Futboll

Nga Kuaresma te Dumfries, zbulohet lista e talenteve që do Milani

Të shpenzosh aq sa duhet dhe të rritësh vlerën e lojtarit në maksimum. Kjo është filozofia e Milanit për të ardhmen. Klubi kuqezi ka caktuar një buxhet prej 75 milionë eurosh, plus gjysmën e të ardhurave që do të sigurohen nga shitjet, por është e qartë se investimet duhet të jenë të menduara mirë.

Përparësi do të kenë të rinjtë, me ndonjë përjashtim për lojtarët më të afirmuar. Dhe tashmë kanë dalë në skenë emrat e parë të Milanit të ri. I pari është ai i lojtarit të Sportingut të Lisbonës, Eduardo Kuaresmës, mbrojtësit të qendrës që sapo ka mbushur 18 vjeç. Portugezët kanë refuzuar 5 milionë euro nga Milani, plus kartonin e Laksalt. Drejtuesit e Sportingut e kanë kuptuar se kanë një thesar në shtëpi dhe janë gati për t’i rinovuar kontratën deri në vitin 2025, ndërsa “A Bola” bën me dije se klauzola e prishjes së kontratës për Kuaresmën do të jetë 45 milionë euro.

Eduardo Kuaresma, portugezi që kërkohet nga Milani. Gazeta Si, 29 maj 2020

Në të njëjtën kohë, Milani ka nisur kontaktet me drejtuesit e PSV-së për një shkëmbim të mundshëm mes lojtarit të kombëtares së Holandës, Denzel Dumfries, dhe Rikardo Rodriguez, i cili aktualisht është i huazuar te klubi holandez. Mbrojtësi i krahut të djathtë shihet si një investim i sigurt për kuqezinjtë.

Në listën e merkatos së Milanit janë përfshirë së fundi edhe emra të tjerë lojtarësh të rinj në moshë, duke nisur nga Khefren Turam, djali i ish-lojtarit të kombëtares franceze. Të tjerë emra janë Melairo Bogard, nipi Uinston Bogard që luan me Hofenheimin, Kerim dhe Turan Çalhanoglu, kushërinj të Hakanit, lojtarit aktual të Milanit. Në Francë Milani po ndjek me shumë interes mbrojtësin e djathtë të Lionit, 20-vjeçarin Pier Kalulu, dhe sulmuesin e Saint Etien, Bilal Benkhedim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë