Lajme

Nesër në 10.00 parlament e protestë. Betohen dhe 4 deputetët e rinj të LSI

Deputetët e PS janë njoftuar në mbledhjen e grupit për seancë plenare nesër në orën 10:00. Po ashtu ditën e nesërme do të bëjnë betimin edhe 4 deputetët e LSI, që marrin sot mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ata janë Ylli Shehu kandidati i LSI-së në Tiranë, Aurora Mara, kandidate e LSI-së në Dibër, Enver Roshi, kandidat për deputeti i LSI-së në Elbasan dhe Edmond Rrushi, kandidat për deputet në Tiranë.
Po ashtu, nesër do të zhvillohet dhe protesta e paralajmëruar e opozitës para godinës së Kuvendit.

Ndërkaq Kuvendi i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të garantojë sigurinë fizike të deputetëve gjatë seancës së nesërme. Por PS i ka kërkuar deputetëve dhe ministrave që të jenë në sallë që në orën 09.30 me qëllim që të shmangen pëplasjet me protestuesit e opozitës, siç ndodhi javën e shkuar me Blendi Klosin dhe Paulin Sterkajn.

Një ditë më parë policia në një njoftim zyrtar refuzoi lejen e Partisë Demokratike për të protestuar në datën 5 mars para godinës së Parlamentit. Përgjigjja iu komunikua Sekretarit të Përgjithshëm të PD.
Policia e argumentoi refuzimin e lejes nisur nga incidentet dhe dhuna që shoqëroi protestën e 26 shkurtit para Kuvendit.
“Nisur nga shkeljet ligjore të konstatuara në tubimet e fundit të zhvilluara nga Partia Demokratike, dhuna fizike e përdorur ndaj anëtarëve të Qeverisë, deputetëve me qëllim pengimin e tyre që të futeshin në godinë, dhuna dhe goditja e punonjësve të policisë dhe thirrjet e organizatorëve dhe tubuesve me përmbajtje dhune”, thuhet në komunikimin që Policia e Shtetit i dërgoi Partisë Demokratike.
Por selia blu këtë njoftim të policisë e konsideroi të paligjshëm dhe arsyetimet e dhëna si sajesë për t’i refuzuar të drejtën e tubimit opozitës.
“Caktimi i vendit të tubimit është e drejtë kushtetuese e organizatorit dhe e drejtuesit të tubimit. Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin dhe jo kërkesën për leje në rastin e zhvillimit të një tubimi”, shkruan sekretari i Përgjithshëm, Bardhi në letrën drejtuar Policisë.
Nga ky komunikim kuptohet se Partia Demokratike nuk do të tërhiqet as nga organizimi i protestës dhe as nga vendndodhja e saj, pavarësisht refuzimit që i ka bërë Policia e Shtetit. Vetë uniformat blu janë të vetëdijshme për këtë dhe përreth godinës së Kuvendit kanë nisur përgatitjet për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e tubimit, duke instaluar dhjetëra kamera. Synimi është mbulimi i gjerë i zonës dhe kapja e pamjeve filmike për të identifikuar elementët, që sipas policisë, do të ushtrojnë dhe nxisin dhunën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë