Vende dhe Udhetime

Nga tetori duhet pasaportë, çfarë ndryshon pas Brexit për të udhëtuar në Britani të Madhe

Nga 1 tetori 2021, një kartë identiteti nuk do të jetë më e mjaftueshme për një udhëtim si turist në Londër ose një udhëtim pune në Britani të Madhe, por do të nevojitet një pasaportë biometrike. 

Sidoqoftë, ka përjashtime për ata që kanë marrë leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar dhe për disa raste të tjera të veçanta. Kjo vlen edhe për fëmijët dhe adoleshentët që për pushime-studime duhet të kenë me vete pasaportën e tyre. 

Me hyrjen në fuqi të Brexit në janar 2021, Mbretëria e Bashkuar u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian dhe kjo gjithashtu ka çuar në ndryshime në kushtet e udhëtimit.

Lajmi i mirë, tani për tani, është se nuk është nevoja për vizë për të pushuar në Britaninë e Madhe dhe për të qëndruar atje deri në gjashtë muaj. Sidoqoftë, në të ardhmen, kjo nuk do të jetë më. Në fakt, qeveria britanike synon të prezantojë një autorizim dixhital, të ngjashëm me atë amerikan (ESA), deri në vitin 2025.

A ka ndonjë përjashtim?

Po, ata që kanë marrë qëndrim të përhershëm (të vendosur) ose të përkohshëm (të para-vendosur) në Mbretërinë e Bashkuar, ata që kanë një leje familjare, sipas Skemës së Zgjidhjes së BE-së dhe ata që kanë një leje pune kufitare, mund të vazhdojnë të udhëtojnë midis dy brigjeve të Kanalit me vetëm kartën e identitetit.

Përjashtimi vlen gjithashtu për këdo që është një vizitor i S2 Healthcare ose një furnizues shërbimi zviceran. Në teori, parimi duhet të zbatohet edhe për ata që kanë aplikuar për qëndrim dhe janë ende në pritje të një përgjigjeje. Të gjitha këto kategori mund të vazhdojnë të përdorin kartat e tyre kombëtare të identitetit për të hyrë në MB deri të paktën në 31 dhjetor 2025.

Megjithatë, rreziku është që linjat ajrore në kohën e hipjes në bord, nuk do të jenë në gjendje të dallojnë se kush nuk ka pasaportë dhe do t’ia kërkojnë të gjithëve pa dallim, sepse qytetarët evropianë që kanë marrë lejeqëndrimin, nuk kanë asnjë dokument fizik që e vërteton atë. Dhe në disa raste, edhe një pasaportë vetëm nuk është e mjaftueshme.

Cilat dokumente të tjera ju nevojiten?

Qeveria britanike rekomandon blerjen e policave të sigurimit të udhëtimit që përfshijnë emergjencat mjekësore para nisjes, pasi karta shëndetësore evropiane nuk është më e vlefshme. Leja e drejtimit, nga ana tjetër, gjithashtu mund të vazhdojë të përdoret në Mbretërinë e Bashkuar, por ju duhet të provoni se jeni i siguruar. Për më tepër, turistët nuk mund të mbajnë më shumë se 10,000 paund në para cash pa pasur nevojë t'i deklarojnë ato.

Sa gjatë mund të qëndroni si turist?

Një qytetar evropian, mund të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar si turist deri në gjashtë muaj. Gjatë asaj kohe, ai nuk mund të bëjë punë të paguar ose të papaguar për një kompani në Mbretërinë e Bashkuar ose si një person i vetëpunësuar, të aplikojë për subvencione publike, të martohet ose të regjistrojë një lidhje martesore.

Gjithashtu nuk është e mundur të hysh në vend si turist dhe të qëndrosh atje për periudha të gjata kohore, ndoshta duke pritur për të gjetur një punë.

Kush ka nevojë për vizë?

Që nga 1 janari 2021, Mbretëria e Bashkuar ka zbatuar një sistem të imigrimit me pika. Ata që lëvizin në vend për arsye pune, duhet të kenë një vizë, për ta marrë atë, është e nevojshme që të keni një ofertë pune nga një sponsor i njohur nga Home Office, të jeni në gjendje të flisni anglisht në nivelin e ndërmjetëm B1 dhe të keni një pagë vjetore jo më pak se 25,600 paund. 

Ka korsi preferenciale për punëtorët në sektorin e shëndetësisë dhe për ata me doktoraturë, veçanërisht në lëndët shkencore. Kërkohet gjithashtu një vizë për të studiuar në universitetet britanike dhe kjo është një nga arsyet, pse në universitetet prestigjioze si, Oksfordi dhe Kembrixhi, regjistrimi i studentëve nga vendet e BE-së ka rënë?

Cilat janë rregullat anti-Covid?

Qeveria britanike ka njoftuar se, duke filluar nga 4 tetori, kufizimet në fluturimet hyrëse do të hiqen për qytetarët e vaksinuar që vijnë nga vendet e përfshira në listën e alarmit të ndërmjetëm. 

Prandaj, detyrimi për t'iu nënshtruar një testi anti-Covid para nisjes, hiqet për ata që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës. Nga ana tjetër, testi i ditës së 2 mbetet i detyrueshëm për t'u bërë dy ditë pas përfundimit. Sidoqoftë, një tampon i shpejtë më ekonomik se testi molekular, i cili kërkohej deri më tani, do të jetë i mjaftueshëm.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë