Politike

Nga Kryeministria te Parlamenti, përpjekje për të hyrë në godinë. Policia hedh gaz lotsjellës dhe ujë

Opozita e nisi protestën me paralajmërimin për rrethimin e Kryeministrisë, por pas dy marshimesh përreth godinës së qeverisë, Lulzim Basha i zhvendosi protestuesit në drejtim të sallës së seancave plenare të Parlamentit.

Zhvendosja e protestës duket se gjeti të papërgatitura forcat e policisë. Askush nuk e mendonte se në një ditë të shtune, ditë pushimi opozita do të zhvendoste protestën e saj para Parlamentit. Këtu, siguria i ishte besuar një grupi të vogël të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/319348801963669/

Një grup protestuesisht nisën të godasin me gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të tyre. Trau hyrës u shkatërruar dhe nisi përpjekja për të hyrë brenda në godinë. FNSH u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës.

Situata u përshkallëzua aq fort sa policia u detyrua që të devijojë nga plani fillestar i sigurisë. Autobotet me ujë dhe forca të tjerë përforcuese, që ishin stacionuar pranë godinës Kryeministrisë dhe në Sheshin Nënë Tereza, u zhvendosën me shpejtësi në drejtim të Parlamentit.

Policia bëri thirrje për t’u shpërndarë, por thirrjet e tyre u kundërshtuan. Një pjesë e protestuesve hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u përgjigj me topat e ujit dhe gaz lotsjellës. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë gjithashtu u aktivizuan.

Autobotet u futën në rrugën “Murat Toptani”, të njohur si Pedonalja. Në pjesën ku kjo rrugë ndan lulishten e Kuvendit me qendrën tregtare “Toptani” përballë tyre ishin vendosur një grup protestuesisht.

Pas disa minutash përplasjeje, Policia fitoi terren. Protestuesit u përqendruan para godinës së Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndërsa autobotet e ujit dhe forcat përforcuese të policisë e Gardës hynë në oborrin e Kuvendit dhe shumëfishuan sigurinë.

Menjëherë pas kësaj, uniformat blu nisën thirrjet me autoparlant, ku u kërkonin protestuesve që të ndalnin aktet e dhunës ndaj policisë. Ndërkohë, nga pallatet në krah të rrugës “George W. Bush” u stacionuan efektivë të policisë, që nga lartësia nisën të hedhin në drejtim të turmës së përqendruar gaz lotsjellës.

Lulzim Basha, që gjatë kësaj periudhë shikonte nga distanca përplasjet, deklaroi se nuk do të tërhiqej. Pasi siguria e Kuvendit u fortifikua, Basha dhe drejtuesit e tjerë të opozitës udhëzuan mbështetësit e tyre për marshimin e fundit.

Kryedemokrati Lulzim Basha ishte i shoqëruar në këtë protestë me bashkëshorten e tij, Aurela Basha. Në kulmin e hedhjes së gazit lotsjellës, ku tymueset fluturonin nga qielli, gazi i tepërt lëndoi protestuesti e shumtë, të cilët morën drejtim nga zona e Urës së Tabakëve dhe lulishtes “1 Maji” për t’i shmangur pasojat. Për disa minuta kryedemokrati Basha me ndihmën e shoqëruesve dhe disa personave të tjerë u ndihmua që te merrte veten.

Pas disa minutash qetësimi, Basha iu bashkua turmës, e cila merrte “zemër” sa herë që liderët e PD-së afroheshin drejt zonës së hyrjes kryesore të sallës së seancave të Kuvendit.

Policia pasi mori situatën nën kontroll, ku vendosi makinat ujëhedhëse para hyrjes kryesore, nisi të lëshonte thirrjet nga altoparlanti.

“Të nderuar qytetarë, mos ushtroni dhunë ndaj policisë. Në rast se pas minutash do të ushtroni akte dhune, policia do të ndërhyjë duke zbatuar ligjin. I bëjmë thirrje z.Gazment Bardhi, sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, si përgjegjës dhe organizuar i protestës të marrë masat”, dëgjoheshin thirrjet nga përtej altoparlantit, që u përsëritën disa herë.

Kjo thirrje duket se qetësoi situatën, dhe menjëherë turma së bashku me kryedemokratin Basha iu larguan sheshit përpara sallës së Parlamentit duke iu drejtuar selisë së PD-së. Lajmi se kryedemokrati shkoi drejt selisë së PD-së u përhap menjëherë, dhe të gjithë protestuesit që ishin mbledhur edhe përpara kryeministrisë u larguan për t’u drejtuar aty ku nisi protesta, “shtëpisë” së demokratëve.

.

Para Kryeministrisë protestë e qetë

Protestuesit e parë të opozitës mbërritën në Tiranë para orës 11:00, kohë kur Partia Demokratike dhe aleatët e saj kishin njoftuar tubimin para godinës së Qeverisë, por duke mbajtur sekret pjesën tjetër të agjendës së tij.

Ajo që u mësua që prej së premtes ishte se në protestë nuk do të kishte fjalime. Të shtunën një detaj i ri doli në shesh. Partia Demokratike kishte kërkuar leje 48-orëshe për protestën. Leja është refuzuar nga ana e Policisë së Shtetit.

Protestuesit e parë u shfaqën në bulevard në grupe të vogla të organizuara rreth orës 10:00. Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kishin përfunduar gjatë orëve të natës planin e sigurisë së godinës. Një barrierë metalike ishte vendosur në një perimetër të gjerë përreth gjithë Kryeministrisë, e cila edhe gjatë natës ishte me siguri të përforcuar.

Me shtimin e numrit të protestuesve në shesh, po shtoheshin gradualisht edhe thirrjet “Rama Ik” dhe incidentet sporadike me Policinë e Shtetit. Lulzim Basha, i shoqëruar Sali Berisha, Monika Kryemadhi, një grup ish-deputetësh të opozitës dhe me në sfond kolonën zanore të filmit “Skënderbeu”, vepër e të madhit Cesk Zadeja mbërritën pak pas orës 11:00 në shesh.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/359635238094902/

Askush prej tyre nuk mori fjalën. Fjalën e mori Flamur Noka. Deri në këtë moment, as mediat dhe as protestuesit nuk ishin në dijeni se cili do të ishte hapi tjetër i protestës. Flamur Noka e zbuloi atë. Ai ftoi pjesëmarrësit që ta ndiqnin në marshimin e rrethimit të asaj që e quajti “godina e krimit”. Skenari ishte rrethimi i Kryeministrisë.

Protestuesit u futën në rrugën mes Hotel Rogner dhe Kryeministrisë. Bënë rrotullimin e plotë dhe u rikthyen sërish në Bulevard. Me veprën e Çesk Zadesë dhe këngë të rock-bandës të shqiptarëve nga Kosova, “Troja” marshimi rrethues u përsërit edhe dy herë të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë