Politike

Nga akuzat për SPAK, nepotizmin, sulmi si ‘politikane’ dhe gara për partinë/ Katër mesazhet e Kryemadhit për Ilir Metën  

Katër ishin reagimet e Monika Kryemadhit ndaj Ilir Metës në një deklaratë të së enjtes mbasdite ku më shumë morën kohë pyetjet sesa përgjigjet.

 Së pari; Monika Kryemadhi qartësoi se është dakord me qëndrimin e Metës ndaj drejtësisë por nuk ishte dakord me mënyrën se si ai e përcjell.

“Në çdo fjalë që Ilir Meta ka thënë për kapjen e drejtësisë nga qeveria jam shumë dakord, për mënyrën mendoj që... E them përsëri vjen revolta sepse në një moment njerëzit edhe revoltohen, përsëri vazhdoj edhe mendoj që SPAK-u është një vegël e Edi Ramës dhe beteja jonë nuk është me SPAK...”, tha Monika Kryemadhi pas daljes nga seanca parlamentare.

Së dyti; Ajo deklaroi se është sulmuar nga Meta si politikane dhe jo si bashkëshorte.

“Bashkëshorti nuk më ka sulmuar si bashkëshorte. Më ka sulmuar si politikane”  

A ndihet ajo e keqardhur ndaj këtij sulmi? Kryemadhi iu spërdrodh përgjigjes:  “Po keq ju ka ardhur juve që Erion Veliaj ka paditur në SPAK mamanë time fëmijët e mi?...”

Së treti; Kryemadhi kundërshtoi Metën për nepotizëm në parti.

“Mendoj që meritokracinë në një parti politike nuk e mbyt dot nepotizmi. Nepotizmi është për institucionet shtetërore kur emëron, ndërsa deputeti zgjidhet me vota. Mund të të emërojë Ilir Meta deputet por problemi është që nuk të zgjedhin njerëzit me vota...”

Së katërti; Një shpotitje për vetkandidimin si president partie të Ilir Metës.

E pyetur nëse do të garojë përballë tij, (një ftesë që edhe Meta ia la të hapur), Kryemadhi u përgjigj: “Unë kandidoj me mendime nuk kandidoj me kandidatura”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë