Mjedis

Nepali mund të zhvendosë kampin bazë të Everestit për shkak të ndryshimeve klimatike

Drejtoria e Përgjithshme e Departamentit të Turizmit në Nepal ka deklaruar se kampi bazë i Everestit po përballet me një rrezik të madh nga shkrirja e akullnajës Khumbu aty pranë.

"Ne kemi marrë rekomandime nga ekspertë të shumtë për të zhvendosur kampin bazë sepse ka rrezik”, u tha në deklaratën e drejtorisë.

Megjithatë, çdo ndryshim i madh në malin Everest, majën më të lartë në botë, nuk do të bëhet me nxitim.

Meqenëse aktivitetet kërkimore mund të kryhen vetëm gjatë pranverës, mund të duhen 2-3 vjet për të marrë një vendim të prerë.

Pasi palët e përfshira të përfundojnë kërkimin e tyre, ata do të duhet t'i paraqesin një propozim qeverisë nepaleze. Kabineti i Nepalit do të ketë fjalën e fundit.

Drejtoria përmendi "aktivitetet antropogjene", të njohura ndryshe si sjelljet njerëzore dhe ndryshimin e klimës si problemet që prekin kampin bazë. Akullnaja Khumbu po shkrihet me një shpejtësi më të madhe se shpejtësia natyrore.

Kjo nuk është hera e parë që jepet alarmi për dëmtimin mjedisor në malin Everest.

Një studim i botuar në fillim të këtij viti, zbuloi se akulli i formuar gjatë një periudhe prej 2000 vjetësh në akullnajën South Col u shkri në rreth 25 vjet.

Paul Mayewski drejtori i Institutit të Ndryshimeve Klimatike në Universitetin e Maine, tha se gjetjet treguan "një realitet të asaj që po ndodh në botë dhe në majën më të lartë të botës”.

Ndryshimet klimatike po prekin shumë nga vendet më të çmuara në botë.

"Nepal i vetëm nuk mund të zvogëlojë emetimet e karbonit dhe ndikimin e ngrohjes globale, megjithatë, ne mund të zbusim disa probleme duke marrë masa të përkohshme. Nga njëra anë duam të ruajmë malin dhe akullnajën, nga ana tjetër nuk duam të ndikojmë në ekonominë e vendit”.

Balancimi i dëshirave për t'u ngjitur në Everest me nevojat e komuniteteve lokale ka qenë një sfidë e vazhdueshme në Nepal.

Turizmi është industria e katërt më e madhe e vendit, duke punësuar 11.5% të nepalezëve.

Lejet për t'u ngjitur në Everest kushtojnë 11,000 dollarë për person. Një pjesë e atyre parave është caktuar për komunitetet pranë malit.

Kampi bazë i Malit Everest është 5400 metra mbi nivelin e detit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë