Politike

Nga deklarata se nuk e njeh Covidin, tek shtyrja e Konventës prej Covid-it, metamorfoza e Kryemadhit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi  është ndër të paktat politikane që publikisht sfidoi vendimet e komitetit teknik për të mos vendosur maskë në publik si masë paraprake ndaj përhapjes së Covid-19.

Në një ditë të nxehtë gushti, teksa dilte nga teqeja në malin e Tomorit, ajo habiti shumëkënd kur tha; "Unë nuk e njoh COVID, kush beson në Zot do të jetojë i lumtur pa COVID...”.

Kjo ishte Kryemadhi e muajit Gusht që vijoi të mbetej e tillë edhe më vonë, teksa në anën tjetër bashkëshorti i saj, Presidenti i Republikës, Ilir Meta apelonte për më shumë masa nga qeveria dhe kujdes të shtuar ndaj Covid-19.

Deri sa në zgjedhjet për kryetar partie, Kryemadhi ndryshon qëndrim dhe për herë të parë shfaqet me maskë, një xhest që siç u shpreh vetë ajo, e kishte duartrokitur edhe Meta.

Erdhën festat e Nëntorit dhe Kryemadhi sërish pa maskë, jo vetëm ajo por edhe shumë syresh kryesisht të rinj të LSI-së.

Të enjten në mbrëmje, përmes një deklaratë zyrtare e deri diku ceremoniale me flamuj pas, Monika Kryemadhi bën deklaratën e beftë; Do të shtyjmë në një kohë tjetër Konventën Kombëtare të 5 dhjetorit të LSI-së.

Por në emër të kujt?

“Të gjithë ne, por dhe e mbarë bota, po përballemi me një situatë të paprecedentë. Prandaj, Lëvizja Socialiste për integrim, që prej kur u shfaq pandemia e në vijimësi, ka refuzuar të bëjë politikë me pandeminë.

Por ndërkaq, nuk do të lejojmë askënd që pandeminë ta përdorë për politike.

Vendimi im për të shtyrë mbledhjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është njëherësh edhe shenjë homazhi për ata që kanë humbur jetën prej pandemisë, është solidaritet më të gjithë qytetarët që po përballojnë me njëmijë e një sakrifica dhe pa mbështetjen e shtetit, kostot e mëdha të luftës për jetën dhe në emër të dashurisë për jetën.

Në emër të dashurisë për jetën, unë ju ftoj sot që ta duam më shumë njeri-tjetrin dhe t’i gjendemi në krah në këtë kohë të vështirë çdo njeriu në nevojë”, tha Kryemadhi.

Një ditë më parë, Kryemadhi u shfaq me maskë edhe gjatë një takimi me Ambasadorin Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë