Futboll

Nga Muamba tek Antonjoni e Zhinola, ata që i kanë bërë një “vizitë” vdekjes

Arreste kardiake, apo përplasje të tmerrshme gjatë lojës, historitë e futbollistëve që u kanë mbijetuar incidenteve dramatike në fushën e blertë.

Fabris Muamba, Lionelo Manfredonia, Xhankarlo Antonjoni, David Zhinola: janë ata me fat, ata që ia kanë dalë të mbijetojnë. Të mbijetojnë ndaj një problemi serioz shëndetësor, apo pas ndonjë përplasjeje të tmerrshme gjatë lojës. Muamba dhe Manfredonia nuk luajtën më futboll, por jetojnë dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Fabris Muamba është ndoshta rasti më i bujshëm.

Mesfushori i Boltonit, që pak minuta pas rënies në fushë të Kristian Eriksenit postoi në Tuiter një mesazh lutjeje, pësoi një arrest kardiak më 17 mars 2012, gjatë një ndeshjeje në stadiumin e Totenhemit. Me origjinë nga Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos, Muamba ishte 23 vjeç në atë kohë. I rritur te të rinjtë e Arsenalit, në 2006-ën kaloi te Birmingemi dhe në 2008-ën te Boltoni.

Momenti kur Muamba ra në fushë. Gazeta Si, 13 qershor 2021

U natyralizua anglez dhe luajti me të gjitha kombëtaret e moshave, deri tek U-21 e Anglisë, ku numëron 33 ndeshje. Një lojtar që në teori u është nënshtruar shumë herë kontrolleve mjekësore, jo vetëm me klubet e tij, por edhe nga federata angleze. Atë të shtunë ai pësoi një infarkt në fund të pjesës së parë. Iu dha ndihma e shpejtë nga stafet e dy skuadrave, por vendimtare ishte ndërhyrja e një mjeku, tifoz i Totenhemit, i pranishëm në stadium: Andrju Diner.

Muamba kaloi 78 minuta në një gjendje të vështirë, në vdekje klinike. Pas shumë tentativash me defibrilator, kur ishte në fushë dhe në ambulancë, zemra e tij rifilloi të rrihte. Më pas u transportua në një spital të Londrës, ku bëri një terapi intensive. Frika se sëmundja do të linte pasoja të rënda tek ai u largua 2 ditë më pas, kur Muamba nisi të lëvizte këmbët dhe të njihte familjarët, duke u përgjigjur pyetjeve. Rikuperimi ishte i jashtëzakonshëm dhe u ndoq hap pas hapi nga tabloidët anglezë.

Dy javë më pas “Sun” publikoi një foto të Muambës duke qeshur. Ai kreu një ndërhyrje kirurgjikale në zemër dhe doli nga spitali më 16 prill, ndërsa më 15 gusht 2012 njoftoi tërheqjen nga futbolli. Sot Muamba është një gazetar sportiv i vlerësuar. “Duhej të zgjidhja, nëse do të rikthehesha të luaja dhe të rrezikoja, apo të ktheja faqe dhe të shijoja mundësinë që m’u dha nga ai shpëtim i mrekullueshëm. Zgjodha të dytën”, - tregon Muamba.

Lionelo Manfredonia ra pa ndjenja në fushë në fillim të ndeshjes Bolonja-Roma, më 30 dhjetor 1989. Një nga të parët që i dha ndihmë ishte Bruno Xhordano, ndërsa ndërhyrja e masazhatorit të Romës, Xhorxho Rosi, ishte vendimtare, evitoi më të keqen me hapjen e gojës dhe me ndihmën e gërshërëve nuk e lejoi të gëlltiste gjuhën. Masazhi kardiak, defibrilatori në ambulancë dhe transporti-rrufe në spital ishin gjithashtu elementë përcaktues.

Lionelo Manfredonia me fanellen e Italise. Gazeta Si, 13 qershor 2021

Pas 48 orësh, Manfredonia u zgjua nga koma dhe një vit më pas tregoi: "I kam borxh jetën Xhorxho Rosit, Ernesto Aliçikos dhe doktor Nakarelës që punoi me defibrilator: pas tre tentativash zakinisht hiqet dorë. Ai bëri edhe të katërtën". U fol për infarkt, por ajo situatë nuk u qartësua kurrë. Manfredonia donte të kthehej në fushë, por Instituti i Shkencës në Sport nuk e lejoi dhe në moshën 33-vjeçare karriera e tij u mbyll.

Xhankarlo Antonjoni rrezikoi jetën pas një përplasjeje me një kundërshtar, Silvano Martinën, më 22 nëntor 1981, në ndeshjen Fiorentina-Xhenoa. Ai u godit pa dashje me gju, çka i shkaktoi një frakturë dhe ndërprerje të përkohshme të rrahjeve të zemrës. Mjeku i Xhenoas, Pierluixhi Gato dhe masazhatori Enio Ravexhi, i bënë Antonjonit frymëmarrje artificiale dhe i kthyen rrahjet e zemrës. Një ndërhyrje kirurgjikale përfekte e lejoi lojtarin e Fiorentinës të luante sërish.

David Zhinola, kur luante me Njkasellin. Gazeta Si, 13 qershor 2021

Mes të mbijetuarve është edhe David Zhinola, ish-lojtari francez i PSG-së, Njëkasëllit dhe Aston Vilës, sot 54 vjeç. Në maj të 2016-ës pësoi një arrest kardiak në një ndeshje bamirësie mes ish-futbollistëve të famshëm. Zemra i ndaloi për 8 minuta. Mbijetoi falë ndihmës së një miku që praktikoi frymëmarrjen artificiale dhe i riktheu zemrën në punë. Me shumë fat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë