Politike

Negociatat, vendim “gjysmak” i Këshillit: Flasim në tetor

Katër vende bllokuan vendimmarrjen e Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Franca, Gjermania, Holanda dhe Danimarka kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar raportin e Komisionit Europian për progresin e dy vendeve.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, me në krah ministrin rumun për Europën, vendi i të cilit mban kryesimin e radhës të Bashkimit Europian dolën para gazetarëve për të dhënë lajmin e keq se as këtë herë nuk ka një datë konkrete dhe lajmin e mirë se BE mbetet e angazhuar për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ka disa vende që nuk janë të gatshme për të pranuar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Megjithatë BE mendon se këto vende duhet të shpërblehen, por disa vende kërkojnë më shumë kohë për rekomandimet tona që të bëjnë vlerësimin e tyre”, deklaroi Komisioneri Hahn.

Që të katër vendet që kushtëzuan vendimmarrjen nuk ishin surprizë. Presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar shpesh se para zgjerimit Bashkimit Europian duhet të reformohet. Në Holandë, Parlamenti vendas votoi një mocion ku i kërkonte qeverisë që të bllokojë hapjen e negociatave për Shqipërinë. Më herët, i njëjti Parlament kaloi një rezolutë ku sërish i kërkohet qeverisë që të nisë procedurat e rikthimit të vizave për shtetasit shqiptar në Komisionin Europian. Kërkesa e Qeverisë holandeze ka mbërritur në këtë Komision, që pritet ta dorëzojë në Parlamentin Europian në ditët e para të korrikut.

Në Danimarka nga ana tjetër po diskutohet i njëti shqetësim, por nëse në Holandë arsye është rritja e kriminalitetit shqiptar, këtu shkak është bërë rritja e klandestinëve që e përdorin territorin danez për të hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe.

Gjermania ka kërkuar më shumë kohë për shkak se vendimi merret nga Bundestagu. Ky i fundit nuk e futi shqyrtimin e raportit të progresit të Komisionit Europian në kalendarin para marrjes së pushimeve, duke e shtyrë atë për në tetor.

Por, nga gjuha e përdorur nga Johannes Hahn as tetori nuk është më i sigurtë. “Shpresoj që këtë vit të kemi rezultatet, ndoshta edhe në tetor, është shumë e rëndësishme të tregohemi të drejtë. Shpresoj të kemi një vendim përfundimtar dhe vendimtar deri atëherë”, deklaroi Johannes Hahn.

E sigurtë është që brenda tetorit 2019 do të ketë një vendim dhe këtë e përforcoi edhe deklarata e Këshillit Europian. “Vlerësojmë progresin e vërejtur në raportin e Komisionit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, për shkak të kohës së kufizuar, do të merret një vendim brenda tetorit 2019”, thuhet në deklaratë.

Maqedonia e Veriut duket më afër hapjes së negociatave në vjeshtë, ndërsa për Shqipërinë, Deutsche Ëelle shkruan se ky proces rrezikohet seriozisht që të shtyhet edhe më tej pas daljes në dritë të përgjimeve të publikuara nga Bild.

Shkupi u mor edhe si shembull nga Komisioneri Hahn për të argumentuar se BE nuk duhet të humbasë besueshmërinë në Ballkan.

“Mesazhi im për shtetet anëtare skeptike është se procesi i pranimit në BE duhet të bazohet në besueshmërinë dhe besueshmërinë. Nëse një vend partner si Maqedonia e Veriut jep arritje të dukshme, BE- duhet të japë gjithashtu diçka në këmbim. Ne nuk mund të përballojmë rrezikun që procesi i reformave të ngadalësohet, ose të ndalet “, deklaroi ai.

Vendimmarrjen “gjysmake” të Këshillit Europian, Edi Rama e komentoi si tejet pozitive për Shqipërinë, që sipas Kryeministrit i rezistoi luftës pa limite të opozitës në sytë e Europës.

“Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave. Pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes,që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës,për të bllokuar negociatat me sharje,kërcënime,molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston”, shkruan ai.

Pozitive Rama sheh kalimin e rekomandimit të Komisionit tek vendet anëtare për një vendimmarrje brenda muajit tetor.

“Ministrat e jashtëm të BE kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, me synim muajin tetor. Le t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë. Të gjithë bashkë në 30 qershor”, vijon ai.

Edhe ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj e interpretoi më herët një vendim pozitiv të Këshillit Europian. Por, nga Partia Demokratike, në deklaratën e KE-së nuk ka asgjë pozitive.

“Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë që një lajm të keq për vendin e quan lajm pozitiv, duke thyer edhe rekordin e një viti më parë, kur gënjeu shqiptarët se negociatat u hapën. Shtyrja e vendimit të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave me Shqipërinë për të tretën herë me rradhë, nuk ka asgjë pozitive. Edi Rama e di shumë mirë se, nëse ai do të vazhdojë të jetë në krye të vendit, dera e Europës për shqiptarët do të qendrojë e mbyllur”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi.

Megjithatë, një lajm të mirë sipas demokratëve tetori e ka brenda dhe ai është se deri atëherë, Edi Rama nuk do të jetë më Kryeministër.

“I vetmi lajm i mirë në këtë histori 6-vjeçare mashtrimesh dhe vjedhjesh të Edi Ramës, është se në tetor, kur Europa të vendosë për ne, ai nuk do të jetë më kryeministër dhe Shqipëria do të ketë hyrë në rrugën e duhur për nisjen e negociatave të anëtarësimit, duke siguruar hapin e parë për Shqipërinë si gjithë Europa – zgjedhjet e lira e të ndershme”, vijoi deklarata.

 

Më Shumë