Politike

Nga rikthimi i demokracisë te njohja e Kosovës, Basha zbardh takimin me delegacionin amerikan

Pas një takimi 60 minutash me ta në selinë e PD-së, Lulzim Basha përcolli deri tek shkallet një përfaqësi të Senatit Amerikan që shoqëroheshin nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Mes mëdyshjes për të folur ose jo fillimisht, Basha ndau më pas për mediat disa çështje që ai i renditi enkas.

“Dy janë çështjet kryesore për të cilat kemi folur me përfaqësuesit e lartë nga Uashingtoni: 

Njëra ka të bëjë me demokracinë shqiptare, udhëkryqi në të cilën ndodhet, në veçanti pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, dhe rolin e Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare në parlament dhe në bashkëpunim me të gjithë forcat e gjalla të shoqërisë shqiptare dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë, legjitimitetit dhe sundimit të ligjit.

Dhe sigurisht përmes një vendi që është demokratik, ku nuk shkatërrohen por respektohen zgjedhjet e qytetarëve. Ku nuk goditet dhe burgoset i pamunduri, por ndëshkohet politikani i korruptuar apo bosi i krimit të organizuar, të krijojmë një klimë investimesh, nga e cila të përfitojnë shqiptarët përmes vendeve të punës, përmes transferimit të teknologjisë dhe të transferimit të kapitalit amerikan në Shqipëri.

Çështja tjetër, se s’do ta quaja të dytë se mori një pjesë po kaq të rëndësishme të bisedës, ka të bëjë me rajonin dhe në veçanti sa i përket situatës së provokuar nga ringjallja e planeve hegjemoniste serbe përmes proceseve si ai i Novi Sadit dhe nevojës për të përforcuar praninë politike dhe të gjithanshme amerikane për të ndalur dhe kundërvënë çdo ofensive të forcave joperëndimore ndaj arritjeve 30 vjeçare të ShBA-ve dhe të Boshtit Euro-Atlantik për stabilitetin, paqen dhe demokracinë në Ballkan.

Me theks të veçantë për ruajtjen dhe garantimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe përfundimin me sukses të njohjes reciproke si gur i fundit i themelit të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, renditi Basha, duke perfshire edhe një çështje të tretë .

“Miqtë u interesuan edhe sa u përket çështjes së anëtarësimit së Shqipërisë në Bashkimin Europian, të cilin e mbështesim plotësisht dhe për konfuzionin e krijuar përmes mosperformancës së autokratit të Ballkanit, duke nisur nga ky i Tiranës dhe nevojës që Bashkimi Europian t’i thotë gjërat qartë, ta vërë gishtin tek plagët e krijuara dhe tek autorët e këtyre plagëve të cilin gjithë shqiptarët e dinë, në këtë rast qeveria dhe kryeministri aktual janë fajtorët e vetëm të harxhimit të kaq shumë shampanje ndërkohë që vendi mbetet jashtë dyerve të Europës”.

Takimi i ambasadores Yuri Kim me Lulzim Bashën dhe një përfaqësie të senatit amerikan vjen pak ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit dërgoi në Kongresin amerikan, raportin mbi vendimet që janë marrë gjatë vitit 2021, për kufizimin e vizave dhe shpalljen “non grata” të zyrtarëve apo politikanëve të përfshirë në akte korruptive në të gjithë botën.

Në raportin që DASH i paraqiti Kongresit amerikan, ish-kryeministri Sali Berisha renditej i treti në listën e personave të shpallur non grata, ndjekur nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, djali Shkëlzen Berisha dhe vajza e tij Argita.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë