Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur gjatë festimeve të 35-vjetorit të Partisë Socialiste theksoi nevojën për debat demokratik, por kundërshtoi atë që e cilësoi si paragjykim ndaj projekteve të mëdha zhvillimore, teksa këmbënguli se Shqipëria është futur në mes të një lufte kundër presidentit Trump si dhe përmendi Rrjollin si një shembull.
“Nëse bota do të ishte kaq e ndjeshme, do të kishte thënë diçka për Rrjollin. Këtu fjala nuk është për flamingot, Zvërnecin apo ndonjë gjë tjetër, por për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata nuk mund t’i përdorin shqiptarët si ‘mish për top’. Ne na duhet sa më shumë turizëm elitar, sepse çdo lek që vjen është dyfishi i asaj që futet në ekonominë e komunitetit dhe të vendit”, tha Rama, duke shtuar se vendi ynë ka disa bekime, që ua detyron të parëve tanë, i detyrohet besës dhe mikpritjes.
Rama tha se të gjithë duhet të kuptojnë se kjo që po ndodh nuk është vetëm ajo që duket, por është shumë më delikate dhe më e rëndësishme për të ardhmen sesa një investim në Zvërnec.
“Një grup karnavalesh, të dëgjuar për shumë arsye, kanë dalë si kërpudhat pas shiut për të ngushëlluar paaftësinë e tyre dhe pamundësinë për të dhënë shumë më tepër. Kjo është shumë më e ndërlikuar se kaq. Ky është investimi më i madh që i ka ardhur Shqipërisë në historinë e saj dhe ky vend nuk e ka luksin, kurrsesi, ta refuzojë”, tha Rama, i cili dhe një here tjetër tha se natyrisht që për këtë investim ka vend për debat dhe vigjilencë dhe kjo është e drejtë dhe demokratike.
“Por ajo që nuk është e drejtë dhe nuk është e tolerueshme është që sa herë guxojmë të kemi një ambicie të madhe, ajo shpallet krim para se të projektohet, sapo thuhet, sapo artikulohet. Çdo përpjekje për zhvillim bëhet armike e natyrës”.
Duke vijuar të flasë për ndërkombëtarët, Rama tha se “Na thonë të mbrojmë Vjosën se është i vetmi lum i egër, ndërkohë që ata i kanë zbutur të gjithë lumenjtë e tyre”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje