Politike

Negociatat, nga Gjermania: S’ka vendimmarrje para fundit të 2019

Kur kërkonte një datë zyrtare dhe fikse për hapjen e negociatave para fundit të qershorit të këtij viti, Qeveria shqiptare deklaronte se kishte mbështetjen e fortë të Gjermanisë në këtë drejtim. Mes qëndrimit të tre vendeve (Francë, Holandë dhe Danimarkë), që dolën kundër hapjes së negociatave dhe këmbënguljes së Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare për hapjen e tyre, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së gjeti një rrugë të mesme, duke caktuar qershorin e vitit të ardhshëm si një afat të mundshëm.

Që nga qershori e deri më tani kanë kaluar pak muaj, por që ka qenë një periudhë e ngjeshur politike në Tiranë, me akuza e kundërakuza të forta mazhorancë-opozitë dhe disa hetime e arrestime të bujshme në radhët e ish-deputetëve dhe ish-ministrave të qeverisë.

Këto zhvillime duket se kanë lëkundur qëndrimin e Berlinit sa i takon hapjes së negociatave dhe zërat nga Bundestagu që e shtyjnë edhe më tej këtë datë kanë nisur të dalin në pah. Njëri prej tyre është Thorsten Frei, raportues për Shqipërinë dhe Maqedoninë në parlamentin federal gjerman, ku javën që lamë pas ishte parashikuar votimi i një mocioni për Shqipërinë dhe Maqedoninë, por që u anulua.

Mocioni që do të miratohej do t’i paraqitej Këshillit Europian dhe Thorsten Frei sqaron në një intervistë për DW se përse nuk u votua në Bundestag.

“Deri të martën donim që në kuadër të debatit për deklaratën qeveritare të vinim në votë dy mocione për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por kur u pa që Këshilli i Bashkimit Europian nuk do të merrte vendim, ne e anuluam”, thotë ai.

Vendimi i qershorit i Ministrave të Jashtëm të BE-së, ashtu siç ndodh rëndom lexohet ndryshe në Tiranë. Mazhoranca e vlerësoi si një “po” të fuqishme.

“Shqipëria mori datën e fillimit zyrtar të negociatave për anëtarësim dhe bashkë me datën u çel drita jeshile për hyrjen në procesin përgatitor të hapjes së negociatave”, deklaronte Kryeministri Edi Rama në fund të qershorit.

Por, opozita e lexonte vendimin një “jo” të fortë, por që nuk refuzonte shqiptarët, por qeverinë e Edi Ramës për lidhjet e saj me krimin.

“Gjuha që përdori Këshilli Europian konfirmoi edhe njëherë se moshapja e negociatave nuk është refuzim as i shqiptarëve dhe as i perspektivës europiane të Shqipërisë”, deklaronte Lulzim Basha.

Vetë Thorsten Frei thotë se ka një rrugë të mesme. “Nuk është vendimtar Këshilli i Ministrave të Jashtëm, por Këshilli i Bashkimit Europian. Meqenëse ky nuk ka marrë vendim fare, nuk është as “po”, as “jo”, deklaron ai.

Marrja e një vendimi për çështjen e zgjerimit duket se do të shtyhet për në fund të 2019, kushtëzuar edhe nga ethet e zgjedhjeve për Parlamentin Europian, që do të mbahen në pranverë të vitit të ardhshëm.

“Në Bruksel kjo çështje do të jetë sërish në agjendë në vitin 2019, pra pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Por është e qartë se, para se qeveria gjermane të japë votën e saj, ajo duhet të ketë një mandat nga Bundestagu gjerman”, u shpreh Frei.

Që në qershor shqiptarët të mos e marrin apriori hapjen e negociatave e paralajmëroi edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

“Nuk ka asgjë automatike. Ne presim që Komisioni Europian të nxjerrë një raport. Kjo është shkruar në konkluzionet e Këshillit. Do të nxjerrë një raport në pranverë me qëllim që të konfirmojë vlerësimin e vitit të kaluar në bazë të progresit të bërë nga Shqipëria gjatë këtij viti dhe pikërisht këtu ne i nxisim autoritetet të vazhdojnë punën e mirë që kanë nisur dhe që i çoi në identifikimin e udhës drejt hapjes së negociatave”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion”.

Aktualisht, Shqipëria është përfshirë në atë që njihet si procesi “Screeningt”, ndërkohë që sa për afatet, në skenari më optimist, ai që parashikonte nisjen e negociatave në fund të vitit 2019 për momentin duket më i parealizueshmi.

 

Më Shumë