Bilbili i këngës shqipe, mbrëmjen e ditës ë djeshme ka lëshuar tinguj ndihme.
E gjendur në banesën e saj, këngëtarja Nexhmije Pagarusha ka kërkuar për ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve. Ekipet e ndihmës së shpejtë janë parë të mbërrijnë në lagjet “Ulpiana”, ku jeton ylli 85-vjeçar i muzikës shqipe e më pas është dërguarnë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nga kjo qendër është bërë gjithashtu e ditur edhe gjendja aktuale e saj, tashmë e normalizuar. Zëdhënësi i QKUK-së,Shpend Fazliu ka thënë se pacientes po i kryhen ekzaminimet e duhura në klinikën e radiologjisë.
Vetëm një muaj më parë Pagarusha, e pagëzuar si mbretëresha e muzikës popullore, kishte festuar ditëlindjen e 85-të të saj. Muzikës i është larguar prej disa kohësh, megjithatë nuk i rezistoi ngasjes për t’u rikthyer edhe njëherë në një duet me këngëtaren Violetë Kukaj-Retkoceri me këngën “Mbushni gotat”.
Veprimtaria e saj 50 vjeçare në muzikë është shënjuar me këngë që kanë bërë epokë dhe janë kthyer në të paharrueshme si “Baresha”, “Zambaku i Prizrenit”, “Ani mori nuse” e shumë të tjera.
Në Kosovë, Nexhmije Pagarusha është shpallur s ‘Këngëtarja e Shekullit”, në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i dha titullin “Nderi i Kombit”. Po ashtu me medalje mirënjohjeje është dekoruar edhe nga presidenti amerikan Donald Trump.
E lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, ajo do të ndiqte shkollën e muzikës për solo kanto në Beograd, duke marrë vendimin t’i ndërpriste studimet në vitin e tretë. Në skenat e Beogradit shënoi edhe paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 nisi punën si soliste në Radio Prishtinë. Ka qenë pjesëmarrëse në koncerte të organizuara në Kosovë, Shqipëri, Bullgari e Izrael. Sarajeva do të qe edhe stacioni i fundit i karrierës së saj, pas një koncerti të organizuar atje në vitin 1984. Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të drejtuar nga Ardit Gjebrea e po ashtu ishte anëtare e jurisë së festivalit “Kënga Magjike 2005”.
E dashur nga publiku i gjerë për vokalin e saj dhe këngët që tashmë bëjnë pjesë në repertorin historik të muzikës shqiptare , karriera e Pagarushës i ka kaluar kufijtë e muzikës popullore, duke interpretuar në filma, teatër e po ashtu në muzikën klasike me veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit e Verdit. Mendohet se gjatë karrierës, Pagarusha ka interpretuar mbi 150 këngë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.