Njerez

Nga Tik-Tok te videot muzikore… Si bëhet rekrutimi i të rinjve shqiptarë për në Angli

Nga Gisela Troplini - “Kriminelët nga Shqipëria”, “gangsterët shqiptarë”, “trafikantët që vijnë nga Shqipëria”, kanë qenë disa nga togfjalëshat më të lexuara në mediat britanike dhe jo vetëm, të paktën këta dy muajt e fundit. Kështu u referoheshin ato të rinjve shqiptarë që kalojnë kanalin e La Manshit ilegalisht, në kërkim të një jete më të mirë në Britaninë e Madhe, ndonëse në ato gomone nuk ka vetëm shqiptarë.

@erm4li #fyp #albania #london #uk #🇬🇧 #🇦🇱 ♬ original sound - flowers010173🥀 ✅ ✝️

Termat e lartpërmendur duket sikur janë stereotipe të mbetura prej disa shqiptarëve të njohur për aktivitetet e tyre kriminale në Britani, me të cilët identifikohen gabimisht edhe shqiptarët e tjerë, por nuk është plotësisht kështu.

Një pjesë e atyre të rinjve që nisen për një jetë të re në Britani, por edhe shumë nga ata që ende nuk janë nisur, synojnë përfshirjen në një aktivitet ilegal atje sepse bashkë me rrezikun, edhe fitimet janë të larta.

Dhe këtë ata e mësojnë nga... TikTok-u.

Një i ri, 29 vjeç, nga zona e Malësisë së Madhe, pjesë e një grupi me emër në vend, si për muzikën ashtu edhe për problemet me ligjin, tregon në kushte anonimati për Gazetasi.al procesin e rekrutimin “online” të të rinjve nga Shqipëria për në tokën angleze.

Ai shpjegon se në disa adresa të ndryshme në aplikacionin Tik-Tok, krijohen video me përmbajtje që kanë për qëllim të arrijnë te djemtë e rinj. Në video shfaqen makina luksoze, bizhuteri të shtrenjta, para cash dhe sigurisht shumë vajza sensuale. “Kjo nënkupton pikërisht efektin zinxhir të punës me rrezik, por me para. Kjo lloj përmbajtje është e qëllimshme. Për të treguar se çfarë ofron “puna” në Angli dhe për të bindur të rinjtë shqiptarë të shkojnë atje sepse “na duhen njerëz të qëndrojnë në shtëpitë e ‘barit’”, tregon i riu.

@hellbanianz9999 #vinz #stealth #hellbanianz #HB ♬ original sound - H E L L B A N I A N Z

Pas publikimit të këtyre videove, në llogaritë e tyre në Tik-Tok, shkojnë dhjetëra mesazhe nga të rinj dhe adoleshentë, përgjithësisht nga rajoni i veriut dhe u kërkojnë atyre që t’i marrin pasi janë të gatshëm të rrezikojnë shumë, për atë jetesë, që në fakt nuk është shumë afër me realen. 29-vjeçari nga Malësia e Madhe tregon për Gazetasi.al se droga, paratë dhe vajzat i intrigojnë të rinjtë dhe ua bën punën më tërheqëse, pavarësisht se ata që bëjnë videot as nuk i përdorin drogërat. Fitimet mujore janë disa mijëra paundë, “por duhet kohë të blesh makina luksoze, ora ari dhe të hedhësh paratë në ajër”.

Ndonëse kërkesa dhe oferta për këto pozicione është e lartë, në rekrutim bëhet një seleksionim dhe nuk merret kushdo që shkruan. Zakonisht, merren njerëz që janë nga një rreth i njohur disi, pra jo plotësisht të panjohur, shoku i një shokut etj.

Përpos jetesës së llojit “Ujku i Wall Street”, djemtë shqiptarë vendosin t’i dedikohen një pune që u kushton lirinë, ndoshta dhe jetën, sepse u garantohet siguria e familjes së tyre në vendlindje.

“Në rast se kapen, mjafton që mos nxjerrin emrin tënd (personi që posedon shtëpinë e kultivimit) dhe sipas viteve të burgimit që bëjnë, ata kanë bonus në vlerë. Ndërkohë që çdo muaj, familjes së tyre u dërgohet një pagesë”, tregon i riu nga Malësia e Madhe për Gazetasi.al.

Disa punonjës të tjerë janë kolaterali i një borxhi të pashlyer: “Nëse nuk ma lan dot borxhin, më jep djalin të punoj për ne”.

M. një 21-vjeçar me të cilin bisedoi Gazetasi.al, tregon se ndonëse ai punon në një kompani atje, pasi iu pranua aplikimi si azilkërkues, ai merret paralelisht edhe me aktivitete ilegale, bashkë me shokët dhe vëllain e tij, por në përmasa të vogla. Edhe pse duke qeshur, ai pranon se do të bënte edhe më shumë nëse i sigurohej një shumë e madhe parash dhe pak vite burg.

@tonny_albanese #viral #fyp #albania #london ♬ Hood Life 2 - Vinz

Propaganda ndaj të rinjve ndodh në mënyrë indirekte edhe në videot muzikore të reperëve shqiptarë që jetojnë në Angli. “The Times UK”, do të shkruante pak ditë më parë një artikull të tillë, ku përmendte disa nga muzikantët shqiptarë, që xhirojnë videoklipe rrugëve të Londrës, me mjete luksi dhe tufa parash.

“Mezi pres të iki në Angli. Atje është jetë shumë e mirë, e kam parë në Instagram”, thotë një 14-vjeçar nga Hasi për “The Times”. Babai i tij nuk ka në plan ta ndalojë të birin të largohet edhe nëse futet në kthetrat e grupeve kriminale atje.

Një tjetër mënyrë rekrutimi që tregon 29-vjeçari nga Malësia e Madhe për Gazetasi.al është ajo e “fushatës” së drejtpërdrejtë. Ata nuk vijnë më në Shqipëri për të kaluar pushimet, por për të takuar djem të rinj e për t’u treguar punën, me shpresën se do t’i marrin me vete kur të kthehen mbrapsht në Angli.

Sipas “The Guardian”, më shumë se 2000 shqiptarë kanë mbërritur në Angli gjatë këtij viti, me gomone. Sigurisht, jo të gjithë janë bindur nga Tik-Tok apo po shpresojnë të punojnë në parcelat e hashashit brenda shtëpive të izoluara atje, por të gjithë po shkojnë për para, cilado të jetë mënyra për t’i marrë ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë