Njerez

Nga emigrant ilegal në ambasador të Shqipërisë në Britaninë e Madhe, historia e pabesueshme e Uran Ferizit

Nga Gazeta Si - Ambasadori i ardhshëm i Shqipërisë në Londër do të jetë Uran Ferizi. Është një histori e jashtëzakonshme ajo e tija, pjesërisht sepse ‘takimi’ i parë i Ferizit me Britaninë ishte shumë vite më parë, në 1998, ku ai hyri ilegalisht, si mijëra shqiptarë të tjerë. Ishte vetëm 17 vjeç dhe s'kishte asgjë tjetër me vete përveç rrobave që mbante në trup.

Historia e Ferizit sot është bërë virale në të gjitha mediat britanike, por reporteri Alasdair Palmer, i revistës së përjavshme "The Spectator", na tregon historinë e njohjes me Ferizin rreth një dekadë më parë dhe vetë historinë e emigrantit që sot do të përfaqësojë Shqipërisë në Britaninë e Madhe.

“Uran Ferizin e kam njohur për herë të parë më shumë se një dekadë më parë dhe mësova për historinë e tij. Ai më tha se kishte qenë i vendosur të shkonte në Britani që kur ishte 15 vjeç. Ishte i vendosur të studionte në Universitetin e Oksfordit, pjesërisht sepse babai i tij kishte përmendur arsimin në Oksford si një shembull të diçkaje që djali i tij nuk mund ta arrinte kurrë. Kjo e kishte mbushur Uranin e ri me një dëshirë të fortë për t'i treguar të atit se e kishte gabim. Ai ndjeu se nuk kishte të ardhme për të në Shqipëri. U bind më shumë kur prindërit e tij humbën pjesën më të madhe të kursimeve në firmat piramidale që falimentuan miliona shqiptarë”, shkruan Palmer.

Lufta e suksesshme e Uranit për të arritur në Britani dhe Oksford dëshmon këmbënguljen e tij fenomenale

Me ndihmën e familjes së tij, adoleshenti Uran Ferizi arriti të mbledhë 300 euro që i nevojiteshin për një vend në një varkë nga Shqipëria në Itali. Ajo varkë u ndërtua për të akomoduar shtatë persona por më shumë se 30 u futën në të.

Policia italiane patrullonte në Adriatik. Për t'i shmangur ata, trafikantët zgjodhën një rrugë që e shtyu udhëtimin me disa orë ndërkohë që deti ishte jashtëzakonisht i trazuar. Një varkë tjetër ishte nisur në të njëjtën kohë dhe nga i njëjti vend. Por ajo kishte qenë e pafat: Të gjithë në bordin e saj u mbytën. Urani nuk e dinte këtë në atë kohë. Ai e mori vesh vetëm kur telefonoi në shtëpi dhe zbuloi se e ëma mendonte se ai kishte vdekur ndërkohë që lajmet në Shqipëri ishin plot me fatkeqësi.

Uranit iu desh të notonte për më shumë se 100 metra për të arritur bregun italian. Ekuipazhi urdhëroi të gjithë pasagjerët të zbrisnin nga varka ende pa arritur në breg.

Kur më në fund doli nga uji, Ferizi eci për gjashtë orë për të shkuar në Brindizi.

Trafikantët i thanë se mund të merrte një taksi për në Milano. Kështu ai shpenzoi dhe paratë e fundit që i kishin mbetur për t’ia dhënë një taksisti. 17-vjeçari i rraskapitur u hodh në makinë ku bëri një ‘gjumë vdekjeje’ derisa u zgjua dhe taksisti i tha se ishte në Milano. Vetëm kur arriti në stacionin hekurudhor kuptoi se nuk ishte atje, ishte mashtruar dhe ishte ende në Brindizi.

I uritur dhe akull i ftohtë, me rrobat që as nuk po i thaheshin dhe pa para, vendimi më i mirë për të ishte të hiqte dorë nga vajtja në Oksford. Por Urani hipi gjithsesi në një tren që shkonte në veri, për në Milano. Detyra e tij e parë ishte se si të shmangte faturinot.

Ishte ulur në një vagon përballë një zonje italiane, e cila kishte ndjerë keqardhje teksa e kishte parë të mardhur në stacion. Ai i kishte treguar për udhëtimin e tij të fundit dhe për mashtrimin nga taksisti.

Kur faturino mbërriti, gruaja pagoi për biletën e tij.

Në Milano, Urani hyri fshehurazi në një tren që shkonte për në Antwerp, ku kishte një kushëri me të cilin mund të qëndronte disa ditë, derisa të gjente ndonjë për mundësi se si të kalonte Kanalin. Problemi ishte përsëri se si të shmangte biletën, për të cilën nuk kishte para. Këtë herë, u ndihmua nga një grup gazetarësh, me të cilët kishte nisur bisedë për emigracionin dhe për ambicien e tij. Duke e ndjerë historinë e Uranit, gazetarë ndihmuan dhe ai përsëri ia doli të bënte një udhëtim të gjatë me tren pa paguar.

Pasi arriti në Antwerp, Urani qëndroi me kushëririn e tij për tre javë. Zbuloi se ku në Ostend parkonin kamionët që shkonin në Britani dhe se si, gjatë natës, mund të futeshe në to pa e marrë vesh shoferi. Herën e parë që arriti të hipte në pjesën e pasme të një kamioni, kishte zgjuar shoferin, i cili e kishte përzënë menjëherë. Herën e dytë e kishte zbuluar qeni antidrogë i policisë lokale. Policia e kishte shoqëruar në stacionin më të afërt, e kishte urdhëruar të merrte trenin tjetër për në Bruksel dhe më pas ishte larguar. Urani ishte ulur në një vagon të zbrazët. Për herë të parë, kishte ndjerë se ëndrra e tij për të shkuar në Oksford kishte përfunduar. I rraskapitur, i dëshpëruar dhe i uritur, kishte menduar se sa shpesh i ati i kishte thënë se nuk do t'ia dilte dot kurrë të shkonte në Oksford. Ky mendim ishte i mjaftueshëm për ta nxitur që të provonte përsëri. Kishte zbritur nga treni dhe kishte shkuar në radhën e kamionëve që prisnin të kontrolloheshin nga dogana dhe policia.

Emigrantë të paligjshëm zbulohen në kamionët e mallrave në Dover

Ishte futur nën një kamion që e dinte se do të shkonte në Dover dhe kishte gjetur një mënyrë për t'u varur në shasi. Kishte dëgjuar nga poshtë kamionit përsëri kërkimet e policisë dhe qenve. Kishte mbyllur sytë dhe kishte pritur të pashmangshmen. Por e pashmangshmja nuk ndodhi. Këtë herë qeni nuk e kishte pikasur. Kamioni ishte ngjitur në rampë, drejt tragetit.

Pra, ky njeri që këtë janar të vitit 2024 do t'i paraqesë kredencialet Mbretit Charles III, ishte zvarritur nga poshtë kamionit dhe më në fund kishte gjetur rrugën e tij në Britaninë e Madhe.

Sapo kishte mbërritur në Dover, Urani kishte kontaktuar këshillin lokal. Duke qenë se nuk i kishte mbushur ende 18 vjeç, ishte i mitur dhe shërbimet sociale duhej të kujdeseshin për të. Media britanike shkruan se Ferizi kishte mbërritur në Britaninë e Madhe si një migrant ilegal – pa asnjë dokument identifikimi në Dover, duke pretenduar rrejshëm se ishte arratisur nga lufta në Kosovë. Ai u lejua të qëndronte derisa çështja e tij vlerësohej.

Atij iu dhanë 20 paund dhe një vend për të qëndruar. Por ai donte të shkonte në Oksford. Mori një tren për në Londër. Aty ai kontaktoi shërbimet sociale, të cilat i gjetën një dhomë të cilën e ndante me një tjetër emigrant ilegal.

Detyra e parë e Uranit ishte të gjente një punë. Pas katër ditësh vërdallosjeje nëpër Londër, duke u ndalur në çdo vend që kishte një tabelë jashtë që ofronte punë, ai më në fund u punësua të lante enët në një restorant grek në Islington. Gjithashtu filloi të ndiqte shkollën e natës, në klasat e mbrëmjes, fillimisht për të përmirësuar anglishten, e më pas për të marrë nivelet A, të cilat ai e dinte se i duheshin nëse dëshironte të arrinte në Oksford. Ai takoi edhe gruan që do të bëhej gruaja e tij. Të dhënat publike tregojnë se ai u martua me një grua britanike të quajtur Sarah Lennon në Hammersmith, West London, në maj 2000.

Edhe pse ai e donte dhe e kujton si ‘të bukur dhe të zgjuar’, martesa u shkatërrua për shkak të çështjes së fëmijëve dhe Oksfordit. Ai donte fëmijë, ajo jo. Ai ishte i vendosur të shkonte në Oksford, por ajo i kishte thënë se duhej të zgjidhte; o atë, o Oksfordin.

Ai zgjodhi Oksfordin dhe u divorcuan.

Urani kaloi nivelin A të matematikës dhe fizikës. Aplikoi në Kolegjin Universitar të Oksfordit. Ishte thirrur për intervistë dhe kishte kaluar testin e matematikës në kolegj. Për kënaqësinë e tij të pakufishme, iu ofrua një vend për të studiuar inxhinieri. Por ishte ende një emigrant ilegal dhe nuk mund ta zinte atë vend derisa statusi i tij të rregullohej. Shkoi në Lunar House në Croydon, qendra e Home Office për vizat dhe emigracionin. Zyrtar që e priti i shpjegoi Uranit se mund ta dëbonte urgjent që në atë moment.

Urani i tregoi zyrtarit letrën nga Oksfordi. I tha zyrtarit se kishte një zgjedhje: Mund të shkatërronte të ardhmen premtuese të një të riu duke e dëbuar, ose mund t'i jepte mundësinë të shkonte në Oksford dhe të bënte diçka të dobishme me jetën e tij.

Kolegji Universitar i Oksfordit

Zyrtari i tha Uranit të priste jashtë zyrës, ndërsa ai konsultohej me kolegët. Pas asaj atij i ishte dukur një përjetësi, ishte thërritur emri i Uran Ferizit. Zyrtari i kishte dhënë një copë letër. Në krye të saj thuhej: Leje për të qëndruar pa afat.

Ferizi edhe sot e kësaj dite nuk e di se si është marrë ai vendim, apo saktësisht pse zyrtarët e Home Office vendosën ta lënë të qëndrojë në Britani. Sipas një zbatimi të rreptë të rregullave, ai duhet të ishte dëbuar dhe tani, në të njëjtat rrethana, do të ishte me siguri një emigrant ilegal shqiptar, pa dokumente, siç ishte ai.

Më vonë Uran Ferizi aplikoi dhe mori nënshtetësinë britanike. Ndërsa tani, për t'u bërë ambasador i Shqipërisë në Londër, atij i është dashur të heqë dorë nga shtetësia britanike, siç e kërkon statusi diplomatik. Ishte një vendim shumë i dhimbshëm. Të qenit britanik është diçka shumë e bukur për të: Borxhi i mirënjohjes që ai ndjen ndaj këtij vendi është kolosal. Por thotë se është siguruar se mund të riaplikojë për nënshtetësi britanike sapo të mbarojë koha e tij si ambasador i Shqipërisë.

Por pse u zgjodh në radhë të parë për të qenë ambasador i Shqipërisë? Pas Oksfordit, Dr Ferizi ishte bankier për një periudhë të shkurtër, përpara se të përfundonte doktoraturën në modelimin mikrostrukturor të trurit në UCL. Më pas ai punoi në shkollat mjekësore të NYU dhe Stanford. Hulumtimi i tij kontribuon në përparimet në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të tilla si skleroza e shumëfishtë dhe Parkinson, duke u sjellë përfitime njerëzve jo vetëm në Britani por në mbarë botën.

Këto janë arritje mbresëlënëse, por nuk janë kualifikime të dukshme për të qenë ambasador në Londër. Megjithatë, demonstrojnë inteligjencën e Dr Ferizit, që është një kualifikim i vërtetë, siç është zotërimi i tij i përsosur i anglishtes, të cilën ai e flet po aq mirë dhe, në të vërtetë, më mirë se shumë anglezë. Lufta e tij e suksesshme për të arritur në Britani dhe në Oksford dëshmon gjithashtu këmbënguljen dhe vendosmërinë e tij fenomenale, të cilat të dyja janë kritike për suksesin në diplomaci dhe politikë.

Pavarësisht se nuk ka punuar kurrë në shërbimin diplomatik, ai u propozua për postin e ambasadorit nga qeveria shqiptare në qershor.

Zyra e Brendshme e Suella Braverman ngriti shqetësime për emërimin e Ferizit kur ai u emërua, por kjo u anulua nga Ministria e Jashtme.

Kur Rishi Sunak të takohet me ambasadorin e ardhshëm shqiptar në Londër, kryeministri do të ndeshet me një njeri që njeh nga brenda problemet e emigrimit të shqiptarëve në Britani. Nëse ka një zgjidhje për ato probleme, askush nuk është më shumë në gjendje ta gjejë atë sesa Uran Ferizi.

Burime: The Spectator, Daily Mail. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë