Shendet

Neuroshkencëtari Hans Keirstead: Sistemi imunitar është një enigmë, ne nuk e kuptojmë pothuajse fare diversitetin e tij

Nga Gazeta 'Si' - Brenda çdo qenieje njerëzore ekziston një ushtri qelizash, indesh dhe organesh që e ruajnë organizmin nga kërcënimet e jashtme. Së bashku, ato përbëjnë sistemin imunitar, një rrjet kompleks biologjik, nga i cili varen në një masë të madhe mbijetesa, shëndeti dhe sëmundjet që kalojmë.

Shkenca ka arritur të zbulojë të dhëna mbi strukturën e tij, mënyrën e veprimit. Madje ka mësuar që ta trajnojë përmes ilaçeve specifike, që synojnë të njohin armiqtë e trupit dhe t’i asgjësojnë këta të fundit. Por pavarësisht këtyre përparimeve, njohuritë tona mbi sistemin imunitar vazhdojnë të jenë të kufizuara.

Madje neuroshkencëtari Hans Keirstead, kreu i Projektit Human Immunome (HIP), një nismë ndërkombëtare jofitimprurëse, që ka vendosur të dekodojë këtë rrjet kompleks biologjik, thotë se ka pjesë të tij që nuk janë kuptuar ende. Hapi i parë i këtij projekti, do të jetë përpilimi i të dhënave nga miliona njerëz nga e gjithë bota, në mënyrë që të ndërtohet një bazë të dhënash solide dhe e larmishme. Më pas, me ndihmën e modeleve të Inteligjencës Artificiale (AI), mund të parashikohet përgjigja imunologjike, e cila do të të përshpejtojë kërkimin shkencor.

A është ende një enigmë sistemi ynë imunitar?

Sistemi imunitar i njeriut është një enigmë për çdo imunolog në botë. Ne njohim më pak se 5 për qind të tij. Ne kuptojmë shumë gjëra mbi sistemin imunitar në përgjithësi, por nuk kuptojmë gati asgjë mbi diversitetin e tij. Ne e kuptojmë atë në mënyrë statike, por nuk e kuptojmë se si ndryshon në përgjigje të moshës, sëmundjes, përkatësisë etnike, klasës ekonomike sociale…

Është një ndryshim, të cilin ne ende nuk e kuptojmë. Projekti i Imunitetit të Njeriut, do të kodojë sistemin bazë imunitar të njeriut në çdo variant që sapo përmenda. Ai do të përcaktojë sistemin imunitar në çdo popullatë, gjë që do të sjellë zhvillimin e më shumë ilaçeve që do të jenë të personalizuara sipas gjinisë, ngjyrës së lëkurës apo shtresës ekonomiko-sociale, dhe që do të kenë më pak efekte anësore. Kjo do të thotë se do të ulen kostot e kujdesit shëndetësor në nivel global dhe kombëtar.

A kemi ne informacione se çfarë e bën të shëndetshëm një sistem imunitar?

Bota e di se çfarë është një sistem imunitar i shëndetshëm, por nuk e di se si ndryshon ai me kalimin e moshës. Po ashtu, ne nuk e dimë se si ndryshon sistemi imunitar i shëndetshëm kur pacienti ka përpara një sfide. Ne nuk e dimë as se si ndryshon një sistem imunitar i shëndetshëm tek një mashkull përkundrejt atij të një femre.

Ne mund të përcaktojmë se çfarë është një sistem imunitar i shëndetshëm. Por studimet janë kryer mbi një grup shumë të vogël njerëzish, dhe që të gjithë kryesisht në vendet e përparuara. Pra kemi një përfaqësim shumë të vogël të diversitetit të njeriut.

Prandaj, ilaçet që prodhohen dhe testohen tek njerëz të pasur të racës kaukaziane të bardhë, kur përdoren tek meshkujt zezakë në të 50-at, të cilët kanë shkallën më të lartë të autoimunitetit, mund të shkaktojnë efekte anësore. Por ne nuk e dimë sepse nuk e kemi përcaktuar sistemin imunitar të asaj popullate. Rezultati kryesor i Projektit të Imunitetit Njerëzor, do të jetë të kuptuarit e sistemit imunitar dhe diversitetit të tij. Nga suksesi i tij, mund të kemi më shumë ilaçe efektive, më të lira, dhe një jetë më të shëndetshme.

Meqë mungojnë kaq shumë njohuri mbi mënyrën se si funksionon sistemi imunitar dhe gjithë diversiteti i tij, a mendoni se fuqia e vërtetë e sistemit tonë imunitar është për momentin e nën-shfrytëzuar?

Unë besoj se në çdo gjendje të njeriut, sistemi imunitar bën më të mirën. Megjithatë ai sfidohet nga disa gjëra që ne ende nuk i kuptojmë. Ndoshta nga ushqimi që hamë, helmet që depërtojnë tek ne përmes tyre, apo ndoshta nga plakja. Ato kanë në shumë raste një efekt shumë negativ në sistemin tuaj imunitar, por ne nuk e kuptojmë ende shkakun.

Pra, ndoshta sistemi juaj imunitar funksionon shpesh në një mënyrë optimale. Por ky projekt do të krijojë bazën e duhur. Ai do t’i japë mundësi mjekut të vlerësojë sistemin tuaj imunitar për të parë nëse keni një sistem imunitar relativisht të mirë apo relativisht të keq.

Kjo do të lejojë një funksionim më të mirë të sistemit tuaj imunitar, duke zbuluar ndryshimin nga normaliteti. Pastaj ne mund të fillojmë të identifikojmë tek stili i jetesës apo fiziologjia juaj, atë që shkakton një deficit në sistemin tuaj imunitar, dhe që shkakton një deficit në organet tuaja.

A do të lejojnë të dhënat e reja të kuptojmë pse disa pacientë u përgjigjen trajtimeve, ndërsa të tjerët jo?

Po. Kjo bazë të dhënash do të lejojë modelimin parashikues të përgjigjeve ndaj sëmundjeve dhe ilaçeve, dhe në raste më pak të rënda, zgjedhjet tuaja të përditshme të stilit të jetesës. Sepse njohja e mënyrës sesi reagon imuniteti juaj ndaj ushqimeve, na lejon të kuptojmë alergjitë. Pra, ju mund të përshtatni stilin e jetës dhe sjelljen tuaj, në një mënyrë që të maksimizoni jetëgjatësinë tuaj.

Nëse sistemi imunitar luan një rol mbi mënyrën se si ose kur plakemi, a mund ta shtyjmë plakjen apo të rritim jetëgjatësinë?

Çdo manifestim i plakjes ndërmjetësohet nga sistemi ynë imunitar. Atrofia e muskujve, inflamacioni i trurit, ngurtësimi i arterieve, metabolizmi, dendësia e kockave, përkeqësohen

që të gjitha me kalimin e moshës. Në rast se mund të përcaktojmë se cila është baza e përgjigjes imunitare, mund ta përdorim atë për të parashikuar se si do të plakeni.

Po ashtu, do jemi në gjendje të parashikojmë se si do të ndryshojë sistemi imunitar dhe shëndeti juaj, dhe si mund ta ndryshoni atë për të mbajtur veten të shëndetshëm. Sigurisht, kjo do të ndihmojë në rritjen e jetëgjatësisë, por më e rëndësishmja në cilësinë e shëndetit tuaj. Pasi ne e dimë që vdekja e një personi të moshuar ndikohet nga imuniteti. Nëse e kuptojmë se si dhe çfarë është ai, atëherë mund ta ndryshojmë atë.

Por për ta modifikuar deri në çfarë mase? A do të mund të jetojmë më gjatë?

Nuk mund të hamendësoj tani, por mund t’ju them me siguri se duke kuptuar ndryshimet në sistemin imunitar me kalimin e moshës, ne mund të zbulojmë objektiva terapeutikë. Për momentin nuk e kuptojmë, ndaj nuk mund t’i synojmë. Por nëse e kuptojmë ndryshimin midis tani dhe në të ardhmen, mund të shenjestrojmë veçanërisht atë që po ndryshon, në mënyrë që njerëzit të jenë më të shëndetshëm. Se kur do të ndodhë kjo, s’mund ta them me siguri. Teorikisht, ajo duhet të sjellë përfitime të jashtëzakonshme si për jetëgjatësinë ashtu edhe për shëndetin. Por derisa t’i testojmë ato barna, nuk do ta dimë këtë me siguri.

Burimi: El Pais/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë