë atë në mbrojtje përballë akuzave të mazhorancës për shkelje të rënda të Kushtetutës.

“Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik”, deklaron Basha.

Kryetari i PD-së e cilëson blof të Edi Ramës kërcënimin për shkarkim të Ilir Metës dhe sipas tij ka vetëm një institucion që mund të bëjë këtë dhe ai institucion sot është jofunksional.

“Përtej çdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese. Këtë Gjykatë e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet”, thotë Basha.

Përtej debatit juridik nëse ka apo jo të drejtë Presidenti me dekretin e nxjerrë për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, qëndrimi i Ilir Metës e ka afruar atë si asnjëherë në këto dy vite detyrë me opozitën, duke i dhënë të drejtë profecisë së Edi Ramës të dy vite më parë.

“Ilir Meta është më afër qëndrimeve të Partisë Demokratike se të kësaj mazhorance”, deklaronte ai në ditën kur u kërkonte socialistëve që ta votonin si President në Parlament. Rama u referohej qëndrimeve që Meta kishte mbajtur si kryetar Kuvendi, duke këmbëngulur deri në kërcënim me dalje nga koalicioni nëse nuk gjehej më parë një marrëveshje që do të fuste në zgjedhjet e qershorit të 2017 Partinë Demokratike.

Por, për Lulzim Bashën, që sot është në mbështetje të Ilir Metës, nuk ishte kështu në prill të 2017, pak javë para zgjedhjeve të 25 qershorit të atij viti. Në protestën e mbajtur në atë kohë në çadrën e ngritur para Kryeministrisë, Lulzim Basha akuzonte Ilir Metën të sapozgjedhur President si aktor në pazaret me Edi Ramën.

“Pazari i shisheve të verës nuk është demokraci e vërtetë, nuk përfaqëson as vullnetin e popullit. Ky është thjesht dhe vetëm kapitulli i fundit i pazarit të vjetër. Pazari që ka krijuar një shtet të korruptuar e të inkriminuar deri në palçë. Ky është akti i fundit i teatrit me kukulla. Duke mbyllur njëherë përgjithmonë jetën e saj me këtë akt politik, republika e vjetër po mbyll ekzistencën e saj. Ilir Meta e di këtë, edhe Edi Rama e di. Thoshte dje (Edi Rama) se Meta është më afër PD-së. Për ne Ilir Meta është vetëm afër pazarit të peshkut të qelbur nga koka, ndaj Edi Rama ta gëzosh ti”, deklaronte Basha më 29 prill, një ditë pas zgjedhjes së Ilir Metës në krye të shtetit.

Meta dha me shpejtësi dorëheqjen nga kryetari i Lëvizjes Soçialiste për Integrim. Thuajse dy javë më vonë, Basha nënshkruante me Ramën marrëveshjen e famshme të 17 majit. Nga LSI u konsiderua si pakt për të goditur këtë forcë politike, pasi marrëveshja shmangte koalicionet në zgjedhjet e caktuara më 25 qershor.

Marrëveshja futi vendin në fushatë elektorale dhe kostumi i Presidentit të zgjedhur nuk e ndaloi Ilir Metën që të drejtonte fushatën e LSI-së, ndonëse formalisht i larguar nga drejtimi i saj. Pikërisht në këtë fushatë do të shpërthenin edhe më fort akuzat e ndërsjella mes tij dhe Lulzim Bashës.

“Pazari i fundit i Republikës së vjetër ishte zgjedhja e Presidentit. Sistemi i skllavërimit të votuesve dhe klientelizmit politik merr fund më 25 qershor, ndaj merre me qetësi dhe dashuri. Mos e shkel etikën, se je President i zgjedhur qoftë me pazarin e republikës së vjetër, lëre Petritin të marrë faturën e falimentimit të SHPK-së. Pazaret politike marrin fund më 25 qershor. Opozita e bashkuar dhe PD me votën e qytetarëve do të qeverisin republikën e re. Matrapazlliqet nuk kanë vend më në republikën e re”, deklaronte Lulzim Basha gjatë një mitingu elektoral në Krujë.

Ilir Meta e cilësonte deklaratën e Bashës si shenjë dobësie dhe dëshpërimi dhe e akuzonte se nuk ishte LSI-ja SHPK (akronim për Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar), por Partia Demokratike.

“Kjo vetëm egërsi nuk mund të quhet. Ky është dëshpërim, aq më tepër kur këtë gjë e thotë z. Basha. E aq më tepër kur kërcënon një politikan si z. Basha, që trembet edhe nga hija e vet. Për të sqaruar se kush është SHPK, LSI-ja apo PD-ja e z. Basha. Natyrisht që janë edhe shumë personalitete të PD-së që kanë dhënë vlerësimin e tyre se ç’lloj SHPK-je është ajo e z. Basha. Mendoj që lista e tregon më së qarti se ç’lloj SHPK-je është ajo. LSI-ja nuk vendos kandidatë me lekë. Njerëz pa kontribute, njerëz që s’i njeh partia. Kush i njeh këta?” , kundërpërgjigjej ai.

Marrëveshjen Rama-Basha, të nënshkruar në mesnatën e 17-18 majit, Meta e cilësonte “marrëveshje të errësirës”, një pakt mes “Romeos dhe Zhuljetës”. Basha iu kundërpërgjigj duke iu referuar një tjetër personazhi të shekspirian, atë të tregtarit fajdexhiut.

“Tregtarit të Venedikut, që u zgjodh President si akt i fundit i Republikës së Vjetër, dua t’i them ta marrë me shumë qetësi e dashuri faktin se SHPK e tij do të shkojë drejt falimentimit total më 25 qershor”, kundërpërgjigjej Basha.

Meta thellonte akoma më tej mendimin e tij, kur deklaronte se me paktin e nënshkruar me Ramën, në të vërtetë Basha kishte firmosur fundin e vet politik.

“Ai (Lulzim Basha) bën si i fortë, sepse ka ndenjur 3 orë vetëm për vetëm me Edin. Nuk e di që aty ai ka mbaruar politikisht edhe moralisht, para demokratëve dhe para gjithë shqiptarëve. Natyrisht, se Edi ia hedh atij. Atë nuk e llogarit fare, padyshim. Po pse e bëri Rama? Për ta tallur. Ky e mori se mendoi që do të marrë vota me OSHEE-në. Ky kujton se ia ka fajin LSI-ja që zgjohet në orën 11:00 apo në 12:00. Ky kujton se ia ka fajin LSI-ja se ka 4 vjet në opozitë dhe tre vjet ka jashtë shtetit, kontrolloni dhe sistemin TIMS dhe një vit që ka në Shqipëri e ka vetëm në Tiranë. Ky kujton se bën pazar me Ramën dhe çdo gjë u vendos në Shqipëri. Ky nuk e di se vendimi merret më 25 qershor dhe vendimin do ta marrin gjithë shqiptarët”, shtonte Meta gjatë një interviste të dhënë për “Channel One”.

Meta vazhdonte më tej duke e thirrur Bashën me nofkën “Lulushi” dhe e akuzonte atë, se ndryshe nga Sali Berisha, ishte një politikan pa shtyllë kurrizore dhe një aksident i madh për Partinë Demokratike.

“Nuk ka asnjë lidhje, jo vetëm me dimensionin e Berishës, por absolutisht është një aksident i madh i PD-së për mendimin tim. Edhe unë kam pasur mendim të mirë për të kur ka qenë në pozicionet e ministrit dhe ndoshta për një pozicion ministri ka qenë i përshtatshëm për të mbajtur atë presion dhe atë ngarkesë, por gjithmonë duke pasur mbi vete një lider të fortë që mund ta orientojë, apo ta udhëzojë. Por ai si politikan i nivelit të parë është mjaft i dobët, sepse nuk ka shtyllë kurrizore të fortë”, shprehej ai.

Meta sulmonte edhe Ramën, që sipas tij, kishte varur shpresat tek Lulzim Basha për të fituar zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa Rilindjen e cilësonte si “Ebola” e Shqipërisë.

“Kot i mban shpresat te bluja kryetari i mavisë, qoftë te “Lulushi”, qoftë te Policia. Ne kemi një sëmundje të tmerrshme të vlerave më të mira shoqërorë, Ebola jonë quhet Rilindje. Ebola jonë është pabesia më e madhe që ka njohur kjo tokë në mijëra vjet. Viktimë e parë e kësaj Ebole është PS-ja”, thoshte Meta.

Rama reagonte duke akuzuar LSI-në se i vetmi interes që kishte ishte “tepsia e pushtetit” dhe jo interesat e qytetarëve. Për këtë, Rama kërkonte i vetëm timonin me zotimin që ta çonte këtë tepsi për “skrap”. Basha nga ana tjetër, me një gur kërkoi të vrasë dy zogj. Sulmonte Ramën dhe bashkë me të edhe Metën. Edhe Basha hamendësonte për një pakt mes këtyre dyve.

“Do vazhdoni 4 vjet më këtë me tuta e batuta që duart e Metës dhe Beqajt i futi në xhepat tuaja? Është bërë bishë Ilir Meta se e shikonte veten një dorë në bakllava dhe një dorë në sheqerpare. Në bakllava s’ka për ta pas kurrë më dorën, por me sa shoh s’ka për ta pas as në sheqerpare”, deklaronte ai në një takim elektoral në Dibër.

Kështu u mbyll fushata e pazakontë e 2017, ku secila palë u druhej dy të tjerave se mos arrinin një marrëveshje për të ngritur Qeverinë e re. Rezultati që doli nga ai proces, që Partia Demokratike dhe Lëvizja Soçialiste për Integrim e kundërshtojnë sot, shmangu koalicionet duke i dhënë timonin Edi Ramës dhe zgjidhur duart atij për ta çuar “tepsinë për skrap”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë