Lajme

Nga Mirdita në Sarandë, 57 persona në pranga, shkatërrohen 4 grupe droge

57 persona të përfunduan në prangat e Policisë dhe tetë të tjerë janë shpallur në kërkim në përfundim të një operacioni, që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se është shtrirë në të gjithë territorin e vendit.

Policia thotë se të arrestuarit janë pjesë e katër grupeve kriminale me veprimtari në fushën e narkotikëve, për të cilët hetohej prej tre vitesh, që prej një procedimi penal të nisur që në vitin 2016 dhe ku ka patur bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Arrestimet më të shumta kanë ndodhur në Tiranë, Korçë dhe Fier, ndërkohë që shtrirja gjeografike e aksionit është që nga Mirdita deri në Sarandë. Policia dyshon se të arrestuarit janë pjesë e katër grupeve kriminale me aktivitet të qëndrueshëm në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.

“Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndricim artificial, telefona celularë dhe disa automjete. Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin”, deklaron policia.

Tregu kryesor i lëndës narkotike të prodhuar në Shqipëri ishte Greqia, vendet e tjera të BE-së dhe Turqia. Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Gjatë policia ka sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivim të bimëve narkotike, fara kanabis, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara. Akuzat që rëndojnë ndaj të ndaluarve janë ajo e prodhimit dhe trafikut të lëndëve naarkotike dhe kryerja e veprave të tjera penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Ndaj 57 të ndaluarve është dhënë masa e sigurisë arrest me burg nga ana e gjykatës, ndërkohë që prokuroria ka kohë tre ditë që të marrë në pyetje të pandehurit për të siguruar prova shtesë ndaj tyre. Policia nga ana tjetër, thotë se është vënë në kërkim të tetë shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë