Politike

Negociatat për presidentin, ‘Rithemelimi’ mandaton Boçin dhe Bylykbashin  

Procesi paralel ne PD për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, është konkretizuar me emra.

Enkelejd Alibeaj në një anë që shkon me një draft-propozim para deputetëve të vet dhe “Rithemelimi” në anën tjetër duke negociuar po me emra konkret me pjesën tjetër të opozitës.

Komisioni i Rithemelimit ka zgjedhur dy negociatorë për procesin në fjalë.

Ata janë deputetët Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi.

Në përfundim të mbledhjes së Rithemelimit, Berisha tha se kriteri kryesor për kandidatin, është se ai duhet të jetë një figurë politike, pasi në vetvete posti i presidentit është politik.

 Ai komentoi edhe kriteret e Alibeajt për Presidentin

“Të imagjinosh një president jo politik është absurditet, pasi posti i presidentit është qartësisht politik. Vërtetë nuk është post ekzekutiv s’do të thotë që nuk është politik. Çdo parashikim tjetër ose kriter tjetër kundër këtij kriteri është i gabuar, është i stisur dhe no sens. Në rast se e keni fjalën për kriteret ka një deklaratë se si i vlerëson Alibeaj, janë të dala nga zyra e Ballës apo Ramës. Dokument që ka synim tjetër vetëm të zgjedhë presidentin që do Edi Rama”, tha Berisha.

“Rithemelimi” do të negociojë për emrin e ri të kreut të shtetit me grupet e tjera parlamentare të opozitës, Fatmir Mediu dhe Mesila Doda.

Afati i pare për depozitimin e emrave për President është deri të dielën paradite ku pritet te diskutohen në Komisionin e Ligjeve.

Më 16 mbasdite fillon votimi i pare për Presidentin në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë