Futboll

Nga sulmuesit te mbrojtësit, blerjet e Milanit i dikton… infermieria

Gazeta Si – Dëmtimet në seri të mbrojtësve të qendrës e detyrojnë klubin kuqezi të ndryshojë objektiv për lëvizjet e janarit. Dhe ‘gropa’ e sulmit mund të mos mbushet as këtë herë.

Xhonatan Devid ishte objektivi kryesor, më pas doli në skenë edhe Serhou Guirasi, dy profile sulmuesish shumë të ndryshëm, nga fiziku te aftësitë teknike, nga forma aktuale te vlera e kartonit. Problemi i vetëm dukej se ishte zgjedhja e njërit prej tyre, por situata tani ka ndryshuar. Sepse dëmtimet e njëpasnjëshme kanë krijuar probleme dhe për sulmues ndoshta do të flitet në qershor.

Milani ka një grup të reduktuar në mbrojtje dhe në mesfushë, ndaj dhe me shumë mundësi merkatoja do të fokusohet aty. Edhe pse Zhiru po shtrudhet si limon. Mund të jetë fati i Joviç, që duket sikur është ‘ndezur’ pas disa muajsh si spktator.

Për më tepër, merkatoja e janarit nuk afron shumë alternativa, ndërsa fondi financiar është ai që është. Trajneri Pioli ka në dispozicion si qendërmbrojtës vetëm Simon Kjaer dhe Karlo Simiç. Mendohej për një qendërmbrojtës, por tani duhen të paktën dy, sepse Tomori do të mungojë dy muaj.

Furlani dhe Monkada duhet të punojnë me fantazi për të gjetur zgjidhjet më të mira. Do të diskutohet me Villarrealin për mbylljen para kohe të huazimit të Gabias e më pas do të shihet tregu. Më 2 janar hapet merkatoja dhe mbrojtësit duhet të vijnë maksimumi pas një jave.

Edhe në mesfushë Milani nuk është mirë. Shitja e Kruniç te Fenerbahçe po diskutohet sërish, sepse është rikuperuar Benaser, por algjeriani do të shkojë në Kupën e Afrikës dhe do të kthehet pas një muaji. Kanë mbetur vetëm Loftus-Çik, Musah (në bokse aktualish) dhe Reijnders.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë