Politike

“Negociatat për Shqipërinë në 2020-ën!” Drafti final i Finlandës për liderët e BE

Liderëve të BE-së do t’u vihet përpara një draft të enjten që propozon shtyrjen e negociatave me Shqipërinë. Dokumenti zyrtar propozon hapjen e menjëhershme të negociatave me Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Shqipërinë e shtyn për gjysmën e parë të vitit 2020. Ai është përgatitur nga Finlanda, e cila mban presidencën e Bashkimit Europian, pas mbledhjes së ministrave të vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.

Ky draft paraprak ndan Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit, duke i kërkuar Komisionit Europian të analizojë edhe një herë arritjet e reformave të Tiranës. Ai i kërkon qeverisë shqiptarë të forcojë reformat për sundimit e ligjit.
"Në dritën e progresit të arritur në reformat dhe kushteve të vendosura njëzëri nga Këshilli në qershor 2018, Këshilli BE-së pajtohet me hapjen e negociatave të pranimit jo më vonë se në gjysmën e parë të vitit 2020, të ftojë Komisionin të paraqesë, pa vonesë, një propozim për një kornizë për negociatat”, thotë drafti i hartuar nga Finlanda.

Parimisht, ai duhet të miratohet nga liderët vendet anëtarë të BE-së, por ai ka të ngjarë të ndryshojë, ashtu siç ka ndodhur edhe përgjatë mbledhjeve të kaluara, ku liderët e BE-së kanë dalë me një deklaratë tërësisht të ndryshme nga drafti paraprak.

Në draftin që do të kenë përpara liderët e BE-së, Shqipërisë i kërkohet që jo më vonë se në gjysmën e parë të vitit 2020, të sigurojë:

  • funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe të bëjë përparim të mëtejshëm në Reformën Zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. ----inicimin e hetimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar për sjellje kriminale si rezultat i gjetjeve nga procesi i Vettingut.
  • inicimi i hetimeve në rastet e akuzave për mashtrim elektoral.
  • sigurimi i funksionimit të SPAK-ut.
  • të forcojë më tej rekordin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë në nivelin e lartë.
  • të miratojë dhe zbatojë ligjin zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-i
  • të zbatojë çfarëdo vendimi relevant të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Drafti i Finlandes

Këshilli më tej fton Komisionin të përfundojë procesin e ekzaminimit analitik të rekomandimeve të BE-së me vendin, duke filluar me kapitujt mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.

Gjatë mbledhjes së djeshme të ministrave të Jashtëm të BE-së, 23 vende kanë qenë pro hapjes së negociatave për të dyja vendet ballkanike, ndërsa Finlanda ka propozuar hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe jo për Shqipërinë. Ky skenar u refuzua nga ministrat e Jashtëm të BE-së, por nuk dihet nëse do të pranohet ose jo nga liderët e unionit.
Në këtë dokument, BE-ja i bën një thirrje të veçantë Shqipërisë të punojë me ritme më të shpejta për reformën në Drejtësi, duke thënë se vendi ynë duhet të mbushë sa më shpejt vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese.

“Mirëpresim krijimin e organeve të reja për vetëqeverisje të pavarur të gjyqësorit, veçanërisht Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë Prokurorial dhe Këshilli i Emërimeve të Drejtësisë, duke çuar në formimin e SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit (NBI) dhe Gjykatës përkatëse. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojë në të gjitha nivelet dhe duhet të rritet proaktiviteti në inicimin e operacioneve”, thotë drafti

Ai i bën po ashtu thirrje opozitës të rikthehet në skenën politike për të punuar me qeverinë për anëtarësimin në BE.

“Partitë e opozitës duhet të riangazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike. Të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen në axhendën e reformës së BE-së dhe të dialogojnë për të kapërcyer polarizimin politik”, thotë drafti.

Edhe Greqia është rreshtuar me vendet skeptike, me një pozicion jo shumë të qartë, pasi ka arritur të përfshijë në këtë dokument respektimin e pakicave kombëtare në Shqipëri.
Po ashtu drafti i bën thirrje vendit tonë të punojë për të ulur numrin e azilkërkuesve, i cili ka qenë një nga kushtet kryesore të Francës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë