Ngjarje

Nëna denoncon zhdukjen e djalit në Durrës dhe akuzon gjyshërit: Nuk ma kthyen, s’e di a është gjallë!

Gazeta Si- Një 3-vjeçar në Durrës rezulton i humbur prej 4 ditësh, ndërsa nëna e tij ka kallëzuar në polici, duke hedhur dyshime te gjyshërit nga ana e babait, pasi është marrë nga gjyshërit në takimin e përjavshëm të shtunën.

Pas denoncimit të gruas me iniciale I.Gj., 23 vjeçe, policia ka shoqëruar gjyshin e fëmijës, Rexhep Gjuni, 60 vjeç, ndërsa janë në kërkim të gjyshes.

Në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për vendndodhjen e fëmijës, policia ka kontrolluar banesën e 60-vjeçarit, por pa gjetur asgjë.

Rexhep Gjuni ka deklaruar se nuk e di ku ndodhet fëmija, babai i të cilit humbi jetën një vit më parë në një aksident automobilistik.

Burime nga policia thonë se prej 4 ditësh vijojnë kërkimet për të gjetur djalin 3-vjeçar. Kontrollet janë shtrirë dhe në Kukës, po pa rezultat. Familja është banuese në zonën e ish-Kënetës ku jeton prej vitesh pas ardhjes nga Kukësi.

Përmes një prononcimi për mediat, nëna e fëmijës tregoi se me mirëbesim ua dorëzoi fëmijën për disa orë gjyshërve të tij. Kjo sepse ata jetojnë të ndarë, që prej vdekjes së bashkëshortit të saj.

Ajo ka deklaruar se gjyshi i fëmijës, Rexhep Gjuni nga Kukësi de gruaja e tij, e kanë marrë si çdo javë nipin për ta mbajtur disa orë, por këtë herë nuk e kthyen më.

Nëna ka bërë apel mes lotësh që vjehërrit t’ia kthejnë djalin, pasi sipas saj e kanë ata. “Nuk tregon se ku është fëmija, thotë që nuk e di gënjen, familja është nga Kukësi, unë jam nga Dibra, ata janë në Durrës, dua të më sjellin djalin, nuk e di a është gjallë, a është jashtë shtetit, qëkur ka vdek burri marrëdhëniet nuk janë mirë, jetoj tek babi në kënetë në Durrës, i kemi afër, nuk janë tek shtëpia, thonë që nuk janë aty. Prej katër ditësh nuk është”, tha gruaja.

Mes lotëve ajo thotë se “dua çunin tim, policia e shteti të ma sjellin. Ka 4 ditë që se kam parë, a është gjallë, a e kanë marrë jashtë shtetit. Dua fëmijën tim, të gjendet sa më shpejt”.

Mësohet se babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik dhe prej atëherë i mituri jetonte me të ëmën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë