Ngjarje

Ende asnjë gjurmë pas zhdukjes së 3-vjeçarit. Në kërkim gjyshja dhe i vëllai, kontrolle në Kukës e Has

Gazeta Si- Pesë ditë pas zhdukjes së fëmijës 3-vjeçar në Spitallë të Durrësit, ku mamaja e djalit akuzon gjyshërit, nuk ka ende asnjë gjurmë.

Policia ka njoftuar këtë të enjte se ka ndaluar Rexhep Gjunin, gjyshin e fëmijës nga ana e babait, si dhe kunatin e tij.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim gjyshja 57-vjeçare Ile Gjuni (bashkëshortja e Rexhepit) dhe vëllai tjetër i saj.

Sipas policisë, janë kryer kontrolle në bashkëpunim me blutë e Kukësit, në zonën e këtij qyteti, por edhe në Has. Megjithatë ende nuk dihet vendndodhja e të miturit.

Ishte nëna e djalit, ajo e cila denoncoi rastin. E reja, me origjinë nga Dibra, tha se ua kishte lënë djalin gjyshërve të fëmijës si çdo fundjavë për ta mbajtur për disa orë.

Kjo, pasi që prej vdekjes së bashkëshortit të saj, ata jetonin të ndarë. “Më thanë nuk ta sjellim më”, tha e përlotur nëna e 3-vjeçarit në prononcimin e saj për mediat.  Aktualisht të gjitha dyshimet për humbjen e tij janë mbi gjyshërit e të miturit.

“Është bërë ndalimi i shtetasve R. Gj., 60 vjeç, gjyshi i 3-vjeçarit, banues në Durrës dhe A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has. Më tej, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Gj., 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has.  Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit, për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për individualizimin e përgjegjësisë penale të këtyre 4 shtetasve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast”, - njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë