Politike

Nga hapja e një Universiteti spanjoll tek parandalimi i emigracionit të paligjshëm, vendimet e qeverisë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë njoftoi që një prej vendimeve të rëndësishme të miratuara sot ka të bëjë me programin e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.

Ministrja tha se brenda këtij viti, në Gjirokastër, do të hapet filiali i Universitetit Publik të Edukimit në Distancë të Spanjës.

Sipas Manastirliut kjo marrëveshje e miratuar në parim mes Shqipërisë dhe universitetit kombëtar në distancë UNED pritet të sjellë një seri programesh studimi dhe kurse profesionale.

“Pas vendimit për hapjen e kolegjit të Evropës, tashmë miratojmë në parim një marrëveshje të rëndësishme me universitetin kombëtar në distancë për hapjen e këtij universiteti në Gjirokastër”.

“Një prej universiteteve më prestigjioze në botë”, siç e konsideroi Ministrja, Universitet shtetëror i Spanjës dhe do sjellë një seri programesh studimi dhe kurse profesionale.

“Janë më shumë se 30 programe të studimit bachelor, 80 programe të ciklit master dhe 20 programe doktoratash që ky universitet ofron në shumë vende të botës”.

Sipas saj, filialet e universitetit Shtetëror të Spanjës janë në mbi 70 qytete dhe do të sigurohet njohja e titujve dhe gradave automatikisht.

Miratohet strategjia kombëtare kundër emigracionit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, njoftoi vendimet e qeverisë ku bëri me dije se kanë miratuar një strategji kombëtare, me qëllim parandalimin e emigracionit të paligjshëm dhe frenimin e kërkesave për azil.

Gjithashtu, vijoi Balla, në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030” qeveria synon rikthimin dhe integrimin e emigrantëve shqiptarë në tregun e punës në vend.

“Fokusi ndahet në disa drejtime kryesore. Parandalimi i emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve. Parandalimi i azil kërkimit. Riintegrimi në tregun e punës së emigrantëve. Synimi ynë të rrisim ofertën për të gjithë vëllezërit dhe motrave tanë për t’u rikthyer në Shqipëri dhe na duhet kjo strategji që duhet të mbart në vetvete të gjitha masat për riintegrimin”, tha ai.

Ministri gjithashtu tha se kanë gati dokumentin për menaxhimin e flukseve migratore për emigrantët që vijnë vendet e tjera, i cili është i konsultuar, edhe me direktivat e BE-së.

Ministri foli edhe për ndryshimet në kuadër të zhvillimit teknologjik.
“Synimi ynë është shkojmë drejt digjitalizimit dhe dokumentet të mos mbahen më në portofol, dhe të ecim përpara sa më shpejt të dokumenteve digjitale”, tha ai.

Ministri i Brendshëm u ndal edhe tek dhuna gjatë protestës pranë Bashkisë Tiranë, ku u shpreh se “është e papranueshme dhuna ndaj institucioneve dhe dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit”.

Ai i bëri thirrje Prokurorisë që të gjitha rastet të ndiqen me vëmendje.

“Dhuna ndaj një punonjësi të policisë është një dhunë ndaj shtetit. Pra edhe ky fraksion i opozitës duhet të kuptojë që koha kur sulmoheshin institucionet ka mbaruar”, shtoi ai.

Balla gjithashtu njoftoi rritje të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe për punonjësit e Gardave.
Ministri nuk dha shifra të sakta se sa do të jetë rritja e pagës por tha se do të ishte ajo që kanë pritur punonjësit e policisë.

Ndërhyrje në 4 ligje për mjedisin

Gjithashtu, pas mbledhjes së qeverisë foli edhe Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e cila njoftoi për ndryshime në katër projektligje për mbrojtjen e mjedisit dhe ashpërsimin e masave për shkelësit.

Kumbaro theksoi se qeveria vendosi për ndryshim në ligjin për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis, ligjin për mbrojtjen e mjedisit, ligjin për mbrojtjen e biodiversitetit dhe për vlerësimin e ndikimit në mjedis.
Ministrja nënvizoi edhe faktin se masat ndëshkimore do të rriten me 30% dhe se gjobat do të bëhen menjëherë të ekzekutueshme.

“Më akute bëhet kjo ndërhyrje ku popullsia e Shqipërisë nuk është më 2.8 milionë banorë. Por me shtimin e flukseve turistike, krahas gjithë masave që ka marrë qeveria shqiptare për mirëmbajtjen e mjedisit, masat administrative, gjobat janë jo thjesht pjesë penalizmi, por edhe masë edukimi. Të gjitha masat ndëshkimore rriten me 30% dhe kthehen menjëherë në titull ekzekutiv”, deklaroi Ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë