Politike

“Neni 41-bis”, Edi Rama “kopjoi” Oerd Bylykbashin

Mentor Kasa - “Bosëve të krimit u duhen hedhur çelsat në det, jo të lirohen e më pas t’u jepen tendera, të bëhen kryetarë bashkish, ‎deputetë, apo kur nuk munden vetë, të përcaktojnë ata emrat e listës së deputetëve. Le të dalin pastaj drejtuesit e PS-së e të thonë se kjo është antikushtetuese, siç thoshte Rama për ligjin Antimafia kur u miratua vite më parë, apo për ligjin e Dekriminalizimit tre vite më parë kur mbronte Rroshin e tij”.

Me këto fjalë, Oerd Bylykbashi hidhte për qarkullim në muajin gusht në rrjetet sociale një propozim për të ndryshuar regjimin e ndëshkimit për të burgosurit, duke marrë si shembull modelin italian, apo atë që njihet si “Neni 41-Bis”, matanë Adriatikut, që quhet ndryshe edhe si “Burgim i rëndë”.

Pa u mbushur dy muaj nga ky postim i deputetit demokrat, Edi Rama jo vetëm që nuk e cilësoi antikushtetuese, por vendosi që ta aplikojë pa vonesë. Kryeministri iu referua pikërisht këtij neni të famshëm italian për të shpjeguar ashpërsimin e izolimit për të akuzuarit dhe të dënuarit për krim të organizuar dhe terrorizëm.

“Kemi vendosur të ndërmarrim një ndryshim ligjor për të dyshuarit, apo për të dënuarit për përfshirje në krim të organizuar, apo dhe organizata terroriste, të cilët do t’i nënshtrohen një regjimi të ri, shumë të rreptë, izolimi dhe monitorimi, duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi të brendshëm dhe të jashtëm për të gjithë kohën e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit. Është një model që mund ta shihni në detaje, duke iu referuar atij aspekti të legjislacionit peniteciar, që italianët e pagëzojnë me emrin “41-bis”, që do të thotë se këta lloj përfaqësuesish të botës së krimit do të kenë kontakte shumë të kufizuara me qeniet e tjera njerëzore dhe shumë rreptësisht të monitoruara për të gjithë kohën e vuajtjes së dënimit të tyre”, deklaroi Kryeministri.

Por, çfarë deklaronte tjetër më 23 gusht Oerd Bylykbashi? Deputeti demokrat akuzonte pikërisht Ramën si personin që i shkelte syrin krimit dhe se qeveris bashkë me të.

https://www.facebook.com/oerd.bylykbashi/posts/10217091656713029

“Pa u qëruar Edi Rama nga drejtimi i shtetit, nuk mund të ketë luftë ndaj krimit. Shumë duhet bërë për të luftuar rrjetet kriminale. Por duhet bërë edhe diçka që fqinjët italianë kanë kohë që e kanë bërë: Neni 41 - bis "Carcere Duro", apo në shqip "Burgim i Rëndë”. Duhet miratuar një regjim burgimi i ashpër për bosët e krimit, ku të mos kenë kontakte me botën dhe të mos kenë mundësi të drejtojnë trafiqet dhe punët e fëlliqura kriminale nga qelia, ndërkohë që shohin televizor me ekran të madh HD, vendosin baste e japin urdhra e porosi kriminale me telefon dhe zgjedhin llojin e pijes alkoolike që ua shërben i burgosuri "shërbëtor" nën "mbikëqyrjen" me të dy sytë mbyllur të administratës së burgjeve dhe kur të duan marrin liridalje për t’u dukur edhe në barin në qendër të qytetit”, shkruante ndër të tjera, Oerd Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë