Ekspozite

Nga prehistoria te konceptualizmi: Ja skulpturat më të famshme

Nga prehistoria dhe Rilindja te modernizmi i shekullit të 20-të dhe ditët e sotme, ja cilat janë skulpturat më të mira të të gjithë kohëve

Venusi i Willendorf-it, 28,000–25,000 para Krishtit

Skulptura ure e historisë së artit, kjo figurë e vogël me përmasa jo më shumë se 8 centimetra në gjatësi, u zbulua në Austri, më 1908-ën. Askush nuk e di se për çfarë ka shërbyer, por funksionet e hamendësuara luhaten  nga perëndeshë pjellorie deri te ndihmëse për masturbim. Disa studiues sugjerojnë se mund të jetë një autoportret i realizuar nga një grua. Është më e  famshmja nga shumë objekte që datojnë nga Epoka e Gurit.

Busti i Nefertiti, 1345 para Krishtit

Ky portret ka qenë simbol i bukurisë femërore qysh kur u zbulua nga gërmimet, më 1912 –ën, në rrënojat e Amarnasë, qyteti i ndërtuar nga faraoni më kontrovers i historisë së Egjiptit të Lashtë: Akhenaten. Jeta e mbretëreshës së tij, Nefertiti, është e mbështjellë me mister: mendohet se ka sunduar si faraone për një kohë, pas vdekjes së Akhenaten-it – ose me më shumë gjasë si bashkë-regjente e djalit mbret, Tutankhamun. Disa egjiptologë besojnë se ajo është mamaje e Tutit. E dalluar për një stil natyral,  që niset nga karakteri i stilizuar përgjithësisht në artin e lashtë egjiptian, busti u gërmua nga ekipi arkeologjik gjerman dhe u dërgua në Gjermani. Qëndron në Berlin qysh para Luftës së Dytë Botërore dhe tanimë konsiderohet si një simbol i qytetit.

Ushtria e Terakotës,  210–209 para Krishtit

E zbuluar më 1974-ën, Ushtria e Terakotës (e konsideruar si zbulimi më i mahnitshëm i të gjithë historisë së arkeologjisë) është një depo statujash balte, të varrosura në tri gropa masive pranë varrit të Shi Huangut, të parit perandor të Kinës, i cili vdiq në vitin 210, para Krishtit. Me qëllimin për ta mbrojtur atë në jetën e përtejme, Ushtria besohet nga disa llogaritje se numëron  më shumë se 8 mijë ushtarë, së bashku me 670 kuaj dhe 130 karroca. Secila me përmasa njerëzore, megjithëse lartësia varion sipas gradës ushtarake, Ndërsa tiparet e secilit ushtar duken unike, ato janë të bazuara në 10 forma bazike të fytyrës, pjesë e një procesi grumbullimi, në të cilën artizanët përdorën kallëpe për të prodhuar figurat në segmente të ndryshme, përpara se t’i bënim bashkë me baltë të lagur. Ushtarët më pas u pajisën me armë të vërteta (ushta, shpata, etj.) dhe u lyen me ngjyra të çelëta, megjithëse me kohën, pigmenti u zbeh ose u shpëla krejtësisht.

Laokonti dhe Bijtë, Shekulli i Dytë,  para Krishtit

Ndoshta skulptura më e famshme e antikitetit romak, Laokonti dhe Bijtë u zbulua nga gërmimet e bëra në Romë, më 1506-ën dhe u lëviz drejt Vatikanit, ku qëndron sot e kësaj dite. Është i bazuar në legjendën e priftit trojan,  i vrarë së bashku me të bijtë nga gjarpërinjtë e detit, të dërguar nga zoti i detit, Poseidoni, si ndëshkim për përpjekjen e Laokontit në demaskimin e dredhisë, me kalin e Trojës. I vendosur fillimisht në pallatin e Perandorit Tit, kjo asamble skulpturash, e atribuuar një tresheje skulptorësh grekë nga ishulli i Rodosit, nuk ka rivalë si studim i vuajtjes njerëzore.

Davidi i Michelangelo-s, 1501-1504

Një nga veprat më legjendare në të gjithë historinë e artit, Davidi i Michelangelo-s e ka zanafillën në një projekt më të madh, për të dekoruar parmakët e katedrales së madhe të Firences, Duomo-s, me një grup figurash të nxjerra nga Dhiata e Vjetër. Davidi ishte një prej tyre dhe nisi të realizohej në vitin 1464, nga Agostino di Duccio.Në vitet e ardhshëm, Agostinoja ia doli t’i jepte formë një blloku gjigant mermeri, të prerë nga një gurore e famshme në Carrara, përpara se të ndalej më 1466-ën. (Askush nuk e di pse.) Një tjetër artist e mori copën e mermerit, por edhe ai, punoi në të për pak kohë. Mermeri mbeti i paprekur për 25 vitet e ardhshëm, derisa Mikelanxhelo e rimori gdhendjen, më 1501-shin. Ai ishte 26 vjeç në atë kohë. Kur e përfundoi, Davidi peshonte 6 tonë, që do të thoshte se nuk mund të qëndronte në çatinë e katedrales. Por u vu jashtë, në hyrjen e Palazzo Vecchio, godina e bashkisë së Firences. Figura, një nga distilatet më të pastra të stilit të lartë të Rilindjes, u përqafua menjëherë nga publiku fiorentin, si simbol i rezistencës së qytet-shtetit kundër pushteteve të rreshtuara kundër tij. Më 1873-shin, Davidi u lëviz drejt Galerisë së Akademisë dhe një kopje u vendos në vendndodhjen fillestare.

Ngazëllimi i Shën Terezës, Bernini 1647–52

I njohur si zanafillësi i stilit barok romak, Gian Lorenzo Bernini krijoi këtë kryevepër për një faltore në Kishën Santa Maria della Vittoria. Baroku ishte pazgjidhshmërisht i lidhur me Kundër-Reformimin, përmes të cilit Kisha Katolike u përpoq të frenonte valën e Protestantizmit, që buronte në Europën e shekullit të 17-të. Veprat e artit si ajo e Berninit ishin pjesë e një programi për të ripohuar dogmën e Papatit, servirur bukur nga gjenia e Berninit për mbushjen e skenave religjioze me narrativë dramatike. Ngazëllimi është një rast i tillë: subjekti i tij – Shën Tereza e Avilës, një murgeshë karmelitane spanjolle dhe një mistike,  e cila shkroi takimet e saj me një engjëll – portretizohet në kohën kur engjëlli bëhet gati t’i ngulë një shigjetë në zemër. Ngjyresat erotike të Ngazëllimit janë të pangatërrueshme, shumë të dukshme në shprehjen orgazmike të murgeshës dhe pëlhura përpëlitëse që i mbulon të dy figurat. Një arkitekt po aq sa edhe artist, Bernini gjithashtu skicoi mjedisin e faltores në mermer, stuko dhe bojë.

Perseu me kokën e Meduzës, Antonio Canova 1804–1806

Artisti italian Antonio Canova (1757–1822) konsiderohet si skulptori më i madh i shekullit të 18-të. Vepra e tij mishëroi stilin neoklasik, siç mund të shihet në këtë përkthim mermeri të heroit mitik grek, Perseut. Canova në fakt, bëri dy versione të kësaj vepre: një qëndron në Vatikan, në Romë , ndërsa tjetri në Oborrin e Skulpturës Europiane të Muzeut Metropolitan.

Qytetarët e Kalesë, Auguste Rodin, 1894–85

Megjithëse shumica e njerëzve e lidhin skulptorin e madh francez, Auguste Rodin me Mendimtarin, ky ansambël që nderon një aksident gjatë Luftës 100-vjeçare (1337–1453) mes Britanisë dhe Francës është më e rëndësishme për historinë e skulpturës. I porositur për një park në qytetin e Kalesë (ku, më 1346 anglezët ngritën një rrethim njëvjeçar dhe ku,  gjashtë pleqtë e qytetit ofruan veten për ekzekutim në këmbim që popullit t’u kursehej jeta), Qytetarët dolën jashtë formatit tipik të monumenteve të kohës: në vend që figurat të izoloheshin apo të ngriheshin mbi një piramidë apo piedestal të lartë, Rodin i mblodhi subjektet e tij me përmasa njerëzore drejt e në tokë, në një nivel me kundruesin. Kjo lëvizje radikale drejt realizimit ndahet nga trajtimi heroik, i këtyre veprave në natyrë. Me Qytetarët Rodin ndërmori një hap drejt skulpturës moderne.

Kitara, Pablo Picasso

Më 1912-ën, Picasso krijoi një maket kartoni të një vepre, që do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në artin e shekullit të 20-të. Gjithashtu në koleksionin e MoMA-s, shfaqet një kitarë, një subjekt që Picasso e eksploroi shpesh në pikturë dhe kolazh dhe në shumë aspekte, kitara transferoi teknikat “prit dhe ngjit” të kolazhit nga dypërmasore në trepërmasore. Bëri të njëjtën gjë me Kubizmin, duke mbledhur forma të sheshta për të krijuar forma shumëfaqëshe,  edhe me thellësi, edhe me vëllim. Novacioni i Picasso-s shmangu gdhendjen konvencionale dhe modelimin e një skulpture , prej një mase të ngurtë. Krejt në të kundërt, Kitara u ngjit bashkë si një strukturë. Kjo ide mund të jehonte nga Konstruktivizmi Rus deri te Minimalizmi dhe përtej. Dy vite pasi realizoi Kitarën në karton, Picasso e krijoi këtë version me kallaj të prerë.

Mlle Pogany, Constantin Brancusi, 1913

I lindur në Rumani, Brancusi ishte një nga skulptorët më të rëndësishëm të modernizmit të shekullit të 20-të – dhe në të vërtetë një nga figurat më të rëndësishme të të gjithë historisë së skulpturës. Një lloj proto-minimalisti, Brancusi mori forma nga natyra dhe i trajektoi në përfaqësime abstrakte. Stili i tij ndikohej nga arti folklorik i vendlindjes së tij, që shpesh shfaqte modele të gjalla gjeometrike dhe motive të stilizuara. Ai gjithashtu nuk bëri dallim mes objektit dhe bazës, duke i trajtuar, në disa raste, si përbërës të shkëmbyeshëm – një qasje që përfaqësoi një thyerje të rëndësishme me traditat skulpturore. Vepra e tij legjendare është një portret i modeles dhe të dashurës së tij, Margit Pogány, një studente hungareze arti, të cilën e njohu në Paris, më 1910-ën. Kopja e parë u bë në mermer, e ndjekur nga një kopje në allçi, nga e cila u bë më pas kjo skulpturë bronzi. Vetë allçia u ekspozua në Nju Jork, në shfaqjen legjendare Armory, më 1913-ën, ku kritikët e tallën dhe e vunë në shtyllën e turpit. Por ishte gjithashtu vepra më e riprodhuar në shfaqje. Brancusi punoi me një sërë versionesh të Mlle Pogany-it, për më shumë se 20 vjet.

Rrota e Biçikletës, Duchamp, 1913

Konsiderohet shtampa(readymade) e parë revolucionare e Duchamp-it. Megjithatë, kur e plotësoi veprën, në studion e tij të Parisit, ai nuk e kishte idenë si do ta titullonte. “Pata idenë e lumtur të vija një rrotë biçiklete në një stol kuzhine dhe ta shihja të rrotullohej”, do të thoshte më vonë Duchamp. Iu desh një udhëtim drejt Nju Jorkut, më 1915 –ën dhe ekspozimi me rezultatet e të mirave të ndërtuara prej fabrikave, që Duchamp të dilte me termin readymade. Por ajo që është më e rëndësishme, ai nisi të shohë se të bërit art në mënyrën tradicionale artizanale, duket e pakuptimtë në Epokën Industriale. Pse të shqetësohesh, mendoi ai, kur objektet e fabrikuara, gjerësisht të disponueshme, mund të bëjnë punën?!  Për Duchamp-in, ideja pas veprës së artit ishe më e rëndësishme sesa mënyra si ishte bërë. Ky nocion, ndoshta i pari shembull i artit konceptual – mund ta shndërronte më tej historinë e artit, që ecte përpara. Si një objekt i zakonshëm shtëpiak, Rrota origjinale e Biçikletës nuk mbijetoi: ky version është në fakt një kopje, e cila daton nga viti 1951.

Kutia Brillo  (peceta pastrimi ), Andy Warhol 1964

Kutia Brillo është ndoshta më e njohura e një serie veprash skulpturore që Warhol krijoi në mes të viteve ’60, që e çoi në investigimin e tij të kulturës pop në tre përmasa. Besnik  me emrin që  i kishte vënë studios së tij – Fabrika –artisti  punësoi zdrukthëtarë që të punonin një lloj linje ansamblesh, duke gozhduar bashkë kuti druri në formë të kartonëve për produkte të ndryshme si salca Heinz , drithërat Kellogg’s dhe supa Campbell, si edhe pecetat e pastrimit Brillo. Ai më pas leu secilën kuti me ngjyrat që përputheshin me origjinalin ( e bardhë në rastin e Brillo-s), përpara se të shtonte emrin dhe logon e produktit , me letër të printuar. Krijuar në shumësi, kutitë shpesh shfaqeshin në rafte të mëdhenj, duke e shndërruar çdo lloj galerie, ku shfaqeshin,  në një faksimile të lartë kulturore të një magazine. Forma e tyre dhe prodhimi në seri ishte ndoshta një miratim –ose  një parodi e – e stilit Minimalist që po lindte. Por kuptimi i vërtetë i Kutisë Brillo ishte sesi qasja e tij e afërt me gjënë e vërtetë shkatërron konvencionet artistike, duke nënkuptuar se nuk ka ndryshim të vërtetë mes të mirave të fabrikuara dhe veprës, nga një studio artisti.

Pa titull (Rafti), Donald Judd, 1967

Emri i Donald Judd-it është sinonim me artin Minimal, lëvizja e mesviteve ’60 që distiloi përqafimin racionalist të modernizmit në gjërat më thelbësore. Për Judd-in, skulptura donte të thoshte artikulimin e pranisë konkrete të veprës në hapësirë. Kjo ide u përshkrua nga termi “objekt specifik” dhe ndërsa Minimalistët e përqafuan atë, Judd dha idenë e shprehisë së pastër duke përshtatur kutinë,  si forma e tij dalluese. Ashtu si edhe Warhol, ai i prodhoi ato në njësi të përsëritura, duke përdorur materiale dhe metoda të huazuara nga fabrikimi industrial. Ndryshe nga kutitë e sapunëve të Warhol-it dhe Marylins-it, arti i Judd-it nuk i referohej asgjëje jashtë vetes. Raftet janë mes veprave më të njohura të tij. Secila konsiston në një grup kutish njëlloj të cekëta, të bëra nga fletë të galvanizuara metali, duke dalë jashtë murit për të krijuar një shtyllë elementësh, njësoj të ndarë. Por Judd, i cili e nisi karrierën si piktor, ishte po aq i dhënë pas ngjyrës dhe materialit sa edhe pas formës, siç shihet në llakun e gjelbër në faqen ballore të secilës kuti. Ndërthurja e ngjyrës dhe materialit tek Judd,  i jep kësaj vepre një elegancë të rafinuar që zbut absolutizmin e tij abstrakt.

Grumbullim Nr. 1, Yayoi Kusama, 1962

Një artiste japonez, e  cila punon në mediume të shumëfishtë, Kusama mbërriti në Nju Jork më 1957 –ën dhe u kthye në Japoni më 1972-shin. Gjatë kësaj kohe, ajo e vendosi veten si një figurë e rëndësishme e skenës qendrore, arti i së cilës preku shumë baza, si Pop Arti, Minimalizmi dhe Arti Performues. Si një artiste grua, që shpesh iu referua seksualitetit femëror, ajo ishte pararendëse e artit Feminist. Vepra e Kusama-s shpesh karakterizohet nga modele halucinogjenë dhe përsëritje të formave, një prirje me rrënjët në disa gjendje psikologjike –halucinacione, çrregullime obsesive-kompulsive – nga të cilat vuante prej fëmijërisë. Të gjithë këto aspekte të artit dhe jetës së Kusama-s janë të pasqyruara në këtë vepër, në të cilën një karrige e  zakonshme me susta përfshihet nga një shpërthim i një gunge fallike, bërë prej materialeve të mbushura dhe të qepura.

Varje, Eva Hesse 1966

Ashtu si Benglis, Hesse ishte një artiste grua e cila filtroi Postminimalizmin përmes prizmit feminist. Një hebreje e cila i ishte arratisur Gjermanisë naziste kur ishte fëmijë, ajo eksploroi forma organike, duke krijuar në fije qelqi industrial, lateks dhe litar që evokonin idenë e lëkurës apo të mishit, gjenitaleve dhe pjesëve të tjera të trupit. Duke pasur parasysh sfondin e saj të origjinës, është tunduese të gjesh një rrymë të nënujshme  traume apo ankthi, në veprat si kjo.

Një Ton Mbështetjeje (Shtëpi letrash), Richard Serra, 1969

Duke ndjekur Judd-in dhe Flavin-in, një grup artistësh u ndanë nga estetika me linja të pastra, të  Minimalizmit. Si pjesë e brezit të Postminimalizmit, Richard Serra e vendosi konceptin e objekteve specifike mbi steroide, duke zmadhuar gjerësisht shkallën dhe peshën e tyre dhe duke i bërë ligjet e rëndesës integrale me idenë. Ai krijoi vepra të dyshimta ekuilibruese prej çeliku apo pllaka plumbi dhe tuba që peshonin tonelata, e që kishte efektin e të të  kujtuarit  një ndjesi kërcënimi ndaj veprës. (Në dy raste, mekanikët që instalonin veprat e Serra-s u vranë dhe  u gjymtuan, kur vepra u shemb aksidentalisht.) Në dekadat e fundit, vepra e Serra-s ka përshtatur një rafinim të linjave të harkuara, që e ka bërë atë shumë popullor, por në fillimet e tij, vepra si Një Ton Mbështetjeje (Shtëpi letrash), që shfaq katër pllaka plumbi të mbështetura bashkë, komunikoi shqetësimet e tij me sinqeritetin e vrazhdë.

Bankina Spirale, Robert Smithson, 1970

Duke ndjekur trendin e përgjithshëm të kundër-kulturës gjatë viteve ’60 dhe ’70, artistët nisën të revoltoheshin kundër komercializmit të galerisë së botës, duke zhvilluar forma të reja arti si veprat tokësore. Të njohura edhe si arti në terren, figura udhëheqëse e këtij zhanri ishte Robert Smithson (1938–1973), i cili, së bashku me artistë si Michael Heizer, Walter De Maria dhe James Turrel, u soll nëpër shkretëtirat e Amerikës Perëndimore për të krijuar vepra monumentale,  që vepronin të bashkërenduara me mjedisin përreth. Kjo qasje me një vend specifik, siç u quajt, shpesh angazhon materiale të marra direkt nga peizazhi. Si në rastin me Bankinën Spirale të Smithson-it, që del jashtë, në Liqenin e madh të kripur  të Utah-s,  nga Pika Rozel në bregun verilindor të liqenit. I bërë me baltë, kristale kripe dhe bazalt i nxjerrë nga vendi, Bankina Spirale ka një përmasë prej 457 me 4.5 metra. Ka qenë e fundosur nën liqen për dekada, derisa një thatësirë në fillim vitet 2000 e nxori sërish në sipërfaqe. Më 2017 –ën, Bankina Spirale u emërua vepra zyrtare e artit të Utah-s.

Merimanga, Louise Bourgeois , 1996

Vepra dalluese e artistet franceze, Merimanga u krijua në mes të viteve ’90, kur Bourgeois (1911-2010) ishte në të tetëdhjetat e saj. Ekziston në versione të panumërta me përmasa të ndryshme,  duke përfshirë edhe disa që kanë përmasa monumentale. Merimanga kishte qëllimin të ishte një homazh për mamanë e artistes, një restauruese sixhadesh  (ndaj aludon  prirjen e araknidit për endjen e rrjetës.)

Porta prej Reje, Anish Kapoor 2006

I quajtur me përkëdheli si “Fasulja” nga qytetarët e Çikagos për formën e saj të harkuar elipsoide, Porta prej Reje, vepra qendrore publike e Anish Kapoor-it për Parkun e Dytë “Millenium” të qytetit, është njëherazi vepër arti dhe arkitekturë, duke siguruar kështu një sfond të gatshëm Instagram-i për vizitorët apo shëtitësit e të dielave në park. E prodhuar nga çeliku pasqyrues, pasqyrimi i shtëpisë së argëtimit dhe përmasat gjigante e bëjnë veprën më të njohur të Kapoor-it.

Aleksandri i Madh, Rachel Harrison, 2007

Vepra e Rachel Harrison –it kombinon formalizmin me një aftësi për të mbushur elementët abstraktë me shumëkuptimësi, si ato politike. Ajo vë në pyetje guximshëm monumentalitetin dhe prerogativën mashkullore,  që shkon bashkë me të. Harrison krijon korpusin e skulpturave të saj duke ngjitur dhe renditur blloqe apo pllaka polisteroli poroz, përpara se t’i mbulojë në një kombinim çimentoje dhe lulëzim të bojatisur. Qershia mbi tortë është një lloj objekti i gjetur, qoftë vetëm apo i kombinuar me të tjerët. Një shembull kryesor është manekini në majë të një formë të zgjatur, të lyer me spërkatje. Duke mbajtur një pelerinë dhe me shpinë nga maska e Abraham Lincoln-it, vepra na sjell teorinë e njeriut të madh të historisë dhe evokimin e pushtuesit të Botës Antike, që qëndron i ngritur në një shkëmb të lyer me ngjyra klouni./ Howard Halle/TimeOut 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë