Politike

Nga Patozi, Topalli, Topi e Hajdari, Basha: Kush do të bëhet patericë e Ramës le ta lidhë fatin me të

BashaGazetaSi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u pyet të hënën gjatë bashkëbisedimit me median nëse, partitë e krijuara nga ish-funksionarë të PD-së, si Astrit Patozi, Bamir Topi, apo ish-deputetë Myslim Murrizi, Rudina Hajdari si dhe lëvizje të pritshme si ajo e Jozefina Topallit i minojnë mundësitë e PD-së për të fituar zgjedhjet.  

“Të gjithë ata që ndajnë bashkë me ne dëshirën dhe vullnetin për ndryshimin që kërkon shumica dërrmuese e shqiptarëve janë pjesë e një përpjekje.

Ata që kanë vendosur të bëhen patericë e një qeverie e kryeministri të dështuar të falimentuar që ka shkelur çdo premtim që për dy mandate ka vjedhur e shkatërruar shqiptarët e ekonominë e tyre ata mendoj që e kanë të lidhur fatin me të.

Kështu që kushdo që është për ndryshimin, njësoj si shumica dërrmuese e shqiptarëve kërkon ndryshim e ka të hapur rrugën e opozitarizmit me të gjitha format e mënyrat, ku PD si forca më e madhe opozitare ka e do ketë edhe përgjegjësinë edhe rezultatin për t’ju përgjigjur sfidës së madhe të ndryshimit që presin shqiptarët”, u përgjigj Basha.

Sipas tij, ndryshimi është i pandalshëm.

“Çdo kush që ka vullnetin e dëshirën për t’ju bashkuar këtij ndryshimi, ka te PD aleat të natyrshëm”.

A është përgjegjësia e tij për ti bashkuar gjithë këto rryma si lider i opozitës?

“Përgjegjësia që e kam marrë shumë seriozisht është një nga arsyet kryesore pse opozita ka sot koalicionin më të madh në historinë 30 vjeçare të pluralizmit, që e shtyu njeriun që ka tmerr e frikë nga zgjedhjet të bëjë të pabërën në 30 vite të ndryshojë Kodin Zgjedhor me shpresën se do gjejë formula që e shpëtojnë nga e pashmangshmja”, u përgjigj ai.

Basha nuk dha një përgjigje direkte se çfarë do të ndodhë me emrat e skualifikuar deri më tash nga baza, më saktë a do të futen ato nga kryesia përmes kuotës së 20%-it?

“Çdo vendimmarrja jonë është transparente dhe do të vazhdoje të jetë transparente.

Dua t’ju them që PD nuk do t’i zhgënjejë shqiptaret. Zgjedhjet tona për ti përfaqësuar shqiptarët do të duhet të plotësojnë integritetin moral, përgatitjen profesionale dhe të ndarjes së vlerave, mbi të cilat PD vepron. Për këto keni garancinë tonë.

Sot ju garantoj për transparencën dhe faktin që publiku shqiptar do të ketë njerëz të integritetit. Çdo hap i yni do të jetë transparent”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë