Treg

Nëntori me shi, KESH rinis shitjet e energjisë. 8 mln euro në një muaj

Nga Gazeta 'SI' - Shirat intensive të ditëve të fundit kanë pasur efekt pozitiv në sektorin energjetik vendas. Përveç përmbushjes së kërkesës së brendshme, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH ka eksportuar një pjesë të saj.

Vetëm gjatë fundjavës, KESH ka shitur rreth 17 mijë megavat energji, me një vlerë 1.97 mln euro, me çmim mesatar 117.35 euro/MWh.

Dhjetëra shitje janë bërë gjatë muajit nëntor, me një vlerë totale të arkëtuar rreth 8 mln euro. Edhe gjatë pranverës, kur reshjet në vend ishin prezente, KESH eksportoi vazhdimisht energji, duke mbledhur vetëm për këtë vit rreth 50 mln euro. KESH iu rikthye blerjeve në korrik, kur i nxehti afrikan që preku Shqipërinë vështirësoi punën e HEC-ve. Deri në muajin tetor, KESH ka blerë disa herë energji.

Viti 2023 erdhi me një stabilizim të çmimeve të energjisë duke bërë që as kostot dhe as fitimet nga ajo të mos jenë shumë të larta. Një vit më parë, kur nisi lufta Rusi-Ukrainë, bursa e energjisë ishte e para që u prek. Gjatë muajve të verës kosto për një megavat kaloi vlerën e 500 eurove.

Me qëllim reduktimin e ekspozimit të këtyre rreziqeve, Shqipëria po tenton të rrisë prodhimin e energjisë nga burime alternative si dielli dhe era, por mbetet ende në hapat e para dhe tërësisht e varur nga hidroenergjia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë