Kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u mblodhën në Luksemburg për të diskutuar për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Malin e Zi, Holanda u shfaq si vendi më skeptik.
Pak ditë më parë, Parlamenti holandez ishte mbledhur dhe në përfundim i kërkonte Qeverisë që të mos jepte dritën jeshile për Shqipërinë. “De Telegraaf”, një prej gazetave më të mëdha në vend shkruante me shkronja të mëdha në versionin e saj online vendimin e Parlamentit.
Në brendësi të artikullit ishte një deklaratë e ministrit të Jashtëm holandez. Ai fliste për mbështetje të Holandës për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por deklaronte se kushtet nuk ishin përmbushur. Kërkonte kohë që të shiheshin më tej rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Skepticizmi holandez u reflektua në vendimarrjen e Ministrave të Jashtëm. Holanda nuk ishte vetëm, por kishte në krah edhe Danimarkën dhe Francën. Në përfundim, ministrat e Jashtëm të BE-së dhanë si afat për hapjen e negociatave qershorin e vitit të ardhshëm, por me një konkluzion evaziv, që linte vend për t’u interpretuar.
Thuajse 10 ditë nga raporti i Këshillit, në Tiranë ka mbërritur kryetarja e Senatit holandez, Ankie Broekers Knol. Në konferencën e përbashkët për mediat me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Knol la të kuptohej se për Holandën Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet dhe detyrimet për negociatat.
“Jam e bindur që në qershor të 2019 do të keni përmbushur detyrimet për negociatat. Shqipëria ka bërë një punë të mirë dhe jam e bindur që vitin e ardhshëm do të hapen negociatat”, deklaroi Knol.
Kryetarja e Senatit holandez nisi këtë të enjte në Tiranë një vizitë zyrtare dyditore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.