Futboll

Neuer-Ter Stegen, dueli gjerman në Champions

Tashmë dihet se Marc-André Ter Stegen (28 vjeç) e ka me nxitim. Në vitin 2016, kur ishte 24 vjeç, ai i kërkoi ekipit zgjidhte midis atij ose Bravo-s. Dhe Barça u detyrua ta shiste portierin kilen te Manchester City, për të parandaluar “arratisjen” e gjermanit. Ter Stegen ishte, gjithashtu, në nxitim për të qenë portieri titullar i kombëtares së Gjermanisë. Por, atje u ndesh me një “kockë të fortë”. Ndërsa ai ka luajtur 24 ndeshje për kombëtaren gjermane, 14 prej tyre miqësore, Manuel Neuer (34 vjeç) ka 92.

Ter Stegen imagjinoi një ndryshim të ciklit pas dështimit të Gjermanisë në Kupën e Botës së Rusisë, më 2018. Ose, më mirë akoma, pas performancës së tmerrshme në Ligën e Kombeve. Por, kjo nuk ndodhi. Neuer mbeti portier titullar i “Mannschaft” në kualifikueset e “Euro 2020” dhe Ter Stegen shpërtheu: “Ky udhëtim me ekipin kombëtar ka qenë një goditje e fortë për mua. Nuk është e lehtë të gjej një shpjegim. Unë po jap më të mirën në secilën ndeshje për t’ia bërë zgjedhjen trajnerit Löw më të vështirë”. Neuer u hodh në sulm dhe injoroi deklaratat e kolegut të tij: “Unë jam një lojtar i ekipit dhe mendoj për të mirën e Gjermanisë. Nuk e di nëse janë të nevojshme dhe nëse deklarata të tilla e ndihmojnë kombëtaren. Ka mjaft portierë shumë të mirë. Debati nuk është i drejtë as për Bernd Leno dhe Kevin Trapp”. Reagoi përsëri Ter Stegen: “Unë nuk mendoj se Manu (Neuer) duhet të shprehet për ndjenjat e mia dhe t’i gjykojë ato. Deklaratat e tij janë të papërshtatshme”.

Përplasja verbale mbeti midis dy të pabindurve… deri në momentin kur Bayern Munich u përfshi në këtë polemikë publike. Uli Hoennes, ish-presidenti i klubit bavarez, nisi sulmin kundër Ter Stegen: “Neuer është më i miri, Ter Stegen nuk ka të drejtë të pretendojë titullarin në ekipin kombëtar. Ai ka njollosur një sportist të papërballueshëm si Neuer. Neuer, si një “plak” që është, do ta luajë edhe “Euro 2020”. Disa mund të habiten, por nëse vazhdon kështu, ai do të luajë edhe për pesë vite. Deri atëherë, Ter Stegen do të jetë bërë me mjekër të thinjur”. Hoennes kërcënoi me bojkot të kombëtares nga lojtarët gjermanë të Bayernit, nëse Neuer humbet vendin e titullarit te Gjermania. Pastaj u tërhoq.

Por, më pak se një muaj më parë, Neuer riktheu debatin”: “Unë e di se nuk jam më 17 vjeç, por jam më i miri”. Përkundër gjithë kësaj, edhe përkundër asaj mbrojtjeje të nxehtë nga Hoeness, Bayerni mendoi të nënshkruajë me Ter Stegen përpara se të rinovonte me “gardianin” e tij veteran. Kështu vjen përplasja e titanëve në çerekfinale të Champions-it, Barça-Bayern Munich, një mënyrë e mirë për të matur edhe forcat e dy portierëve. Ter Stegen kundër Lewandowski, i cili bëri pritjen më të mirë të sezonit 2014-2015, në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Champions-it. Neuer kundër Messit, me kujtesën e atyre dy golave ​​në “Camp Nou”. Ter Stegen mungoi në dy grumbullime për ekipin kombëtar. Njëri për shkak të problemeve në shpatull dhe tjetri për shkak të tendinitit në njërin gju. Ishte spekuluar se ai nuk do të kthehej derisa Neuer të linte ekipin kombëtar, por për të shuar zërat, ndeshja e fundit zyrtare për Gjermaninë u luajt nga Ter Stegen si fillestar.

Ter Stegen dhe Neuer kanë gjëra të përbashkëta. Puna e mirë në stërvitje. Të dy kanë personalitet dërrmues. Janë shumë krenarë me veten. Spikasin në lojën me këmbë. Aktualisht, në përballjet një kundër një, Ter Stegen mund të triumfojë. Neuer, megjithatë, menaxhon hapësirat dhe lojën jashtë zonës shumë më mirë, gjë që ndonjëherë i kushton aq shumë Ter Stegen, me një tendencë për të qëndruar shumë afër zonës së tij. Ata do të jenë shumë larg njëri-tjetrit në “Da Luz”, por është një duel i jashtëzakonshëm i “gjelave” gjakftohtë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë