Analize

Refuzimi i Francës, përçarja e BE. Ç’ndodhi me negociatat në Luksemburg

Për herë të tretë në 16 muaj, Bashkimi Europian ka dështuar sërish të japë një verdikt për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Me anë të një vendimi të paprecedentë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, ia kanë lënë në dorë fatin e negociatave liderëve të unionit, duke bërë të ditur se nuk kishin arritur një vendim unanim. Kjo do të jetë hera e parë që udhëheqësit e BE-së do të ulen në tavolinë pa një vendim duke e bërë kështu çështjen e hapjes së negociatave një “fushëbetejë” politike.

Por cfarë ndodhi gjatë takimit të Ministrave të BE-së në Luksemburg dhe kush ishte pro dhe kundër Shqipërisë?

Franca ishte e para që bllokoi hapjen e bisedimeve të pranimit me të dyja vendet njëherësh. Mediat evropiane raportojnë se Holanda dhe Danimarka kanë mbështetur Shkupin, por kundërshtuan hapjen e negociatave me Shqipërinë. Më pas Finlanda propozoi që Shqipëria të ndahej nga Maqedonia së Veriut, por Franca nuk u ishte dakort.

Megjithatë, sipas diplomatëve, Parisi e hodhi poshtë këtë draft i cili tani do t’i përcillet Presidentit të Këshillit Donald Tusk. Ministrja e Jashtme franceze nuk ka pranuar shkëputjen, duke thënë se rruga e anëtarësimit të Tiranës dhe Shkupit ka qenë dhe duhet të mbetet e lidhur.

“Franca ishte i vetmi vend që kundërshtonte negociatat për Maqedoninë e Veriut” tha një diplomat. Një diplomat tjetër akuzoi Parisin se “vepronte tashmë sikur të ishim në një botë pas Brexitit, ku francezët kishin marrë në dorë frenat e BE-së”.

Ministrja e jashtme finlandeze, Tytti Tuppurainen e Finlandës dhe ajo franceze Amélie de Montchali. Gazeta Si, 16 tetor 2019

Sipas disa diplomatëve, Franca do të marrë një vendim për hapjen e negociatave vetëm kur të bëhet e qartë se çfarë mund të marrë në këmbim për çështje të tjera të nxehta.

Dy diplomatë thanë për gazetën evropiane “Politico” se gjatë takimit, ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok ka kërkuar që Shqipëria të forcojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky takim ishte i fundit nën komisionin e Jean Claude Juncker dhe hapja e negociatave u konsiderua fillimisht si një “punë e kryer”, pasi Bundestagu gjerman mbështeti hapjen e bisedimeve me kushte për Shqipërinë në shtator.

Udhëheqësit e BE do të mbërrijnë në Bruksel të enjten dhe të premten tashmë me një agjendë të vështirë, duke përfshirë Brexit dhe përgjigjen ndaj inkursionit turk në Siri.

Ministrja franceze e çështjeve evropiane Amélie de Montchalin tha se vendi i saj ishte kundër hapjes së bisedimeve të pranimit për të dyja vendet, sepse BE-ja duhet të adresonte më parë çështje më të mëdha, si ajo e ikjes së trurit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Ikja e trurit është me të vërtetë një problem, por çështja është trajtuar në rastin e procesit të pranimit të anëtarëve të rinj të BE-së”, tha ajo.

Në Paris, një zyrtar i presidencës franceze tha se qeveria e Macron nuk do të pajtohej as të enjten të hapte bisedimet. “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian një ditë … por është shumë herët” tha ai.

Shumica e vendeve të tjera të BE treguan zhgënjimin me pozicionin francez. Ato besojnë se hapja e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është me rëndësi të madhe, duke pasur parasysh situatën e vështirë gjeopolitike.

Presidenti francez, Emmanuel Macron. Gazeta Si, 16 tetor 2019

“Shtyrja e negociatave do të destabilizonte qeverinë e Zoran Zaevit dhe nga kjo mund të përfitonte vetëm partia opozitare e VMRO-DPMNE-së, e cila mund të joshet të kërkojë afrimitet me Rusinë. Në rastin e Shqipërisë, ndjenja e refuzimit mund të forconte plane të tjera, siç është krijimi i një Shqipërie të Madhe”, shkruan sot “Euractiv”.

“Është shumë e rëndësishme të japësh një sinjal politik se zgjerimi nuk ka vdekur,” tha George Ciamba, ministri rumun pas mbledhjes në Luksemburg.

Tensionet mes vendeve të BE-së janë rritur që nga e premtja, kur gjatë një takimi të ambasadorëve të BE-së, Franca i bëri të qartë synimet e saj për të vënë veton. Një zyrtar i Elysée tha se Macron nuk dëshiron të dërgojë “një sinjal të keq për rajonin”, por se pret më shumë reforma nga ana e Tiranës dhe Shkupit.

Por ky qëndrim ka shkaktuar përçarje të mëdha në BE.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria na kanë siguruar prova gjatë krizës së refugjatëve se janë pjesë e kësaj familje dhe se i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Kjo është arsyeja pse ne duhet të japim dritën e gjelbër” u tha ministri i Jashtëm Austriak Alexander Schallenberg gazetarëve pas mbledhjes në Luksemburg.

Schallenberg u tha ministrave të vendeve anëtare se nëse BE-ja nuk duhet të mbajë një qasje “fleksibël” për zgjerimin, shumë vende të BE-së nuk do të kishin arritur kurrë të anëtarësoheshin në unionin europian.

Sot Kancelarja gjermane Angela Merkel do të takojë Presidentin e Francës Emanuel Macron, një përpjekje e fundit për të koordinuar qëndrimin në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, para se çështja të shtrohet në tryezën e samitit të liderve të Bashkimit Europian. Po ashtu drejt Brukselit sot është nisur edhe kryeministri Edi Rama.

 

Më Shumë