Futboll

Nga 17 maji hap stadiumet, Anglia mund të organizojë e vetme Europianin

Lajme të mira për tifozët anglezë. Plani i kryeministrit Boris Xhonson parashikon një rikthim të pjesshëm të tifozëve për javën fundit të kampionatit. Për Europianin pritet që stadiumet të jenë plot dhe mendohet që të organizohet i gjithë turneu në Britaninë e Madhe.

Anglia mund të jetë vendi i parë europian që do të rihapë stadiumet për të pritur deri në 10 mijë persona. Është një nga të rejat e qeverisë së Boris Xhonson për rikthimin gradual në normalitet, falë planit të vaksinimit që ka filluar më 8 dhjetor 2020 dhe që e ka kaluar kuotën e 17.5 milionë dozave. Ky plan është i ndarë në 4 faza.

Tifozë anglezë në stadium. Gazeta Si, 23 shkurt 2021

Në fazën e parë, nga 29 marsi mund të kthehen të zhvillojnë aktivitete në ambiente të hapura sporte si tenisi apo golfi. Në fazën e dytë, që nga 12 prilli do të rihapen pishinat dhe palestrat. Faza e tretë, që nis më 17 maj, ka lidhje me futbollin, do të rihapen kinematë dhe hotelet dhe do të lejohet zhvillimi i eventeve kulturore dhe sportive. Në stadium mund të lejohen maksimumi 10 mijë persona, ose çereku i kapacitetit të impanteve më të vogla. Kjo do të thotë se javën e fundit të Premier Ligës, të dielën e 23 majit, do të ketë tifozë.

Kjo rihapje mund të ketë zhvillime të rëndësishme për Europianin e verës së ardhshme, që starton më 11 qershor dhe mbyllet me finalen e 11 korrikut. Formati është ai i një turneu me 24 skuadra që do të luajnë në 12 stadiume të 12 vendeve të ndryshme, ku Britania e Madhe përfaqësohet me Anglinë dhe Skocinë. Pikërisht Anglia do të presë 7 ndeshje në “Wembley”, 3 të fazës në grupe, 1 të fazës së 1/8-ve, 2 gjysmëfinalet dhe finalen. Rihapja e stadiumeve do të bënte që në Angli të luhet me tifozë.

Logo dhe trofeu i Europianit. Gazeta Si, 23 shkurt 2021

Dhe kjo mund të jetë një shtysë për një skenar të ri. Në planet e qeverisë ka një hipotezë për hapjen totale të stadiumeve për tifozët që nga mesi i qershorit. Brenda kësaj kohe duhet të jetë vaksinuar e gjithë popullsia e rritur dhe një pjesë e madhe do të ketë marrë edhe dozën e dytë. Një situatë që mund të vërtetojë lajmin e “Sunday Times” për tentativën e Federatës Angleze të Futbollit, e mbështetur nga qeveria, për të organizuar gjithë Europianin në Angli.

Stadiumet nuk janë problem, harta është gati: Londër, Mançester, Liverpul, Birmingam, Leiçester, Njukasëll, Lids, Volverhempton janë qytetet e përfshira. Ka pak mundësi që të realizohet ky skenar, por fakti që masat për udhëtimet jashtë vendit do të jenë të fundit që do të hiqen, mbetet një e dhënë e rëndësishme. Europiani 2021, falë Anglisë, mund të mos jetë një festë e mbyllur.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë