Politike

Negociatat, Berlini: Mos prisni qershorin, bindni skeptikët!

“Shqipëria nuk duhet ta marrë të mirëqënë se në qershor do të hapen negociatat e anëtarësimit”. Ky ishte mesazhi i përmbledhur në pak fjalë dhe i përcjellë nga ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, që u ndal këtë të mërkurë në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Ditmir Bushati, kryediplomati gjerman e bëri të qartë se cilat janë detyrat e shtëpisë, ku kërkohet më shumë punë.

“Qershori i vitit 2019, nuk është automatizëm, kriteret janë të ditura dhe të qarta; të forcohet shteti ligjor dhe të vijojë reforma në drejtësi”, u shpreh ai.

Për rastin e Shqipërisë u përdor për të parën herë praktika e hapjes së kushtëzuar të negociatave. Kushtëzimi u vendos nga Franca, Holanda dhe Danimarka, tre vendet skeptike, që në qëndrimin fillestar ishin për të mos i hapur fare bisedimet me vendin tonë.

Por, qëndrimi në bllok i gjithë vendeve të tjera anëtare të BE-së për çeljen e bisedimeve ndryshoi dokumentin final dhe për herë të parë, në një proces të këtij lloji për Shqipërinë u vendos “edhe hapja e negociatave, edhe moshapja e negociatave”. Pra, në fund u mor një vendim për hapjen e tyre, por u caktua si afat kohor qershori i 2019 dhe thellimi i përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kërkesat e fundit u futën në deklaratën përfundimtare me këmbënguljen e tre vendeve skeptike, për të cilat Heiko Maas thotë se duhen bindur që në qershorin e ardhshëm të mos ketë një vendim bllokues të tyre.

Cilat janë detyrat e shtëpisë? Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk foli me bindjen se në qershor negociatat do të hapen, por foli i bindur se qeveria dhe mazhoranca e kanë të qartë se cilat janë hapat që duhen ndjekur, por që kërkojnë bashkëpunimin e opozitës.

“Ka një ofertë nga ana e qeverisë dhe kryeministrit për opozitën sa i takon vazhdimit të procesit të vettingut, reformës në drejtësi dhe për Shkollën e Magjistraturës”, u shpreh ai.

Qëndrimin që shprehu në konferecën e përbashkët për shtyp me Ditmir Bushatin, ministri i Jashtëm gjerman e përforcoi në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, por duke nënvizua mbështetjen e Gjermanisë.

“Duhet të vijojnë reformat. Sigurisht që ka kundërshti që duhet të kapërcehen për të siguruar perspektivën europiane, por Shqipëria ka mbështetjen e Gjermanisë. Perspektiva europiane e Shqipërisë nuk është vetëm fjalë nga ana jonë, por duhet vazhduar përpara me reformat”, tha Maas.

Kryeministri Edi Rama, pasi falenderoi Gjermaninë për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën europiane, kërkoi që kjo mbështetje të reflektohet edhe tek votimi për kryesimin e OSBE-së, ku i kërkoi publikisht ndihmën kryediplomatit gjerman që të ndihmojë Shqipërinë, që ka hedhur kandidaturën.

Me klimën aktuale politike, vështirë se dora e shtrirë për bashkëpunim e mazhorancës në këtë fushë do të gjejë mirëkuptimin e opozitës. Vetë opozita është angazhuar në një fushatë denoncimi para shqiptarëve, të asaj që e quan “kapje të shtetit nga krimi”, ndërsa ka akuzuar se në procesin e vettingut në drejtësi po zbatohen dy standarde.

Për vettingun në drejtësi, ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu pranoi tërthorazi në një intervistë dhënë për Real Story në Vizion Plus se ka patur presion politik në kalimin e disa emrave në sitën e rivlerësimit profesional, integritetit dhe pasurisë.

Vetë opozita vazhdon të mbetet mosbesuese ndaj këtij procesi dhe ka ndërmarrë nismë për një “vetëpastrim” të klasës politike. Nisma është zyrtarizuar dhe projekti i Partisë Demokratike ndodhet në tryezën e Gramoz Ruçit.

Sipas këtij projekti, PD propozon ndryshime kushtetuese dhe nisjen e një procesi pastrimit të të zgjedhurave vendorë e qendrorë dhe të të gjithë klasës politike sipas modelit të vettingut në drejtësi.

Mazhoranca e kundërshton këtë nismë duke e cilësuar përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga vettingu i vërtetë, që sipas saj është në sistemin e drejtësisë. Socialistët thonë se vettingu i politikanëve nuk është i nevojshëm përsa kohë reforma në drejtësi parashikon ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, dy organet e reja, që sipas tyre, do të hetojnë dhe ndjekin penalisht politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë