Njerez

Nga mësues në punëtor ndërtimi në Itali, Jetmir Leba: E mendoj gjithmonë kthimin në Shqipëri

Nga Gazeta Si- Jetmir Leba, 49-vjeç nga fshati Shënapremte e Durrësit nuk do ta kishte menduar kurrë se do të vinte një ditë dhe do të linte gjithë ëndrrat e tij në Shqipëri për të ndërtuar një jetë në tokë të huaj.

Viti i mbrapshtë ’97 e gjeti duke u endur më kot në kërkim të një pune, si i porsa diplomuar në degën e histori-gjeografisë në Universitetin e Shkodrës.

Dhe si shumë shqiptarë në ato vite, humbi në firmat piramidale dhe ato pak fitime që familja kishte mbledhur me mund ndër vite.

“Ishte një moment kur nuk kisha çfarë të bëja më. S’po shihja asnjë rrugëzgjidhje dhe vendosa të ikja drejt Italisë me gomone. Nuk e harroj kurrë derisa të vdes atë rrugë mes detit, pa ditur ku do shkoja dhe çfarë më priste”, thotë për Gazetasi.al Jetmir Leba.

Jeta në emigrim nuk ishte ashtu siç e kishte menduar, sigurisht gjuha nuk ishte problem por punët që iu ofruan, as i kishte menduar se do të merrej një ditë.

“Unë kam provuar çdo punë në Itali. Që nga prerja e druve, punimi i tokës me zetor, ndërtim, fabrikë, gjithçka. Sot punoj me një brigadë në ndërtim, shtroj pllaka, lyej mure, bëj hidraulikun, kam mësuar gjithfarë zanatesh”, tregon babai i dy vajzave, njëra 20-vjeç dhe tjetra 8-vjeç.

Prej 8 vitesh ka blerë shtëpinë e tij në vendin ku jeton e punon. E ka ndërtuar nga e para me duart e tij, gjithçka. Nga instalimet e deri te lyerja e mureve. E shijon strehëzën e vet si krijesën e tij, dhe teksa të tregon duart me kallo, thotë se shtëpia ka qenë një nga ëndrrat e tij që e realizoi vetëm pas 15 vitesh punë pa reshtur në tokën e huaj.

“Nuk ka qenë e lehtë të rrisje fëmijët dhe të kurseje para. Por duke bërë dy punë për disa vite me radhë munda të kursej para dhe të blej një shtëpi. E kam bërë gjithçka vetë. Dhe ndjehem krenar që fëmijët e mi po i rris në shtëpinë e tyre. Ne jemi shqiptarë dhe kemi një lidhje të fortë me shtëpinë, nëse nuk e kemi tonën, duket sikur jetojmë jashtë, në rrugë”, thotë Jetmiri.

Integrimi në komunitet

Nëse e pyet Jetmirin se a e ka menduar ndonjëherë të kthehet në Shqipëri, me buzëqeshje të thotë: Gjithmonë!

E megjithatë, kanë kaluar më shumë se 24 vjet në shtetin fqinj dhe Jetmiri tanimë ka krijuar rrethin e tij shoqëror, ku nuk mungojnë miq doktorë mes tyre.

Ai thotë se formimi i tij arsimor dhe korrektësia në punë e kanë diferencuar nga të tjerët e megjithatë puna e tij vijon të jetë ndërtimi.

“Bëj jetë modeste. I kam rritur fëmijët si shqiptar, me kulturën dhe zakonet tona, por e dua Italinë, sepse këtu kam shtëpinë time të dytë. Nuk ka qenë e lehtë në fillim. Nga ngjarjet e këqija që bënin dikur shqiptarët, ne të tjerët që jetonim ndershmërisht, duhet të përballeshim dhe me opinionin e keq që kishin për gjithë komunitetin tonë shqiptar.

Por me vitet, edhe italianë u mësuan të diferencojnë, të na pranojnë dhe të mos na përfshijnë të gjithëve në një vend. Punojmë me korrektësi, por nuk harrojmë zakonet tona. Unë jam pak konservator dhe miqtë e huaj i respektoj ama u vë distancë”, thotë Jetmiri.

E shoqja, një grua e re në moshë thotë se prej 20 vitesh ka ndërtuar një marrëdhënie të mirë me fqinjët dhe koleget. Ajo punon sanitare në një hotel pasi zona ku jetojnë është turistike dhe Irma ka krijuar profilin e saj të punës si grua korrekte, e zonja dhe e ndershme mbi të gjitha.

“Na njohin si shqiptarë, u kemi treguar disa nga zakonet tona që mikun e respektojmë dhe jemi të besës”, thotë ajo.

Por ngjarjet e rënda të ndodhura kohët e fundit në Itali kanë bërë jehonë dhe të dy, Irma dhe Jetmiri flasin me keqardhje për degradimin e familjes shqiptare jashtë.

“Është e vështirë të mbash familjen në emigrim, të respektosh gruan, të rritësh fëmijët si duhet, nëse mes çiftit nuk ka dakordësi, respekt e mbi të gjitha dashuri. Kemi dëgjuar rastet e fundit me tragjedi në familje, ku si pasojë e xhelozisë burri ka vrarë gruan e fëmijët. Kjo ka si shkak mungesën e formimit arsimor por dhe mosintegrimin në komunitet. Unë dua që vajzat e mia të mos ndjehen të huaja në Itali, por edhe të mos harrojnë origjinën e tyre”, thotë Jetmir Leba.

E në fund, ish-mësuesi ka një mesazh për çdo bashkëshort që ka ndërtuar një jetë në emigrim.

“Të duash familjen dhe ti përkushtohesh është detyrë dhe përgjegjësi e çdo burri, por ta mbrosh atë, është detyrë mbi të gjitha”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë