Politike

‘Nga ndërhyrja te mbështetja’. Basha dredhon me një deklaratë të dytë pas reagimit të trupit diplomatik

E vetmja deklaratë që nuk ndryshon për Bashën është mirënjohja ndaj ndërkombëtarëve. Por kur vjen puna se si trupi diplomatik në Tiranë e përcjell mirënjohjen, Basha dredhon. Të paktën kështu mund të kuptohet reagimi i dytë i Bashës për të njëjtën çështje (zgjedhjet) brenda 24 orëve.

Një natë më parë, pas një prononcimi nga vetë ai se zhurma në Kuvend ishte pjesë e aleancave të vjetra, Basha u pyet nga media nëse mund të ishin të tilla edhe negociatat e fshehta Alibeaj-Gjknuri për zgjedhjet.

I zënë ngushtë, Basha shfaqi komplekse në përgjigje kur tha se ishin futur ndërkombëtarët në lojë. Fundja, nuk kishte asgjë për të justifikuar sa kohë që Basha e gëzon me letra bashkëdrejtimin në komision dhe për pasojë edhe të drejtën për negociata me PS.

“Partia Demokratike si udhëheqëse e këtij procesi - në kuptimin thelbësor të fjalës - ia ka dalë që të bindë palën tjetër për të nisur punën për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore. Detajet besoj do të bëhen shumë shpejt publike, por unë dua të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe që kanë ndihmuar jo thjesht opozitën, Partinë Demokratike në këtë drejtim, por edhe një interes publik të jashtëzakonshëm që është shkatërrimi i skenarëve për të zvarritur edhe një herë procesin e Reformës Zgjedhore”, tha Basha një ditë më parë.

Pasi ndërkombëtarët reaguan sot duke sqaruar pozicionin e tyre, Basha përcolli një deklaratë të dytë po aq mirënjohëse si një ditë më parë, por me një ndryshim thelbësor (edhe pse të vogël në rreshta, aq sa për ta lënë të kuptohet se ishte keqkuptuar) kur i atribuohej jo më ndihmës, por mbështetjes në bllok që ndërkombëtarët japin për reformën zgjedhore.

“Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetjeje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t'u dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë